Kanabisi dhe kokaina trullosin vendet e BE-së

547
Sigal

Reagime të ndryshme të politikanëve tanë  pas publikimit të raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit

Shqipëria është vend transit dhe destinacion i kanabisit, heroinës dhe kokainës”. Ky është konkluzioni themelor i raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit për vendin tonë. Departamenti Amerikan i Shtetit publikoi dje raportin për trafikimin ndërkombëtar të lëndëve narkotike për vitin 2012, ku thekson se, Shqipëria është vendburim për vendet e BE-së sa i takon kanabisit. Raporti vijon me vlerësimin se autoritet kanë rritur ndjeshëm kapjen e drogës dhe arrestimet gjatë vitit 2012.  “Autoritetet shqiptare kanë rritur aktivitetin në goditjen e këtij trafiku dhe kjo i atribuohet trajnimit më të mirë të forcave policore si dhe përmirësimit të teknikave zbuluese dhe parandaluese”, thuhet në raport. Raporti, pavarësisht përpjekjes së policisë konstaton se, është prodhimi i kanabisit në vend është rritur me 175% më shumë kundrejt 2011. DASH, në raport, fakton dhe dukurinë që rrjetet e trafikimit kanë përfituar nga aktivitetet e reduktuara policore të vendeve fqinje, duke anashkaluar Shqipërinë, e cila ka shërbyer gjatë si një vend transit për në Europën- Perëndimore. SHBA ndër të tjera veçon ndihmën që i ka dhënë qeverisë shqiptare në luftën kundër trafikut, por dhe ndihmën që vendet e BE-së i kanë dhënë vendit tonë në këtë drejtim.

Flasin për “Telegraf”

Nard Ndoka: Policia ka rritur goditjen ndaj trafikut

Gjëja e parë që bie në sy ka të bëjë me rritjen e zbulueshmërisë së grupeve që merren me trafikun e drogës në Shqipëri. Pra, forcat policore gjatë kësaj periudhe kanë një bilanc pozitiv në kapjen dhe zbulimin e trafikantëve nëpër pikat kufitare. Kjo është diçka e dukshme. Unë nuk mund t’ju them dot në këtë moment se, sa është numri i rasteve të kapura, në krahasim me vitet tjera, por jam i bindur se ky numër është disa herë më i lartë. Sot unë nuk ndodhem në Shqipëri dhe për momentin nuk mund t’ju them ndonjë gjë më tepër, por pasi të kthehem jam i gatshëm t’i përgjigjem pyetjeve tuaja në çdo aspekt  të fushave që mbuloj. Sepse ky që përmendni nuk ju ka të bëjë me sferën time.

Ermonela Felaj, anëtare e Komisionit të Ligjeve

Gjykimi im për raportin e DASH-it është se forcat e rendit në Shqipëri, ato që duhet të garantojnë sigurinë dhe luftën e pandërprerë kundër çdo lloj trafiku apo krimi tjetër, janë totalisht të demotivuara për të bërë detyrën e tyre. Burim i drejtpërdrejtë i këtij demotivimi është pikësëpari, përfshirja e kupolës së lartë të policisë së shtetit në lidhje të hapura ortakërie me grupet e organizuara kriminale. Çfarë mund të pritet nga punonjës të thjeshtë të policisë, kur titullarët e tyre ua punojnë pas shpine, i tradhtojnë, ia nxjerrin në pritë krimit?! E sikur kjo të mos mjaftonte, Berisha dhe qeveria e tij janë kujdesur ta çojnë në pikën e fundit policinë, duke e lënë të zbrazët, pa  mjete dhe pa njerëz të aftë, pa drejtues të përkushtuar.

Pirro Lutaj, anëtar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare

Ne nuk kemi pritur raportin e DASH-it për të thënë se, kush është përgjegjësi i rritjes të trafikut të lëndëve narkotike në Shqipëri. Përditë ne e kemi evidentuar, nëpërmjet oponencës tonë problematikën e rritjes të krimit, ku trafiku i lëndëve narkotike është epiqendra e krimit të organizuar. Policia e Shtetit e lufton krimin e organizuar në mënyrë sporadike, pa strategji, pa plan operativ.

Paulin Sterkaj, anëtar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare

Është krejt i qartë mesazhi që përcillet nga konkluzionet e raportit të DASH-it, me situatën e trafikimit të lëndëve narkotike në Shqipëri. E dinë të gjithë shqiptarët që tashmë policia nuk mund të futet në zona të caktuara, ku mblidhet dhe kultivohet lënda narkotike. Nga Policia e Shtetit nuk bëhet, ose bëhet shumë pak punë për të parandaluar trafikun e lëndëve narkotike, që fillon që nga marrja e masave për të kufizuar me çdo kusht mbjelljen e kultivimin e lëndëve narkotike. Përkundrazi, edhe lufta, edhe përpjekjet e policisë bëhen selektive, për të stimuluar lidhjet klienteliste dhe për të patur edhe një raport të mirë, duke patur parasysh edhe zgjedhjet,  me ata që drejtojnë trafikun e lëndëve narkotike. Kjo shpjegon përse Policia e Shtetit e ka të vështirë të futet në zona të caktuara, ku bëhet kultivimi i lëndëve narkotike. Specialistë policia ka, por në terren ka më shumë militantë se sa profesionistë policë.

Fatos Klosi: Lazarati është shumë problematik

Jam dakord me faktin se në këtë vend, është shtuar droga dhe trafiku i drogës. Kjo është diçka e dukshme dhe e vërtetë. Sidomos, kam dëgjuar shumë probleme, lidhur me Lazaratin. Këtu situata me trafikun e kanabisit është tepër alarmante. Dhe do të thosha se pikërisht, këtu, është reduktuar veprimtaria policore. Madje, mund të shtoja se ka segmente që ndihmojnë dhe bashkëpunojnë me trafikantët. Por edhe situata e përgjithshme është shqetësuese. Natyrisht, droga ndodhet jashtë kontrollit të segmenteve policore, sepse ekzistojnë interesa të ndryshme e të shumta. Prandaj, kërkohet një ndryshim rrënjësor i gjendjes.