Luftë me armë në kufi, vriten dy vëllezër shqiptarë e një polic grek

433
Sigal

Ngjarja në orën 00:45 në Vrontero të Follorinës. Dy vëllezërit gjuanin ilegalisht peshk në ujërat greke të liqenit të Prespës

Një përleshje me armë mes dy vëllezërve nga Shqipëria dhe patrullës policore kufitare greke, ka përfunduar me tre viktima. Burime të policisë greke dha asaj të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Korçës thonë se, viktima të përleshjes me armë janë dy vëllezër shqiptarë dhe një polic kufitar grek. “Viktima të përleshjes me armë janë vëllezërit Melsi dhe Elvis Çollaku nga fshati Shuec i Devollit dhe polici grek Ilia Kosteni”, -konfirmojnë burimet zyrtare për gazetën “Telegraf”.

Paraprakisht, jepen dhe disa detaje të ngjarjes së rëndë. “Ngjarja ndodhi pas mesnatës (ora 00:45) së kaluar (e shtunë-e diel) në kufirin shqiptaro-grek, në fshatin Vrontero pranë Follorinës. Një grup prej tre oficerësh të Policisë greke janë përleshur me 2 persona të armatosur në piramidën 1920, pranë liqenit të Prespës. Patrulla e policisë merrej me kontrollin e peshkimit të paligjshëm, pasi kishte informacion se ishin vjedhur rrjetat e peshkatarëve në liqen. Patrulla e la automjetin në rrugë dhe përshkoi në këmbë për rreth 30 minuta, derisa vuri re një kasolle rreth 2 km larg liqenit të Prespës, kasolle që shpesh sipas policisë, përdoret nga trafikantët e emigrantëve të paligjshëm apo trafikantët e drogës. Dy nga policët shkuan për të kontrolluar kasollen, ndërsa i treti qëndroi më pas, për t’iu mbuluar atyre krahët. Kur u afruan, policët kanë bërtitur në gjuhën shqipe ‘Policia, policia!’, ndërsa një nga shqiptarët ka hapur zjarr me kallashnikov. Plumbat kanë plagosur policin 43-vjeçar Ilia Kosteni dhe pas kësaj polici i tretë që ndodhej jashtë kasolles hapi zjarr mbi njërin nga shqiptarët duke e vrarë. Tjetri mori armën e të vëllait dhe vijoi të qëllojë mbi policinë, por nga shkëmbimi i zjarrit edhe ai mbeti i vdekur. Gjithçka ka ndodhur në 2 minuta. Polici i plagosur vdiq rrugës. Nga kontrolli në kasolle nuk u gjet drogë apo armë dhe hetimet përqendrohen në faktin që shqiptarët kishin hyrë në tokën greke për peshkim të paligjshëm në liqenin e Prespës”,- kanë konfirmuar gjatë ditës së djeshme burimet mediatike greke. Ndërkohë, familjarët e viktimave në Devoll kanë pohuar se djemtë e tyre nuk ishin trafikantë, por peshkatarë që punonin për bukën e gojës.