Ja si u zhdukën 1.5 miliardë USD nga financat e shtetit

488
Sigal

Abuzimet me financat e shtetit gjatë vitit 2018 kapin shumën e 159,805,535 000 lekë ose 1.5 miliardë dollarë

KLSH / Për shpërdorimet e buxhetit 2018, janë bërë 18 rekomandime, 249 masa organizative dhe 2 indicie për kallëzim penal.

Për vitin 2018, grupet e auditimit të këtij departamenti kanë ushtruar auditime në 24 subjekte, nga të cilat 23 auditime sipas planit vjetor dhe 1 auditim i trashëguar ne proces nga plani i vitit të mëparshëm. Sipas natyrës së auditimeve, në 10 subjekte janë kryer auditime të përputhshmërisë të aktivitetit, në 4 subjekte janë kryer auditime tematike të përputhshmërisë së aktivitetit, në 8 subjekte janë kryer auditime të përputhshmërisë dhe rregullshmërisë dhe në 2 subjekte janë kryer auditime të përputhshmërisë dhe financiar të aktivitetit. Në përfundim të auditimeve, në zbatim të standardeve të auditimit financiar dhe auditimit të përputhshmërisë, pas auditimit të pasqyrave financiare dhe përputhshmërinë e përdorimit të fondeve publike janë dhënë sipas rastit, opinione për auditimet financiare dhe veçmas opinione për auditimet e përputhshmërisë. Gjatë vitit 2018 u vu në fokus dhe realizimi i auditimeve financiare me asistencën e specialistëve të NIK-ut polak, kjo dhe në kuadër të projektit të binjakëzimit i financuar me fondet IPA 2013. Auditimet financiare pilot të zgjedhura ishin subjektet ISSH dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë (aparati). Në MFE opinioni ka rezultuar i kundërt si për pasqyrat financiare ashtu edhe për përputhshmërinë e aktivitetit me kuadrin ligjor; dhe në ISSH opinioni ka rezultuar i kualifikuar për përputhshmërinë dhe refuzim opinioni për pasqyrat financiare. Në total, janë dhënë opinione në 12 auditime, ku bazuar në evidencat e auditimit dhe gjykimin profesional të grupeve të auditimit sipas llojit janë dhënë 4 opinione të kualifikuara, 8 opinione të kundërt, 1 refuzim opinioni dhe 1 opinion i pakualifikuar. Për vitin 2018 në auditimet e kryera janë lënë gjithsej 519 rekomandime për përmirësimin e gjendjes dhe problematikave të konstatuara, krahasuar me 409 rekomandime që ishin dhënë një vit më parë. Për përmirësimin e akteve ligjore dhe nënligjore janë bërë 18 rekomandime, 249 masa organizative, masat për shpërblim dëmi ekonomik të shkaktuara, të konstatuara gjatë auditimeve të vitit 2018 janë në shumën 2,287,634, 000 lekë, 14 masa administrative, 138 masa disiplinore dhe masat për eliminimin e efekteve negative të shkaktuara, të konstatuara gjatë auditimeve të vitit 2018 janë në shumën 159,805,535 000 lekë, dhe 2 indicie për kallëzim penal. KLSH ka konstatuar që shumë nga masat dhe përmirësimet e akteve ligjore dhe nënligjore të hartuara me qëllim parandalimin e krijimit të detyrimeve të prapambetura, eliminimin e mundësive për mos raportimin në kohë të shpenzimeve, dhe marrjen e angazhimeve financiare pa fonde buxhetore, në bashkëpunim dhe me FMN, kanë rezultuar joefikase dhe të pazbatuara. Nga këto prezantime dolën dhe disa nga problemet kryesore të konstatuara nga KLSH në menaxhimin e financave publike, si më poshtë.

  1. KLSH ka konstatuar që ndryshimet me akte normative gjatë vitit buxhetor shkaktojnë mungesë të kredibilitetit të buxhetit dhe evidentojnë nevojën për përmirësim të ndjeshëm të procesit të planifikimit.
  2. Planifikimi optimist i të ardhurave ka lejuar planifikim më të madh të shpenzimeve brenda limiteve të deficitit të vendosura me ligj. Mos realizimi i të ardhurave, veçanërisht atyre tatimore dhe vendore, ka ndikuar në rritjen e stokut të rimbursimit të TVSH për t’u shlyer dhe krijimin e detyrimeve të prapambetura, të pa raportuara në treguesit fiskalë në kushtet e limiteve të deficit të raportuar afër 2%.
  3. Regjistrimit të shpenzimeve/ U konstatua se nuk zbatohet parimi i regjistrimit të shpenzimeve në çastin e ndodhjes së tyre, por ato regjistrohen në momentin e pagesës, duke mos pasqyruar gjendjen reale te shpenzimeve dhe deficitit buxhetor sipas treguesve fiskalë të konsoliduar të Buxhetit të Shtetit. Nga auditimet u konstatuan 23,701 raste faturash të dorëzuara në Thesar jashtë afatit 30-ditor nga njësitë publike.
  4. Pagesat e prapambetura/Një pjesë e konsiderueshme e buxhetit vjetor shkon për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura të viteve të kaluara duke mos prodhuar rritje reale të buxhetit, por pagesa për shërbime dhe të mira që janë realizuar në vitet e mëparshme buxhetore.
  5. Vendimet gjyqësore të gjykatave vendase dhe ato të lidhura me çështjet e arbitrazhit ndërkombëtar apo Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut përbëjnë risk real për nevojat për financim si pasojë e provigjionimit të dobët dhe mungesës së shkëmbimit të informacionit ndërmjet strukturave përkatëse shtetërore. Vendimet gjyqësore për largim nga puna vazhdojnë të krijojnë efekte negative për Buxhetin e shtetit, (mbi 2 miliard lekë çdo vit), duke mos marrë masat e duhura nga institucionet buxhetore për sistemimin e gjyq-fituesve pavarësisht vendeve vakante dhe lejuar akumulimin e pagave të pagueshme për çdo pozicion pune.
  6. Pasqyrat financiare / Kuadri i kontabilitetit të financave publike dhe raportimit financiar është i paplotësuar prej vitesh duke cënuar kështu vërtetësinë, plotësinë dhe transparencën e pasqyrave financiare.
  7. Koncesionet/ PPP konstatohet se nuk janë të integruara në procesin e menaxhimit të investimeve publike pasi nuk ka strategji të qartë për përdorimin e këtyre instrumenteve për financimin e nevojave për të mira dhe shërbime. Gjithashtu, KLSH identifikon mungesë të theksuar të monitorimit të portofolit të PPP-ve ekzistuese, të analizës mbi implikimet e mundshme të ndryshimeve dinamike të faktorëve makroekonomikë dhe efektin e pritshëm mbi treguesit fiskalë. Nga auditimi në FSDKSH, mos-reflektimi i rekomandimeve të lëna nga KLSH në auditivet e mëparshme, ka pasoja të konsiderueshme në buxhetin e shtetit si rrjedhojë e kontratës së Check-up, kur numri i përfituesve vijon në ulje nga viti në vit. Kosto e pajustifikuar nga fillimi i kontratës vlerësohet në vlerë 182 milionë lekë dhe pagesa e pajustifikuar e TVSH nga fillimi i kontratës në vlerë 413.7 milionë lekë.
  8. Huadhënia dhe mbështetja buxhetore për sektorin energjetik dhe ujësjellësit është ende një nga problemet që riskon Buxhetin e Shtetit duke detyruar transferta si pasojë e performancës së dobët të sipërmarrjeve të sektorit me kapital shtetëror. KLSH ka konstatuar krijim të detyrimeve të reja në shumën 5,391 milionë lekë të subjekteve nën-huamarrëse në kuadër të marrëveshjeve të nën-huasë përgjatë vitit 2017, si pasojë e mos shlyerjes së detyrimeve përkatëse.
  9. Financimi nga Buxheti i Shtetit për të balancuar skemën e sigurimeve shoqërore dhe skemën e sigurimit të kujdesit të detyrueshëm shëndetësor paraqitet në nivele të larta dhe riskon në vijimësi me anë të transfertave për balancimin e pagesave si pasojë e deficitit specifik. Skema e sigurimit të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor është vlerësuar në menaxhim të dobët si pasojë e administrimit jo efektiv të fondeve në dispozicion.
  10. Administrimi i borxhit tatimor paraqitet në dobësi të theksuara duke pasqyruar ulje vetëm si pasojë e amnistive dhe jo veprimeve konkrete, duke krijuar probleme në drejtim të shkallës së efektshmërisë së operacioneve të ekzekutuara. Sipas KLSH rritja e borxhit tatimor me rreth 10.5 miliardë lekë (10% e stokut të tij në fund të periudhës raportuese) dhe atij doganor me rreth 1 miliardë lekë (4.1% e stokut të tij në fund të periudhës raportuese), gjatë vitit kur është zbatuar amnistia fiskale, tregon që këto amnisti, të cilat duhet të ndodhin shumë rrallë, duhet të jenë të mirë menduara dhe patjetër të shoqërohen me marrjen e masave konkrete në drejtim të mbledhjes së borxhit nga organet tatimore dhe miradministrimin e skemës së tatimeve, për të qenë efikase.

Për vitin 2018 në auditimet e kryera janë lënë gjithsej 519 rekomandime për përmirësimin e gjendjes dhe problematikave të konstatuara, krahasuar me 409 rekomandime që ishin dhënë një vit më parë. Për përmirësimin e akteve ligjore dhe nënligjore janë bërë 18 rekomandime, 249 masa organizative, masat për shpërblim dëmi ekonomik të shkaktuara, të konstatuara gjatë auditimeve të vitit 2018 janë në shumën 2,287,634, 000 lekë, 14 masa administrative, 138 masa disiplinore dhe masat për eliminimin e efekteve negative të shkaktuara, të konstatuara gjatë auditimeve të vitit 2018 janë në shumën 159,805,535, 000 lekë, dhe 2 indicie për kallëzim penal.