Ja si po shemben rrugët e florinjta miliona euro në Shqipëri nga veri në jug

Rrugët e florinjta në Shqipëri marrin me vete miliona teksa shemben

 U promovua si investim strategjik/ Shembet muri pritës në aksin Maliq–Lozhan, qarkullohet vetëm me një korsi

Sigal

Segmenti rrugor Maliq–Lozhan është bllokuar pasditen e kësaj të diele, si pasojë e shembjes së murit anësor, në zonën e njohur si Ura e Qenckës. Sipas informacioneve paraprake, një sasi dherash ka rrëshqitur duke shembur murin dhe duke bërë që ky aks rrugor të ketë të aksesueshëm vetëm një korsi. Siç mund të shihet dhe në foton e mësipërme shembja e murit është e përmasave të konsiderueshme, ndërsa kjo nuk është hera e parë që ky segment rrugor ka pësuar dëmtime.

Një vit pas inagurimit me bujë, në këtë aks u regjistruan edhe disa shembje të tjera duke ngritur sërish pikëpyetje dhe shqetësime serioze mbi sigurinë dhe cilësinë e punimeve në infrastrukturën rrugore në vend. Aksi Maliq–Lozhan u promovua si një investim strategjik, pasi lidh qytetin e Maliqit me Gramshin dhe zonat përreth, duke krijuar një korridor të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, bujqësor dhe turistik të zonës. Ky segment i ri rrugor, me një gjatësi prej 18.8 kilometrash, konsiderohet një hallkë kyçe për lidhjen e fshatrave të Qarkut Korçë me qendrat urbane.

Rrëshqitje gurësh në tunelin e Llogarasë,u bllokua për gjysmë ore qarkulimi i automjeteve

Në dalje të tunelit të Llogarasë, në drejtim të Palasës, është regjistruar një rënie dherash dhe gurësh në aksin rrugor, duke vështirësuar qarkullimin e mjeteve. Shkak u bënë punimet që po kryhen në zonë, ku masat e dheut dhe gurët përfunduan në rrugë, duke krijuar bllokim të përkohshëm të trafikut dhe radhë automjetesh. Aksi rrugor qëndroi i bllokuar për rreth 30 minuta, ndërsa në vendngjarje ndërhynë mjetet e firmës që po kryen punimet për pastrimin e segmentit dhe hapjen e qarkullimit. Pas ndërhyrjes, trafiku u rikthye gradualisht në normalitet, ndërsa autoritetet dhe punonjësit në terren u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar në zonën e punimeve. Ndërkaq, ARRSH deklaroi bllokimi i përkohshëm i Tunelit të Llogarasë gjatë ditës së djeshme është kryer në kuadër të masave të sigurisë për punimet që po zhvillohen në rrugët lidhëse të tunelit.

Rrëshqitja e dherave bllokon rrugën Burrel-Rrëshen, asnjë investim serioz nga firma “Udha sh.p.k”

Rrëshqitja masive e dherave nga kodra ka shkaktuar bllokimin e gjysmës së karrexhatës në aksin kombëtar Burrel-Rrëshen. Rruga në një pjesë të mirë të gjatësisë është mbuluar nga balta, duke shkaktuar vështirësi në qarkullimin e automjeteve, për shkak të rrëshqitshmërisë së lartë.

Veç rrëshqitjes së kodrës aksi Burrel – Rrëshen ka gropa të shumta, kryesisht pranë Urës së Urakës, të cilat herë pas here mbushen me çakëll nga firma “Udha sh.p.k” që ka përgjegjësinë për mirëmbajtjen e saj, duke mënjanuar investimet serioze. Për rrjedhojë, udhëtarët i bëjnë thirrje Autoritetit Rrugor Shqiptar të marrë masa për rikonstruksionin e rrugës. Aksi Burrel-Rrëshen mbetet ndër akset kryesore në veri të vendit, pasi shërben për të lidhur qarkun e Dibrës me atë të Lezhës.

Rrëshket rruga shekullore Dukat–Vlorë, Bashkia s’jep asnjë zgjidhje!

Një situatë alarmante është denoncuar nga banorët e zonës së Dukatit, ku një segment i rrugës së vjetër shekullore ka rrëshkitur plotësisht dhe është kthyer në të pakalueshëm. Rruga, që dikur lidhte Vlorën me jugun, përdoret çdo ditë nga familjarë dhe fëmijë që shkojnë në shkollë.

Sipas denoncimeve, gjendja e amortizuar e rrugës, me çarje dhe shembje të theksuara, e bën kalimin tejet të rrezikshëm, sidomos në orët e natës pasi ka qytetarë të cilët nuk e njohin rrugën e baypassit. Situata bëhet edhe më shqetësuese për shkak të një shtylle të tensionit të lartë, e cila është në prag të rrëzimit, si dhe një kabulli 20 mijë voltësh, i ekspozuar mbi rrugë, që furnizon zonën e Palasës.