Nga 180 milion € të premtuara për bujqësinë, vetëm 65.2 milion € shkuan për mbi 6000 fermerë.
Ndërsa 94.8 milion € përfunduan në vetëm 302 biznese turistike. Pra, një skemë e krijuar për bujqësinë u devijua në favor të oligarkëve të turizmit.Fermeri mori ~10,600 €. Biznesi turistik mori ~310,000 €. Kredia për turizmin shpërtheu nga 308 mln € në 502 mln €.
Bujqësia ka qenë historikisht sektori më pak i kredituar nga bankat në Shqipëri. Arsyet për mungesën e financimit në këtë fushë janë të shumta, që nga informaliteti i lartë, vështirësitë në sigurimin e biznesit nga shoqëritë e sigurimit dhe deri te paqartësia e titujve të pronësisë dhe pamundësia për të lënë kolateral. Në janar të vitit 2016, parlamenti ratifikoi marrëveshjen e bashkëpunimit ndërmjet Këshillit të Ministrave të përfaqësuar nga Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Ministrisë së Financave dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim në lidhje me lehtësimin e mbështetjes së agrobiznesit, llogari bashkëpunimi. Marrëveshja kërkonte angazhimin e 36 milionë eurove nga qeveria shqiptare në drejtim të një llogarie të veçantë që BERZH do të kishte me qëllim mundësimin e mbulimit të riskut për kreditë në sektorin e bujqësisë.Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim nga ana e saj do të angazhonte 100 milionë euro.BERZH më pas do të lidhte marrëveshje me bankat e nivelit të dytë në Shqipëri, të cilat do të garantonin në rast mospagesash. Për këtë u caktua një fond me vlerë 136 milionë euro. Gjithashtu, një pjesë tjetër e parave do të shkonte për asistencë teknike, kërkime, këshillime dhe strategji për zhvillimin e sektorit të bujqësisë dhe agropërpunimit. Pas 100 milionëshit të parë, nga qeveria u premtua angazhimi i 80 milionë eurove të tjera, të gjitha në ndihmë të fermerëve që të rritnin biznesin dhe ta konsolidonin atë. Por vitet kaluan dhe se çfarë ndodhi me këtë skemë të pompuar me të madhe për muaj me radhë, askush nuk mësoi asgjë. Ajo që fermerët mund të mbajnë mend ishte fjalimi i Ministres së Bujqësisë në vitin 2021, Milva Ekonomi. Fjalimi i ish-ministres është mbajtur më 25 mars të vitit 2021, kur ajo propozoi ndryshimin e marrëveshjes me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, me qëllim që kjo linjë kredie të mbulonte edhe riskun për huatë në sektorin e turizmit, si një fushë e prekur nga pandemia e Covid-19.Në marrëveshjen e re, qeveria shqiptare angazhohej që të financonte sërish total 36 milionë euro, ku 15 ishin dhënë nga Ministria e Bujqësisë, e cila do të shtonte edhe 15 të tjera, ndërsa Ministria e Turizmit do të jepte 6 milionë euro për të mbuluar kreditë në sektorin e turizmit.Linja e premtuar e kredisë për bujqësinë, bashkë me turizmin, mbetet sërish 180 milionë euro, po aq sa edhe në marrëveshjen e vitit 2016, por me një ndryshim të vogël, sepse këtë herë lejohej që të përfshihej edhe sektori i turizmit, por me një kusht: nuk mund të shkonte më shumë se 30 milionë euro e kësaj linje për turizmin, 150 do të duhej të ishte patjetër për bujqësinë dhe agropërpunimin por realisht përfunduan në xhepat e oligarkëve.Sipas përgjigjes që na erdhi, në total që nga nisja e skemës e deri më sot janë dhënë 160 milionë euro kredi për 6400 biznese. Pas kësaj letre, vjen edhe përgjigjja e Ministrisë së Bujqësisë, e cila konfirmon të njëjtat shifra, por pa dhënë emrat e kompanive përfituese. Dhe tani pak vëmendje, sepse këtu gjërat na bëhen të qarta. Në vitin 2021, kur marrëveshja u zgjerua për të financuar edhe sektorin e turizmit, apo për ta thjeshtuar, hotelet me 5 yje siç ka thënë edhe vetë kryeministri, kredia për sektorin bujqësor nga kjo linjë ishte 65.2 milionë euro për 6098 biznese. Tashmë afro 100 milionë euro (94.8 milionë euro fiks), gati dyfish e kësaj shume, nuk është ndarë në 6000 sipërmarrje, por në 302 të tilla, të gjitha për sektorin e turizmit!



















