Sigal

Kapen 700 kilogramë kanabis në Otranto, kurse në pranga kanë përfunduar 2 skafistët shqiptarë. Operacioni i Policisë së Shtetit dhe asaj italiane u finalizua në orët e para të mëngjesit të sotëm.

Policia Kufitare e Vlorës pikasi një skaf që ishte nisur drejt Italisë dhe u vu në ndjekje të tij duke sinjalizuar edhe policinë italiane.

Në pranga kanë përfunduar dy skafistët shqiptarë, D.G., 22 vjeç dhe A.R., 30 vjeç.Ndërkohë vijon operasiconi përkapjen e personave të tjerë të përfgdhirë në trafik.

Njoftimi i policisë

Policia e Shtetit dhe Policia italiane, operacion të përbashkët kundër një tentative për trafik narkotikësh

Ditën e djeshme, Policia Kufitare e Vlorës mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative është vënë në ndjekje të një mjeti detar, i dyshuar për trafik narkotikësh, duke njoftuar njëkohësisht Prokurorinë e Krimeve të Rënda për rastin.

Pasi kanë humbur kontaktet dhe mjeti në ndjekje hyri në ujërat ndërkombëtare, Policia Kufitare njoftoi autoritetet italiane dhe nisi koordinimi i veprimeve.

Në orët e para të mëngjesit të sotëm, Policia e Shtetit dhe Guardia di Finanza në Itali finalizuan me sukses operacionin, edhe si rezultat i bashkëpunimit efektiv të forcave policore të dy vendeve, nëpërmjet zyrave ndërlidhëse.

Në afërsi të lokalitetit Sant Andrea, Otranto, u bë i mundur sekuestrimi i mjetit në ndjekje, që drejtohej nga dy shtetas shqiptarë me iniciale D.G., 22 vjeç dhe A.R., 30 vjeç. Në skaf u sekuestrua rreth 700 kg marijuanë.

Janë në vijim hetimet në dy anët e Adriatikut për kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë tentativë trafiku.

Policia e Shtetit, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë mbetet e angazhuar për të goditur çdo paligjshmëri, e fton këdo që ka informacion të denoncojë në anonimat, në numrin falas 112 apo Komisariatin Dixhital.