Ja si grabiten turistët në Shqipëri

301
Sigal

Dhjetra hotele në qytetin e Durrësit, u vendosin turistëve të huaj dhe atyre nga trevat shqiptare, në faturën e hotelit edhe Taksën e Qytetit” e cila varion nga 2.5 deri në 5 euro, për 1 person

 

Taksa e qytetit në faturën e hotelit, surprizon turistët në plazhin e Durrësit

“Taksa mashtruese e qytetit” është hasur në disa hotele, ku konkretisht këto të fundit kërkojnë që secili pushues të paguajë një taksë, e cila varion nga 2.5 deri në 5 euro në ditë, për një person, i cili zgjedh të pushojë në këtë vijë bregdetare

Situata e rëndë ekonomike, pas përballimit me pandeminë e shkaktuar nga virusi COVID-19 dhe më herët nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019, i cili shkaktoi dëme të konsiderueshme qoftë në aspektin ekonomik, apo dhe atë infrastrukturor, ka nxitur disa operatorë turistikë në vijën bregdetare të plazhit të Durrësit, që të krijojnë taksa jo të konsultuara më parë me autoritetet shtetërore e aq më pak të zyrtarizuara prej tyre pёr turistët për të përfituar të ardhura më të larta, me pretekstin se këto taksa janë shtuar nga Bashkia Durrës dhe se qytetarët duhet t’i paguajnë si “Taksë qyteti”. Problemi i kësaj “takse” është hasur në disa hotele, ku konkretisht këto të fundit kërkojnë që secili pushues të paguajë një taksë, e cila varion nga 2.5 deri në 5 euro në ditë, për një person i cili zgjedh të pushojë në këtë vijë bregdetare. Hallka tjetër e këtij shqetësimi qëndron se shumicës së pushuesve, kjo vlerë u bëhet me dije vetëm kur është kryer rezervimi dhe pasi është bërë pagesa e hotelit, në momentin që paraqiten në hotel, u thuhet se ekziston dhe një taksë që paguhet në varësi të numrit të anëtarëve dhe ditëve që do të qëndrojnë në këtë hotel. (Taksat rezultuan fiktive pas konfirmimeve të kryera me institucionet përkatëse dhe Departamenti i Krimit Ekonomik të cilët në rrugë konfidenciale konfirmuan shkeljen e kryer nga biznesi përkatës, duke kërkuar që qytetari, i cili ka dërguar faturat, të bënte një denoncim me fotot e siguruara prej nesh. Jo pak qytetarë e kanë gjetur veten të papërgatitur për këtë veprim të kryer nga operatorët turistikë teksa kanë zgjedhur të pushojnë në bregdetin e Durrësit. Bardhyl Shahu është një ndër qytetarët, i cili ka rënë preh e këtij mashtrimi nga një prej operatorëve turistikë, të cilët operojnë në vijën bregdetare të plazhit të Durrësit. Ai shpjegon për Porta Vendore se rezervimin dhe pagesën e hotelit e ka kryer online disa javë përpara se të vinte në Shqipëri për të kaluar pushimet me familjen.

Kisha kryer rezervimin në hotel që nga Londra, nëpërmjet faqeve online dhe kisha bërë një pagesë prej 400 paundësh për 9 ditë qëndrimi në këtë hotel. Jemi 4 persona, unë, bashkëshortja dhe dy fëmijët. Në momentin që arrij në Shqipëri telefonoj hotelin që të konfirmoja orarin. Kur mbërrij në hotel u hasa më këtë “Taksë qyteti”, e cila më kërkonte 90 euro për 9 ditë qëndrimi, përkatësisht nga 2.5 euro për person, për një ditë qëndrimi. U detyrova ta paguaja pasi kam ardhur me pushime pas shumë vitesh në Shqipëri dhe për 9 ditë që do të kaloja nuk doja të bëja denoncim për të cilin të detyrohesha të ndërroja hotel më pas, sepse nëse do e dërgoja deri në polici çështjen, situata nuk do të ishte më aspak e këndshme për të vazhduar qëndrimin”, -shprehet pushues Bardhyl Shahu.

Fatura fiktive për pushuesit, “City Tax”

Porta Vendore u sigurua që për rastin në fjalë të kontaktojë Bashkinë Durrës për të pyetur më shumë në lidhje me taksat që hotelet i detyrohen Bashkisë Durrës, dhe nëse ka një taksë të tillë të shtuar për turistët. Ajo që Bashkia Durrës konfirmon, është se kjo taksë nuk ekziston dhe është vetëm një formë spekulative për të vjedhur pushuesit që zgjedhin qytetin e Durrësit, duke i shkaktuar dëm turizmit dhe duke ftuar qytetarët, të cilët hasen me këto lloje problematikash, që të denoncojnë në polici. Sakaq, Bashkia Durrës ka nisur punën për të marrë masa në lidhje me shkeljet e tilla në mënyrë që ato të mos përsëriten. Vetë Drejtori i Departamentit të Taksave dhe Tatimeve Vendore, bashkë me zëdhënësin e Bashkisë Durrës, Z. Dori Agolli, janë shprehur në këtë formë pasi Porta Vendore ka pyetur dhe venë në dijeni për situatën.

Në vijim të zbardhjes së plotë të asaj çfarë po ndodh me turizmin, Porta Vendore kontaktoi Z. Luan Dajko, me funksion Drejtor i Departamentit të Taksave dhe Tatimeve Vendore në Bashkinë e Durrësit, për të na shpjeguar më shumë në raport me taksat që i detyrohen operatorët turistikë Bashkisë Durrës dhe nëse ka ndryshim të tyre. Luan Dajko u shpreh i gatshëm të shpjegojë për Porta Vendore se këtë vit Bashkia Durrës ka marrë masa për t’i krijuar mundësi dhe shanse biznesit për shkak të fatkeqësive që kaluan, problemeve, të cilat janë reflektuar në buxhetin e bashkisë, pasi borxhi i hoteleve ndaj saj është mjaft i madh. “Me 54 km vijë bregdetare, kemi të bëjmë me biznese, të cilat ushtrojnë aktivitet përgjithësisht sezonal. Ne e kemi parë biznesin si partner pavarësisht borxhit, jemi përpjekur t’i ndihmojmë. Bashkia Durrës ka taksat dhe tarifat më të ulëta në numër dhe në vlerë. Një shembull që mund t’u jap është ai i taksës së pastrimit të cilën ne e kemi në një vlerë 20.000 lekë të reja në vit, në një kohë që në Lushnje është 35.000 lekë të reja. Pra pavarësisht problemeve që kemi, jemi munduar që as tarifën e rërës të mos e ngremë duke e lënë 350 lekë të reja për metër/katror, për t’i krijuar mundësi edhe qytetarëve që duan të pushojnë. Të gjithë hotelet paguajnë pastrimin vjetor që kushton 20.000 lekë të reja në vit dhe 1.000 lekë të reja për dhomë në vit, e thënë ndryshe, duke e pjesëtuar me 100 ditë, pra tre muaj të sezonit veror, i bie afërsisht rreth 10 lekë të reja në ditë për bashkinë. Taksa e fjetjes në hotel për hotelet me 4 yje e poshtë, është 140 lekë shtrati për natë. Nëse bëjmë një llogari për të sqaruar opinionin publik, të mbledhura në total të gjitha taksat nuk e kalojnë vlerën e 2.5 euro për një dhomë, ndërkohë që çmimet janë 40 euro për dhomë nga hoteli, taksat tona janë vetëm 2.5 euro”, u shpreh Dajko për Portën Vendore.

Luan Dajko ka sqaruar më tej se në varësi të numrit të yjeve të hotelit, numrit të shtretërve dhe strukturës akomoduese, hoteleve u jepet nga ministria një “çmim tavan” të cilin këto hotele e publikojnë kudo. Gjithashtu taksa e vendosur nga hoteli kalon vlerën prej 2.5 eurosh që kërkon bashkia dhe rezulton që kjo taksë të jetë 7.5 euro, çfarë do të thotë se nuk përputhet me shifrën e përmendur edhe nëse duhet paguar më vete. I pyetur në lidhje më situatën ku operatorët turistikë kërkojnë taksa të tjera pushuesve me pretekstin që këto janë taksa të shtuara nga Bashkia Durrës, Z. Luan Dajko sqaroi se nuk ka asnjë lloj ndryshimi në vlerë dhe në numër të taksave që këto operatorë paguajnë, çdo taksë kalon në mbledhje të Këshillit Bashkiak përgjatë gjithë vitit dhe nuk ndryshohen paketat fiskale gjatë vitit. Tarifat sipas tij përcaktohen që në dhjetor, niveli dhe numri i tyre, duke mbetur i pandryshueshëm përgjatë gjithë vitit. Abuzimi me çmimet ka arritur deri aty sa në qytetin e Durrësit në disa plazhe, si në zonën e Kallmit, duhet të paguash edhe bileta fiktive të vendosura nga lokalet të cilat ndodhen në atë territor, me vlerë mbi 5000 lekë të reja, për të bërë foto në plazh, bileta e të cilave shkruan se shërbimi është “Foto+ Xhirime për nuse”, por që kjo biletë u jepet dhe qytetarëve nga kamarieri i lokalit në momentin që shfrytëzohet pamje e plazhit, jashtë bizneseve dhe lokaleve.

Për të gjitha këto problematika Porta Vendore ka kontaktuar Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës dhe sallën e saj operative, e cila tha se nuk ka pasur denoncime të tilla, por u shprehën të gatshme t’i përgjigjen çdo denoncimi të kësaj natyre, duke treguar se për sa i përket faturave fiktive që lëshohen, ato shqyrtohen nga policia dhe agjentët e Krimit Ekonomik për të verifikuar shkeljet dhe për të ndjekur më tej problematikën, duke gjobitur dhe marrë çdo masë ligjore të nevojshme për parandalimin e vjedhjeve të tilla, por gjithashtu u bëjnë thirrje qytetarëve për të bërë denoncim në raste të tilla, pasi pavarësisht kontrolleve nga instancat përkatëse, taksat fiktive, nuk deklarohen kurrë nga hotelet duke bërë të vështirë identifikimin e tyre. Pas referimit të rastit nga Porta Vendore janë marrë dhe masa duke ushtruar kontrolle nëpër hotele të ndryshme.

  Aldo Mustafa/ Porta Vendore/ Durrës