New York-u regjistron 15 fëmijë me një sëmundje të rrallë, dyshohet për lidhje me koronavirusin

282
Sigal

Pasi Departamenti i shëndetit i New York City raportoi 15 raste të një sindrome të rrallë te fëmijët që mund të lidhen me infeksionin e koronavirusit, mësohet se më shumë se 100 raste të sëmundjes së pazakontë tani janë shfaqur në të paktën gjashtë vende në Britani, SHBA, Francë, Itali, Spanjë dhe Zvicër, shkruan The Guardian.

Pesëmbëdhjetë pacientë të moshës midis dy dhe 15 vjeç u shtruan në spital midis 29 prillit dhe 3 majit me sëmundje që përputheshin me sindromën, tha departamenti i shëndetit i New York City në një deklaratë.

“Të gjithë pacientët kishin ethe dhe më shumë se gjysma kanë raportuar skuqje, dhimbje barku, të vjella ose diarre,” shtoi ajo. Por, nuk raportohen vdekje.

Sindroma i ngjan sëmundjes Kawasaki, thanë autoritetet, një gjendje inflamatore e enëve të gjakut në të cilën fëmijët kanë temperaturë të lartë, skuqje në shpinë, gjoks dhe bark, sy të skuqur, duar dhe këmbë të fryra, gjëndra limfatike të fryra dhe ënjtje rreth gojës dhe buzëve.

Sëmundja Kawasaki është e rrallë. Rreth 3,000 fëmijë diagnostikohen me sëmundjen çdo vit. Ka 74 milion fëmijë nën moshën 18 vjeç në SHBA.

Shkaku i sëmundjes Kawasaki nuk dihet, megjithëse disa studime hulumtuese e kanë lidhur përhapjen e saj me infeksionin viral. Ajo u diagnostikua për herë të parë tek fëmijët japonezë në vitet 1960 dhe nuk duket të jetë as ngjitëse ose e trashëgueshme, sipas Shoqatës Amerikane të Zemrës.

Departamenti i shëndetit në New York City urdhëroi pediatrët që të raportojnë menjëherë rastet, për të gjithë pacientët më të vegjël se 15. Departamenti i shëndetit kërkoi gjithashtu nga pediatrët për të deklaruar pacientët te specialistët e sëmundjeve infektive ose reumatologët.

Mbetet e paqartë se çfarë lidhje mund të ketë sëmundja me Sars-Cov-2, koronavirusin që shkakton Covid-19, dhe që ka goditur New York veçanërisht. Të 15 fëmijët u testuan për Covid-19. Dhjetë rezultuan negativë.

Megjithëse fëmijët mund të përhapin koronavirusin, tek ata ka efekte relativisht të buta.
Në paralajmërimin e saj për gjendjen inflamatore, Shoqata e Kujdesit Intensiv Pediatrik në Mbretërinë e Bashkuar tha: “Sëmundje serioze si rezultat i Covid-19 mbetet një rast i rrallë tek fëmijët.”

Sidoqoftë, që nga pandemia, mjekët kanë vënë re pacientë me sëmundje Kawasaki të cilët gjithashtu kanë Covid-19. Rasti më i hershëm i njohur përfshinte një foshnjë gjashtë muajshe në Kaliforni, i cili u shtrua në spital me simptoma të sëmundjes Kawasaki dhe gjithashtu u diagnostikua me Covid-19. Raporti i këtij u shqyrtua dhe pritet të botohet në revistën “ Hospital Pediatrics”.