Kapet me dokumente false dhe thikë, pranga 31-vjeçarit të shpallur në kërkim në Gjirokastër

24
Sigal

Një 31-vjeçar i shpallur në kërkim është arrestuar sot në Gjirokastër pasi u kap me dy dokumente false dhe thikë.

Policia bën me dije se në pranga ka rënë shtetasi me iniciale Gj.L., i cili ishte shpallur në kërkim, si bashkëpunëtor për transportimin e 4 emigrantëve të paligjshëm për kalimin e kufirit më datë  16.05.2023.

Njoftimi i policisë:

Gjirokastër/Kontrolle 24/7, hetime dhe inteligjencë policore, për të garantuar sundimin e ligjit në të gjithë territorin e qarkut.

Kishte me vete 2 dokumente false, 1 mjet prerës (thikë) dhe një shumë parash që dyshohet se i ka përfituar nga veprimtaritë kriminale, vihet në pranga 31-vjeçari.

I arrestuari ishte në kërkim për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Sekuestrohen dokumentet false (leje drejtimi dhe kartë identiteti), mjeti prerës, 1900 euro dhe celulari i 31-vjeçarit.

Në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional “Sundimi i ligjit”, shërbimet e Policisë së Gjirokastrës po kryejnë kontrolle intensive, të mbështetura te informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, për të parandaluar dhe goditur paligjshmëritë, në çdo formë të shfaqjes së tyre.

Në këtë kuadër, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Gjirokastër kanë ndaluar për kontrolle, shtetasin Gj. L., të cilit i kanë gjetur 1 leje drejtimi dhe 1 kartë identiteti, të dyshuara të falsifikuara, 1 mjet prerës (thikë) dhe 1900 euro që dyshohet se kanë burim veprimtaritë kriminale.

Më tej, nga verifikimet rezultoi se 31-vjeçari ishte shpallur në kërkim, si bashkëpunëtor për transportimin e 4 emigrantëve, me qëllim kalimin e kundërligjshëm të kufirit shtetëror, rast i cili u godit nga Policia e Gjirokastrës, më datë 16.05.2023, në vendin e quajtur “Vasiar”, Memaliaj.

Në përfundim të veprimeve procedurale u vu në pranga shtetasi Gj. L., 31 vjeç, banues në Shkodër, si dhe iu sekuestruan sendet e kundërligjshme që kishte me vete.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.