Juristi Jordan Daci: Vendimi i Kolegjit Zgjedhor u duhej vetëm anëtarëve të KQZ-së

481
Sigal

Juristi Jordan Daci deklaroi se vendimi i Kolegjit Zgjedhor për të konfirmuar datën 30 Qershor i ka shërbyer vetëm anëtarëve të KQZ-së. Në një emision televiziv mbrëmjen e djeshme, Daci theksoi se vendimi i kolegjit i duhej anëtarëve të KQZ-së që të mbroheshin nga përgjegjësitë penale, kur shpallën si antikushtetuese dekretin e Presidentit për anulimin e zgjedhjeve. “Kolegji për mendimin tim kishte një shans të jashtëzakonshëm për të dhënë një leksion kushtetutshmërie. Unë mendoj se ishte një kronikë e paralajmëruar. Unë mendoj se ishte një kërkesë tërësisht fiktive. Nuk vlen si precedent. Ky vendim kurrsesi nuk i cenon vlefshmërinë dhe detyrueshmërinë dekretit të Presidentit. Nuk ka asnjë lloj vlere. Do duhet të mos i paragjykojmë gjyqtarët, se nuk dimë shkaqet. Ndoshta do dalin shkaqe që nuk kanë të bëjnë fare me dekretin e presidentit dhe për rrjedhojë nuk do kishte asnjë ndikim të tërthortë. Unë mendoj që më shumë ky vendim i duhej anëtarëve të KQZ-së që të mbroheshin nga një përgjegjësi penale e mundshme, sepse të bësh atë që kanë bërë ata është gjëja më e papranueshme. Dhe një student nuk mund ta bëjë, jo më një jurist i KQZ-së”, deklaroi juristi Daci.