Sigal

Policia Kufitare godet një tentativë për trafik të lëndëve narkotike. Sekuestrohen rreth 7 kilogramë lëndë narkotike Cannabis Sativa.

Në pranga drejtuesi i mjetit që transportonte lëndën narkotike.

Shërbimet e Policisë Kufitare, kanë përzgjedhur për kontroll më të detajuar në vijë të dytë automjetin “Toyota Rav”, që drejtohej nga shtetasi Skerdi Hasani, 32 vjeç, banues ne Memaliaj, i cili udhëtonte për në Greqi. Nga kontrolli i detajuar i kryer nga punonjësit e Policisë Kufitare në vijën e dytë ka rezultuar se në gomën rezervë kishte të fshehura disa pako të mbështjella me letër natriban të cilat dyshohet se janë të mbushura me lëndë narkotike Cannabis Sativa.

Më pas është njoftuar grupi Hetimor, ku kanë mbërritur Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër. Nga veprimet e kryera nga grupi hetimor rezultoi se në brendësi të gomës rezervë kishte 14 pako me lëndë narkotike Cannabis Sativa, me peshë rreth 7 kilogramë gjithësej, e cila është sekuestruar në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin.

Drejtuesi i mjetit është shoqëruar në ambjentet e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, ku në përfundim të veprimeve të kryera nga Specialistët për Hetimin e Narkotikëve u bë arrestimi në flagrancë për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”.