Kapitullojnë spitalet, nuk ka ilaçe

794
Sigal

Edhe pse qeveria e Ramës po mbush 100 ditë,  vazhdon gjendja e mjerueshme në spitale

 U ndodha për një  vizitë mjekësore në (ish)Spitalin Ushtarak. Për nevojat e diagnozës, u desh që të kryeja një skaner. Mirëpo, mjeku me mirësjellje, dhe me keqardhje më thotë që skaneri i ish-Spitalit Ushtarak nuk funksionon. E pyeta, nëse është prishur këto ditë? Mjeku, duke nënqeshur me ironi, më thotë që tashmë e kanë harruar edhe vitin, kur ky skaner punonte dikur.

– Si ka mundësi, që skaneri në Qendrën Kombëtare të Traumës, të mos funksionojnë kaq kohë?- pyeta, si për të mos dashur të besoja, që skaneri i spitalit më të rëndësishëm për traumat në Shqipëri, të jetë jashtë përdorimit, për një ndërkohë të gjatë.

– Po të ishte vetëm skaneri që i mungon spitalit, do të ishte gjysma e së keqes,- më thotë mjeku, dashamirësisht.- Këtu në spital, nuk ka asnjë ilaç për të sëmurët. Ne nuk kemi asnjë shiringë. Na mungojnë çdo material ndihmës, që t’u shërbejmë pacientëve.

– Po ngrohje a ka spitali, këto ditë të ftohta?

– Jo, jo, – u përgjigj prerë mjeku. – I kemi këshilluar pacientët, që të marrin batanije nga shtëpia.

– Po ku do t’i bëjnë pacientët, si puna ime, skanerin?

– Te privati. Të gjeni vetë. Nuk mund t’ju them më shumë, se ka rrezik të gjendem i arrestuar dhe i akuzuar për korrupsion.

– Përse kjo frikë?

– Është bërë e modës, të akuzosh mjekun e thjeshtë, për korrupsion, ndërkohë, që është paralizuar, është traumatizuar vetë sistemi shëndetësor, e askush nuk interesohet që ta kurojë, – më thotë mjeku.

Ata që e kanë në dorë kurimin e këtij sistemi shëndetësor, e dinë diagnozën?- pyes mjekun.

– Shiko ngjitur me ish-Spitalin Ushtarak, spitalin Amerikan. Atje nuk mungon asgjë, por duhet të paguash. Mbase ata që duhet të kurojnë sistemin tonë shëndetësor, nuk u intereson, kurimi, sepse janë të kapur nga këto interesa, që të lulëzojnë spitalet private, që i sollën, madje, në mjediset e spitaleve publike, – më pohon mjeku i spitalit, si për të hequr nga ndërgjegjja e tij, barrën e mosshërbimit për pacientët e tij.

Edhe kur shikojmë pyllin, kërkojmë pemën e veçuar

Gjykata e Tiranës liroi shefin e sektorit të kirurgjisë në QSUT, Ilir Broqi, i cili u arrestua  për korrupsion nga policia e kryeqytetit.  Gjykata e cilësoi të paligjshëm arrestimin e mjekut Broqi, ndërsa vendosi ndaj tij masën e sigurisë ‘detyrim paraqitje’. Çfarë prove kërkon gjyqtari, që të arrestojë një mjek, kur këta detyrojnë pacientët, që të bëjnë çdo analizë në laboratorë private? Ndërkohë, gjykata ka lënë në burg sekserin Arben Doda. Pyetja  për atë gjyqtar, që quajti të paligjshëm arrestimin e mjekut, është: A është fajtor mjeku për korrupsion? A përbën përgjegjësi ligjore, të flagrancës,  nga ata mjekë në spitalet publike,  kur të sëmurit,  i privojnë dhënien e shërbimit shëndetësor, në ato raste kur ai, nga pamundësia, nuk ka të paguajë shpërblimet ekonomike që e detyron mjeku?

100 ditë qeverisje, asnjë ilaç nuk kanë shtuar në spitale

Ishte opozita e PS-së, që kritikoi shumë mungesën e ilaçeve, mosfunksionimin e aparaturave në spitale, kritikoi shumë edhe dhënien e mjediseve të spitaleve publike për spitalet private. Ndaj, dha edhe premtime, që në qeverisjen e saj, spitalet do kenë ilaçe, pacientët çdo shërbim për analiza dhe aparatura do ta bëjnë në spital, etj., etj.. Mirëpo kanë kaluar afërsisht 100 ditë qeverisjeje  dhe sërish spitalet janë edhe më keq. Mungesat janë thelluar, të sëmurët janë lënë në mëshirën e fatit. Mos vallë rilindja e shërbimit shëndetësor në spitalet publike filloi dhe mbaroi vetëm me prishjen e disa kioskave brenda mjedisit të spitaleve publike? Përse deri tani qeveria nuk ka larguar, asnjë spital privat që funksionon brenda spitaleve publike? Përse ministri i Shëndetësisë nuk prish kontratat që kanë lidhur privatët me shtetin, e të mos funksionojnë në mjediset e spitaleve publikë? Apo, mos vallë edhe këta qeveritarë, ministra sot, derisa nuk veprojnë të lirojnë mjediset e spitaleve publike nga aktivitetet e spitaleve private,  janë po të kapur, –  sikurse akuzonin kolegët dje – nga privatët, në dëm të shërbimit publik shëndetësor për qytetarët?

Deputeti Braçe, përse hesht për moslargimin e Spitalit Amerikan nga spitali publik?

Deputeti Erjon Braçe, si opozitar, ka bërë kritikat më të ashpra kundër dhënies me qira, apo çfarëdo lloj kontrate, të ambienteve të spitaleve publike dhënë privatëve. Braçe, si opozitar, madje, ka dhënë edhe premtimin, se kur PS-ja do të vijë në qeverisje, vendimi i parë do të jetë të lirojë spitalet publike nga aktivitetet private. Deputeti Braçe, si opozitar, madje ishte zotuar që qeveria socialiste, do të largonte Spitalin Amerikan nga Spitali Ushtarak, pasi  fëmijët e Berishës- sipas akuzave të Braçes, kanë interesa të drejtpërdrejta me këtë spital privat. Përse tani deputeti Braçe hesht dhe nuk kërkon të largohet spitali Amerikan nga Spitali Ushtarak? Për më tepër, që tani Braçe është edhe kryetar i Komisionit parlamentar të Ekonomisë dhe ka më shumë forcë vendimmarrjeje. Apo tani, Braçe nuk flet se, ndoshta, është i kapur?  Largimi i disa kioskave nga spitalet, nuk mund të bëjë që të “harrohet” edhe largimi i privatëve nga spitalet publike. Ato e konkurrojnë në mënyrë jo të ndershme shërbimin shëndetësor publik. Privati korrupton edhe mjekët, edhe personelin e spitalit publik, që të mos shërbejë pacientëve, për t’i detyruar pacientët të shkojnë detyrimisht te privati.

Mjeku: “Bëjnë shou e spekulojnë me gjoja korruptimin e mjekëve”

Duke më shpjeguar përse nuk funksionojnë skanerat, laboratorët për analiza, përse nuk ka ilaçe në spitale publike, përse nuk ka ngrohje në spitale, mjeku i Spitalit Ushtarak, më tha. “Këto lajme, me tituj “Arrestohet mjeku”, pamjet e mjekut me hekura në dorë, janë shou që duan të bëjnë qeveritarët, për të mbuluar zullumet e tyre. Drejtuesit e kanë fajin që nuk punon skaneri. Që nuk ka ilaçe. Që nuk ka ngrohje. Fondet jepen, por ato shpërdorohen, vidhen nga drejtuesit e lartë e jo nga mjeku. Keni parë ndonjë drejtues, e deri te ministri, të arrestohet se abuzoi dhe korruptoi që nuk ka ilaçe? Që nuk bëjmë dot në spitale analizat? Që nuk na punojnë aparaturat? Shërbimin shëndetësor publik, nuk e dëmtonin edhe aq kioskat, por ky spital Amerikan, që e kemi brenda në spitalin Ushtarak. Po të gjeni përgjegjësitë e këtyre mungesave te drejtuesit e lartë qeveritarë, do të shikoni, që mjeku nuk korrupton me të sëmurët e vet”. Për të dhënë vërtetësinë e pohimeve të mjekut, i cili nuk mund të indentifikohet, për shkak të pasojave që do ketë mbi të, ju jap një shembull. Para katër ditëve gazeta “Telegraf”, botoi një shkrim për mungesën e ngrohjes në maternitetin e ri të Elbasanit dhe përgjigjen e drejtoreshës së spitalit Desantila Tahiraj dhe shefes së maternitetit, Teuta Ilirjani, të cilët u përgjigjeshin ankesave të pacientëve për mungesën e ngrohjes në maternitet, edhe pse ky është i ri dhe me kaldajë të re nafte: “Jemi në krizë. Po deshët, mbulohuni me xhupa”. Ndërsa nga parmbrëmë, ka filluar kaldaja të punojë e foshnjat të kenë ngrohje në maternitetin e Elbasanit. Pyetja është: Sa janë fondet për ngrohje në maternitetin dhe spitalin e Elbasanit? Ku shkojnë këto fonde, derisa të sëmurëve u privohet ngrohja? Po përse mungojnë ilaçet në spitale? Ministri Beqaj, a ka kontrolluar fondet e ilaçeve në spitale, dhe a ka vënë para përgjegjësisë ata që kanë abuzuar me fondet? Ministri Beqaj, a ka çuar në prokurori, ashtu, me pranga në duar, ndonjë drejtues spitali , që ka vjedhë dhe shpërdoruar fondet e ilaçeve të spitaleve? Rilindja e shërbimit shëndetësor publik fillon me arrestimin e drejtuesve që kanë vjedhur fondet e ilaçeve, me tendera skandaloze, me prishjen e kontratave të spitaleve private që funksionojnë brenda spitaleve private. E, pastaj,  me prishjen e kioskave.