“Thuhet se Arkivat janë tempujt e kujtesës. Megjithatë, unë do thoja se Arkivat janë bazat e një shteti serioz. Arkivat janë thelbësore për një shtet, ndaj edhe qeveria shqiptare duke nisur nga viti 2013 ka vënë në fokus Arkivën shqiptare, duke e ndryshuar cilësisht këtë fushë të rëndësishme të shtetit. Digjitalizimi është një kërkesë e përditshme, të cilës i jemi përgjigjur.”

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) ndryshon krejtësisht faqe, duke i dhënë trajtë një projekti novator dhe premtues. Në një atmosferë të gëzueshme, me pjesëmarrjen e dhjetëra studentëve dhe nxënësve të Tiranës, u shpalos synimi për zgjatimin e DPA-së nga një institucion veçse arkivor drejt një kompleksi të mirëfilltë kulturor. Mes gjallërisë së të rinjve, që janë pulsi i këtij kryeqyteti, u paraqit projekti, që e shndërron DPA-në në një qendër shumëfunksionale edukimi, duke i bashkëngjitur asaj një Muze Arkivor, një teatër/kinema të hapur dhe një hapësirë studimi rekreative. Në këtë aktivitet, të zhvilluar në orën 18:00 në ambientet e oborrit rrethues të godinës qendrore të DPA-së, qenë të pranishëm zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjitikës, Znj. Belinda Balluku, kreu i DPA-së, Prof. Asoc. Dr. Ardit Bido, historianët Valentina Duka, Pranvera Dibra, Esmeralda Kolaneci dhe një grup akademikësh. Fjala hapëse u mbajt prej Bidos, i cili zbuloi idetë thelbësore që qëndrojnë pas ndërmarrjes së këtij projekti, disa prej teknikave interaktive të Muzeut Arkivor, si edhe ridimensionimin e hapësirës së jashtme të godinës së DPA-së me dy shërbime të reja. “Sikurse çdo fundvit. Drejtoria e Përgjitshme e Arkivave po bën një reflektim. Sivjet ndamë mendjen për të qenë së bashku me studentë për të prezantuar dy projekte madhore. Është Arkivi që duhet të shkojë pranë rinisë, me mediumet që duhen. Në praninë tuaj, studentë të nderuar, zëvendëskryeministrja Balluku, profesoresha, prezantojmë një projekt jokonvencional, i cili ka si lajtmotiv se Arkivi zotëron gjithçka. Përmes arkivave mund të prezantojmë jo vetëm historinë e vendit tonë, por edhe atë të jetës shoqërore të vendit. Në këtë hapësirë nuk kemi si qëllim vetëm studiuesit, por të gjithë qytetarët që përveçse ju ofrohet një alternativë kultuore, mund edhe të zbaviten.”- tha Bido. Aktiviteti vijoi me fjalën e rastit të zëvendëskryeministres Balluku, e cila nënvizoi se Arkivat janë thelbësore për një shtet serioz, i cili duke iu referuar dhe mësuar nga e shkuara, do të bënte në të ardhmen atë që duhet. “Falenderoj Arditin me skuadrën e tij sepse punët e mira bëhen në skuadër. Pasioni është kyçi i suksesit në punët e mira. Thuhet se Arkivat janë tempujt e kujtesës. Megjithatë, unë do thoja se Arkivat janë bazat e një shteti serioz. Arkivat janë thelbësore për një shtet, ndaj edhe qeveria shqiptare duke nisur nga viti 2013 ka vënë në fokus Arkivën shqiptare, duke e ndryshuar cilësisht këtë fushë të rëndësishme të shtetit. Digjitalizimi është një kërkesë e përditshme, të cilës i jemi përgjigjur. Të mos harrojmë se të rinjtë janë ata që sjellin inovacionin. Mënyra se si ju jetoni, na detyron ne më të rriturve që t’ju përgjigjemi, duke sjellë modernizimin në disa sektorë. Arkivën e kemi parë gjithnjë me atë murin rrethues, ku askush nuk mund të afrohej, ndërkohë me këtë projekt, hapen dyert dhe qytetarët janë tashmë pjesë e Arkivës.”- u shpreh Balluku. Në ambientet e Muzeut Arkivor, që pritet të hapë dyert së afërmi, vizitorët jo vetëm do të mund të mësojnë mbi të kaluarën e vendit, por do të arrijnë të vihen në kontakt me të. Thënë këtë, krahas qëllimit didaktik që ka prirë edhe përzgjedhjen rigoroze të materialeve historike të ekspozuara, Muzeut do të mund t’i qaset si risi grupmoshave të reja, në sajë të teknikave interaktive që ndërthurin novacionin me historinë dhe trashëgiminë dokumentare kombëtare. Ky muze do të ofrojë jo vetëm një alternativë kulturore për të rinjtë, por mund të shërbejë edhe si një pikë atraksioni për turistët. Duke patur një formë kubike, Muzeu ka favorizuar një modelim simbolik të sipërfaqes së tij. Përgjatë dyshemesë, do të gjenden të shkruara në xham shprehje të shkurtra të personaliteteve shqiptare më të rëndësishëm…

Muzeu Arkivor, notë maksimale nga muzetë botërorë
Drejtuesit e muzeve më të mëdha botërore kanë vlerësuar me notë maksimale projektin e Muzeut Arkivor të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave (DPA). Në simpoziumin e muzeve të mbajtur në Stamboll, ku merrnin pjesë drejtuesit më në zë të muzeologjisë nga SHBA-ja në Japoni, Arkivat shqiptare kanë marrë për herë të parë ftesën për të aderuar në Këshillin Ndërkombëtar të Muzeve. Kreu i DPA-së, Ardit Bido, shpalosi në punimet e këtij simpoziumi synimin për të krijuar një kompleks të mirëfilltë kulturor. “Kjo është ideja e ekspozitës së përhershme, por që nuk është subjekti kryesor i kësaj hapësire. Përmban tri pjesë kryesore. E para është dyshemeja, që ka si fabulë nga pas themelet mbi të cilat ecim. Me shprehje të shkurtra të personaliteteve shqiptare më të rëndësishme përgjatë historisë, të shkruara në xhamin mbi të cilin mund të ecni.” Në ambientet e Muzeut Arkivor, që pritet të hapë dyert së afërmi, historia dhe trashëgimia dokumentare e kombit do të përcillen përmes teknikave interaktive, duke përçuar informacion përmes zbavitjes. “Kjo është një prej dy kulminimeve. Ideja që qëndron pas tij është se ti vjen në Arkiv, në Muze, ke paguar për këtë, por nuk mjafton kaq për të parë gjërat më të rëndësishme të tij. I pari ishte Kodiku i Beratit dhe e dyta është Deklarata e Pavarësisë, të cilën ne nuk e kemi, por ‘Arkivat kanë çdo gjë’. Ndaj, e vendosëm meqenëse historia e Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë është interesante. Ajo është humbur në vitin 1949-n dhe shumica e njerëzve nuk e dinë se si ishte në të vërtetë deklarata, sepse pandehin për origjinale një riprodhim të 1937-s, krejt të ndryshëm.” Pjesë e projektit është edhe krijimi i një hapësire studimi në natyrë dhe teatrit/kinemasë së hapur prej 150 vendesh, në oborrin rrethues të godinës së Arkivës.






















