Italia ofron 30 mijë vende pune sezonale. Ja pagat dhe profesionet e kërkuara

696
Sigal

Sipas dekretit të flukseve 2019, në Itali vihen në dispozicion 30 mijë kuota për punë të varur sezonale të punonjësve të huaj, ndër të cilat edhe shqiptarët, si dhe konvertime lejesh të ndryshme qëndrimi në leje pune, së të huajve tashmë rezidentë në Itali. Ky informacion u dha, në një intervistë me Radion Radikale, nga ministri i Brendshëm, Matteo Salvini, i cili konfirmoi të njëjtat kuota të vitit të shkuar, raporton Monitor. Megjithatë, vitin e shkuar shifra e saktë ishte 30 850 kuota, ndërsa këtë vit shifra është dhënë me përafërsi, duke qenë se nuk është botuar ende në Fletoren Zyrtare. Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme Italiane, 30 000 kuotat janë të ndara përafërsisht si më poshtë:

– 18.000 për punonjës sezonale për sektorin bujqësor dhe atë turistik (2.000 nga këto u rezervohen autorizimeve shumëvjeçare). Punonjësit mund të jenë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia, Algjeria, Bosnja-Hercegovina, Koreja, Bregu i Fildishtë, Egjipti, El Salvadori, Etiopia, Filipinet, Gambia, Gana, Japonia, India, Mali, Maroku, Mauricius, Moldova, Nigeri, Nigeria, Pakistani, Senegali, Sri Lanka, Sudani, Tunizia, Ukraina.

– 500 hyrje për punonjës të huaj jo sezonalë që kanë përfunduar programe formimi dhe shkollimi në vendlindje sipas nenit 23 të tekstit unik për imigracionin;

– rreth 100 punonjës të pavarur apo të varur jo sezonale me origjinë italiane (pasardhës deri të shkallës së tretë) rezidentë në Argjentinë, Uruguai, Venezuelë dhe Brazil;

– rreth 3000 hyrje për punonjës të pavarur: sipërmarrës që duan të hapin aktivitetin privat në Itali apo profesionistë, administratorë shoqërish, artistë të famshëm.

Për të gjitha llojet e hyrjeve dhe konvertimeve, do të mund të paraqiten kërkesa deri në 31 dhjetor 2019.