Kakavijë, tentoi të fuste ilaçe kontrabandë, prangoset 42-vjeçari

283
Sigal

Policia Kufitare e Kakavijës ka parandaluar dhe ka goditur një rast të tentativës së kontrabandës me medikamente mjekësore.

Mbrëmjen e djeshme gjatë kontrollit të ushtruar në një kamion, janë gjetur të fshehura sasi të konsiderueshme medikamentesh mjekësore të cilat do të futeshin kontrabdandë në Shqipëri.

Në pranga ka rënë një 42-vjeçar i cili i ishte drejtuesi i kamionit dhe poseduesi i medikamenteve.

”Punonjësit e Policisë Kufitare Kakavijë, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit të Hetimit të Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Gjirokastër, mbrëmjen e djeshme, gjatë kontrollit të ushtruar në hyrje, në mjetin tip kamion, të cilin e drejtonte shtetasi K. D., gjetën të fshehura në kabinën e mjetit një sasi të konsiderueshme medikamentesh mjekësore (ilaçe), të cilat ky shtetas ka tentuar t’i futë kontrabandë në Republikën e Shqipërisë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Pas veprimeve të kryera hetimore, specialistët e Seksionit të Hetimit të Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Gjirokastër referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për shtetasin K. D., 42 vjeç, banues në Dropull, për veprën penale “Kontrabanda me mallra të licencuar.”