Kryeparlamentari Ruçi: Standardet dhe detyrimet për të drejtat e fëmijëve nuk janë realizuar

526
Sigal

Grupi i deputetëve “Miqtë e fëmijëve”, në drejtimin e Kryetarit të Kuvendit dhe Kryetar i Grupit, Gramoz Ruçi, shqyrtoi Raportin e pestë periodik mbi zbatimin e Konventës së OKB për të drejtat e fëmijëve. Kryetari i Kuvendit bëri disa sugjerime: Raporti duhet të nxjerr qartësisht në pah cilat standarde e detyrime për të drejtat e fëmijëve nuk janë realizuar.

Prandaj i kërkoj Grupit Ndërministror të Punës të reflektojë me kujdes çështjet më problematike dhe të drejtat e parealizuara të fëmijëve. Gjetjet e Raportit duhet të ballafaqohen më mirë me Konventën për të Drejtat e Fëmijëve. Si dhe sa duhet të kufizohet koha që fëmijët ndjekin teknologjinë dhe ekranet, në favor të kohës për lojëra, lexime apo jetës së gjallë me njeri-tjetrin? Si dhe sa duhet të kufizohet lundrimi i fëmijëve në botën virtuale në favor të “zbritjes” së tyre në botën reale?

Si duhet që shkolla shqiptare të harmonizojë përdorimin e teknologjisë moderne me metodat tradicionale, të cilat mundësojnë dhe edukojnë dije e norma të qëndrueshme? Si mund të kufizojmë format e rënda të punës së fëmijëve, përfshirë të lypurit e detyruar, dhe të bindim veten, shoqërinë dhe institucionet se fëmijët janë konsumatorë dhe jo prodhues të të mirave materiale, janë përfitues dhe jo sponsor të sistemit tonë të mirëqenies?