Dr. Luljeta Kodra: Nga Auditori i UMSH-së në Tregun Dixhital, ja Strategjitë e Studentëve për Zhvillimin e Aftësive të Reja në Epokën e IA

    • Fakulteti i Drejtësisë dhe Shkencave Humane i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë organizoi Konferencën e IV-të Shkencore Studentore me temë “Nga Auditori në Tregun Dixhital: Strategjitë e Studentëve për Zhvillimin e Aftësive të Reja në Epokën e Inteligjencës Artificiale”

      Flet zëvendës dekania për kërkimin shkencor e fakultetit të Drejtësisë dhe Shkencave Humane Dr. Luljeta Kodra

      NOA

      E konsideroj sukses të padiskutueshëm realizimin e konferencës së IV-të Shkencore Studentore të organizuar për vitin akademik 2025-2026, në datë 29 prill 2026 nga Fakulteti i Drejtësisë dhe Shkencave Humane i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë me temë “Nga Auditori në Tregun Dixhital: Strategjitë e Studentëve për Zhvillimin e Aftësive të Reja në Epokën e Inteligjencës Artificiale”, jo vetëm për shkak të cilësisë së punimeve të referuara nga studentët, por edhe për numrin e lartë të studentëve pjesëmarrës në këtë konferencë. Numri i pjesëmarrësve në këtë konferencë dhe i punimeve të prezantuara prej tyre ishte më i lartë krahasuar me atë të konferencave të viteve të mëparshme akademike, gjë që tregon rritjen e interesit të studentëve për tu angazhuar me punime individuale në kërkimin shkencor.

      Pavarësisht se konferenca e IV-të Shkencore Studentore është iniciuar dhe organizuar nga Fakulteti i Drejtësisë dhe Shkencave Humane, fakultet që drejtohet nga profesor Ksenofon Krisafi dhe përbëhet nga katër departamente të cilat ofrojnë programe të ndryshme studimi në nivel Bachelor, Master professional dhe Master shkencor, përveç Programit të integruar 5-vjeçar në drejtësi, kemi bashkëpunuar me tre fakultetet e tjera të Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, fakultetin e Shkencave Mjekësore, fakultetin e Informatikës, dhe fakultetin e Shkencave Ekonomike, për të bërë të mundur realizimin e një aktiviteti shkencor studentor gjithëpërfshirës, në mënyrë që t’iu jepej mundësia e pjesëmarrjes me punimet e tyre shkencore të gjithë studentëve të interesuar nga të gjitha fakultetet e Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, nga të gjitha vitet dhe programet e studimit.

      Tashmë është viti i katërt që iu krijojmë studentëve mundësinë e një shkëmbimi mendimesh në nivel konference shkencore pas konferencave të organizuara në tre vitet e kaluara akademike, në të cilat fakulteti i Drejtësisë dhe Shkencave Humane realizoi me shumë sukses zhvillimin e konferencës së I-rë shkencore studentore “Studentët shqiptar përballë sfidave të së ardhmes së tyre europiane” 2022-2023, konferencës së II-të “Studentët në epokën digjitale” 2023-2024, konferencës së III-të “Inteligjenca artificiale dhe shoqëria” 2024-2025, të cilat ishin arritje në drejtim të kërkimit shkencor dhe përfshirjes së studentëve në aktivitete, jo vetëm për fakultetin Drejtësisë dhe Shkencave Humane por, për të gjitha fakultetet e Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë.

      Bazuar në këto përvoja dhe në vlerësimin e marrë nga ana e shumë studentëve për krijimin e mundësisë për pjesëmarrje në aktivitete të tilla shkencore studentore nga ana e fakultetit të Drejtësisë dhe Shkencave Humane si dhe për shkak të detyrave të mia si zëvendës dekane për kërkimin shkencor, në bashkëpunim me dekanin e fakultetit të Drejtësisë dhe Shkencave Humane profesor Ksenofon Krisafi dhe përgjegjësit e departamenteve të fakultetit të Drejtësisë dhe Shkencave Humane organizuam punën për zhvillimin e konferencës së IV-të shkencore studentore me temë “Nga Auditori në Tregun Dixhital: Strategjitë e Studentëve për Zhvillimin e Aftësive të Reja në Epokën e Inteligjencës Artificiale”.

      Nëpërmjet diskutimit, bashkëpunimit dhe mbështetjes maksimale nga ana e rektorit të Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë profesor Adrian Civici si dhe drejtuesve të departamenteve të fakultetit të Drejtësisë dhe Shkencave Humane, arritëm të formalizonim konferencën me një temë që do ti përshtatej dhe do t’iu krijonte mundësi pjesëmarrjeje studentëve të drejtimeve, programeve e niveleve të ndryshme të studimit.

      Pas hartimit të thirrjes së konferencës së IV-të shkencore studentore kam bashkëpunuar për disa muaj me drejtuesit e fakulteteve dhe departamenteve, me pedagogët udhëheqës të temave të diplomave master shkencor dhe kryesisht me pedagogët që japin mësim në programet e ofruara nga fakulteti i Drejtësisë dhe Shkencave Humane si dhe me studentët për arritjen e realizimit të kësaj konference. Puna me studentët, orientimi, mbështetja e tyre nëpërmjet komunikimeve online, nëpër sallat e leksioneve dhe komunikime individuale me ta për ti sensibilizuar për rëndësisnë e angazhimit dhe pjesëmarrjes në aktivitete të tilla shkencore, ka qenë fokusi im kryesor dhe ka dhënë këtë rezultat që kemi arritur në përfundim të punimeve të konferencës. Bazuar në punën dhe përkushtimin tonë arritëm që në konferencën e e IV-të Shkencore Studentore me temë “Nga Auditori në Tregun Dixhital: Strategjitë e Studentëve për Zhvillimin e Aftësive të Reja në Epokën e Inteligjencës Artificiale”, të merrnin pjesë 129 studentë dhe të paraqiteshin 124 punime.

      Numrin më të lartë të studentëve pjesëmarrës në konferencë për këtë vit akademik e përbënë

    Fakulteti i Informatikës u përfaqësua nga studentë të Inxhinierisë informatike, ndërsa fakulteti i Shkencave Ekonomike nga studentë të programit të studimit Bachelor në Administrim Biznesi.

    Duke e konsideruar punën me studentët si pasion përtej detyrimeve që unë kam si pjesëtare e stafit akademik të fakultetit të Drejtësisë dhe Shkencave Humane, aktualisht lektore në Departamentin e Drejtësisë dhe zëvendës dekane për kërkimin shkencor nëpërmjet përkushtimit tim dhe gjetjes së mbështetjes dhe vullnetit te studentët, kam bërë gjithmonë përpjekje për të realizuar në çdo vit akademik forma të reja dhe të ndryshme pune për të përmbushur interesat e studentëve në fushën e kërkimit shkencor si dhe për të bërë sa më interesant gjithë procesin mësimor që ata zhvillojnë në auditore duke iu krijuar mundësi njohjeje, kontakti dhe bashkëpunimi me institucionet në mënyrë që të dalin jashtë kornizave të procesit të përditshëm mësimor, si dhe t’iu krijohet mundësia për zhvillimin e praktikave mësimore në shumë institucione me të cilat kemi realizuar marrëveshje bashkëpunimi në nivel fakulteti dhe Universiteti.

    Në këtë mënyrë përveç organizimit të konferencës së IV shkencore studentore që është padiskutim aktiviteti më i rëndësishëm, kam arritur të realizoj me studentët gjatë vitit akademik 2025-2026 aktivitete të shumta si: Trajnimin e studentëve në institucionin e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi me temë Ligji “Për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe procedura e ankimit tek Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi”; Pjesëmarrjen e studentëve në leksionin e hapur me temë: “Një vështrim i përgjithshëm i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme” mbajtur nga Xhulia Karaj, Diplomate pranë Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme; Pjesëmarrjen e studentëve në Leksionin e hapur me temë “Kriza dhe sfidat e rendit aktual ndërkombëtar” mbajtur nga profesor Paskal Milo; Pjesëmarrjen e studentëve të Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë në Konkursin e Eseve organizuar nga Autoriteti i Konkurrencës me rastin Ditës ndërkombëtare të Konkurrencës; Pjesëmarrjen e studentëve në edicionin e II-të, të Ditës së Kërkimit Parlamentar, në ambjentet e Kryesisë së Kuvendit me temë “Roli i Parlamentit në Procesin e Anëtarësimit në BE”; Trajnimin e studentëve në Gjykatën e Lartë të Shqipërisë nëpërmjet një programi të strukturuar prezantimesh dhe takimesh informuese, me qëllim njohjen nga afër me funksionimin dhe veprimtarinë e kësaj gjykate; Diskutimin me Ambasadorin e Republikës së Kosovës në Tiranë Z. Skender Durmishi mbi Politikën e jashtme, Diplomacinë dhe Marrëdhëniet ndërkombëtare si dhe bashkëpunimin Kosovë-Shqipëri, në ambjentet e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Tiranë; Trajnimin e studentëve në institucionin e Autoritetit të Konkurrencës, me temë “Ligji “Për mbrojtjen e konkurrencës” dhe roli i Autoritetit të Konkurrencës”; Diskutimin e hapur të studentëve me temë “Kodi i ri penal domosdoshmëri për modernizimin e drejtësisë penale apo rrezik për cënimin e lirive themelore?” me profesor Arben Prifti; Diskutimin e hapur të studentëve me temë “Parimi i barazisë dhe mosdiskriminimit në administratën publike” me Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi Z. Robert Gajda; Trajnimin e studentëve në institucionin e Komisionerit për Mbikqyrjen e Shërbimit Civil mbi Ligjin “Për Nëpunësin Civil”, vështrim i përgjithshëm i procesit të mbikëqyrjes dhe procedurat e hetimit administrativ; Diskutimin e hapur të studentëve me temë “Modernizimi i Administratës Publike” me përfaqësueset e Shkollës Shqiptare të Administratës Publike; Takimin njohës e bashkëbisedues të studentëve të Masterave të fakultetit të Drejtësisë dhe Shkencave Humane me ish studentë të suksesshëm ALUMNI, për të diskutuar mbi përvojat dhe arritjet e tyre profesionale pas diplomimit në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë; Referime të projekteve të studentëve në fushën e të drejtës kushtetuese dhe të drejtës administrative, aktivitete në të cilat studentët e programeve të ndryshme të studimit të fakultetit të Drejtësisë dhe Shkencave Humane diskutojnë në mënyrë shumë profesionale dhe përfaqësojnë denjësisht fakultetin dhe Universitetin, etj

    Kam përzgjedhur dhe kam përfshirë si pjesëmarrës në këto aktivitete dhe takime kryesisht studentët më të talentuar dhe më të përkushtuar të fushave të drejtësisë, shkencave politike, marrëdhënieve ndërkombëtare, administratës publike, duke iu krijuar mundësinë që të thellojnë e të shprehin njohuritë sipas prirjeve dhe interesave të tyre.

    Konferenc e IV-të shkencore studentore “Nga Auditori në Tregun Dixhital: Strategjitë e Studentëve për Zhvillimin e Aftësive të Reja në Epokën e Inteligjencës Artificiale” i filloi punimet me një seancë madhështore të hapjes së konferencës të organizuar si çdo vit akademik nën kujdesin dhe me përkushtimin e administratorit të Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë profesor Ilir Hebovija dhe stafit që ai drejton.

    Rektori i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë profesor Adrian Civici, zv rektore profesore Nevila Rama, dekani i fakultetit të Drejtësisë dhe Shkencave Humane profesor Ksenofon Krisafi, Komisionere për Mbikqyrjen e Shërbimit Civil, Znj Lefterije Lleshi Luzi, mbajtën fjalën e tyre përshëndetëse para studentëve pjesëmarrës në konferencë, pedagogëve dhe të ftuarve, personalitete dhe drejtues e përfaqësues të institucioneve shtetërore partnerë të Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë.

    Më pas vijuan punimet sipas sesioneve të organizuara, për Shkencat juridike, Shkencat politike dhe Marrëdhënie ndërkombëtare, Shkencat e edukimit, Psikologji dhe Sociologji, Shkencat mjekësore.

    Temat e përzgjedhura dhe të referuara nga studentët ishin shumë interesante dhe ngjallën debate e diskutime. Do të veҫoja temat: “Drejtësia në epokën e algoritmeve: Roli i studentit të drejtësisë në mbrojtjen e autonomisë dhe etikës në tregun dixhital” referuar nga Mateos Shahinaj, “Integrimi i Inteligjencës Artificiale në sistemet e monedhës së programueshme: Analizë e mekanizmave të kontrollit, gjurmueshmërisë dhe kushtëzimit të transaksioneve” referuar nga Bora Metaj, “Bashkëpunimi Njeri–IA në tregun e ri të punës” referuar nga Esmiana Carkanji, “Njohja e personalitetit juridik kundrejt Inteligjencës Artificiale: domosdoshmëri normative apo sfidë për sistemin tradicional të së drejtës?”referuar nga Etual Hoxha“, Transformimi i komunikimit politik në epokën e Inteligjencës Artificiale” referuar nga Damiana Losha, “Integrimi i studentëve në tregun digjital” referuar nga Emi Omari, “Inteligjenca Artificiale dhe e drejta si instrument pushteti: A po riformatohet balanca mes individit dhe shtetit?” referuar nga Abel Brahusha, “Arsyet se pse kreativiteti, mendimi kritik dhe etika janë më të rëndësishme se kurrë në një botë të automatizuar”, referuar nga Raisa Osmani, “Ndikimi i të drejtave të njeriut nga zhvillimi i inteligjencës artificiale” referuar nga Elena Huna, “Njeriu përballë Inteligjencës Artificiale: Midis progresit teknologjik dhe përgjegjësisë etike në shoqërinë e së ardhmes” referuar nga Eglantina Ndraçi etj.

    Punimet e plota të studentëve të paraqitura në konferencë pas përzgjedhjes nga komiteti shkencor, do të botohen në një numër të veçantë të Revistës shkencore POLITEIA, Revistë shkencore për studime juridike, sociale dhe politike, botim i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë.

    Dua të shpreh mirënjohjen time për të gjithë studentët pjesëmarrës të konferencës si dhe për profesorët e nderuar të Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, të cilët me shumë përkushtim kontribuan në orientimin dhe përgatitjen e studentëve për tu paraqitur në mënyrë dinjitoze, me punime të mirëfillta shkencore në këtë konferencë, veçanërisht Ela Tollkuci, Elsida Sinaj, Fatjona Toska, Morena Citozi, Svetllana Bitincka, Besa Hyseni, Gazmir Gjoni, Ariana Pojani. Mirënjohje dhe shumë vlerësim për studenten ekselente të vitit të IV-të të Programit të Integruar 5-vjeçar në Drejtësi, Ambra Kallari, që ka qenë bashkëpunëtorja ime kryesore në organizmin e punës dhe mbajtjen e kontakteve me studentët.