Kandidatët e Vetingut, ONM: Faleminderit Totozani, tani procesin e ndjekim vetë

573
Vëzhguesit ndërkombëtarë të ONM-së kanë përshëndetur sot me një deklaratë, përfundimin e vlerësimit nga Avokati i Popullit të kandidatëve aplikantë për institucionet e Vetingut dhe thanë se tani “do të procedojnë me shqyrtimin e tyre të pavarur të të gjithë dokumenteve të paraqitura.” Po ashtu, ata paralajmëruar se janë në pritje të vëzhguesve ndërkombëtarë afatgjatë që do t’i bashkangjiten institucioneve të Vetingut.

Në deklaratën e ONM-së thuhet: 

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) përshëndet përfundimin e aktiviteteve nga komisioni vlerësues në Zyrën e Avokatit të Popullit, në kuadrin e procesit për krijimin e institucioneve të vetingut.

Gjatë ditëve të fundit, nën mbikëqyrjen nga afër të ekipit të vëzhguesve ndërkombëtarë të ONM-së komisioni i vlerësimit ka shqyrtuar dorëzimet e dokumenteve të certifikuara nga mbi njëqind aplikues.

Pa paragjykuar vlerësimin e fundit procedural nga vëzhguesit ndërkombëtarë, që aktualisht po përgatitet, bazuar në gjetjet fillestare, ONM-ja e lavdëron edhe një herë punën shumë të plotë, të saktë dhe profesionale të komisionit të vlerësimit pranë Zyrës së Avokatit të Popullit.

Shqyrtimi i çertifikatave të paraqitura nga kandidatët për të plotësuar dosjet e tyre të aplikimit është kryer me kujdes, në përputhje me funksionin shqyrtues që pasoi thirrjen e parë dhe bazuar në kriteret e parashikuara në kuadrin përkatës legjislativ.

ONM-ja lavdëron gjithashtu gatishmërinë e Avokatit të Popullit, z. Igli Totozani, për të proceduar me publikimin në kohë të një liste të konsoliduar kandidatësh që plotësojnë kriteret e kualifikimit për postet e ndryshme në institucionet e vetingut.

Vëzhguesit ndërkombëtarë të ONM-së do të procedojnë tani me shqyrtimin e tyre të pavarur të të gjithë dokumenteve të paraqitura. Pas përfundimit të këtij procesi, po të jetë nevoja, Avokatit të Popullit do t’i paraqitet një vlerësim i përditësuar dhe i arsyetuar, si dhe rekomandime për t’ia transmetuar në mënyrë konfidenciale Kuvendit të Shqipërisë.

ONM konfirmon se kanë vazhduar përgatitjet për ardhjen e vëzhguesve ndërkombëtarë afatgjatë që do t’u bashkëngjiten institucioneve të Vetingut.

Nisja e procesit të vetingut do të jetë me rëndësi historike për Shqipërinë.

Qytetarët e vendit meritojnë një gjyqësor vërtet të pavarur, efikas, të përgjegjshëm dhe plotësisht profesional. Rivlerësimi i gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve është vendimtar për ta arritur këtë objektiv dhe do të nisë pa vonesa të mëtejshme.

ONM-ja po punon me themel për të përfunduar rishikimin e gjithë dosjeve të aplikimeve të konsoliduara rishtas dhe për t’i mundësuar Kuvendit të fillojë shqyrtimin e kandidatëve.
Sigal