Italia dhe Greqia diskiminojnë shqiptarët

    Një dyndje kthimesh të emigrantëve, do të sjellë një papunësi të madhe që nuk do të jetë as në interes të qeverisë “Rama”, as në interes të vetë emigrantëve

    Vetë Kryeministri Rama dhe ministrat e tij, kohët e fundit kanë marrë shumë takime me zyrtarë të lartë të dy vendeve fqinjë Greqi dhe Itali. Por në takimet e tyre ata më shumë kanë këmbëngulur në investimet e investitorëve të këtyre dy vendeve në atdheun tonë, se sa në problemet e emigrantëve tanë. Konkretisht në tre ditët e fundit në Greqi dhe Itali kanë  ndodhur zhvillime interesante që janë kundër emigrantëve tanë. Në Bergamo të Italisë, emigrantët tanë, për të marrë një certifikatë, për bashkim familjar tashmë duhet të paguajnë 500 euro nga 35 euro që ishte në vitin 2011. Pra afërsisht 15 herë më shumë. Kjo masë shtrënguese, bën atë që emigrantët në mos në një mënyrë, në një tjetër të largohen. Për më tepër vetë Kryetari i Komunës në Bolgare, të provincës së Bergamos deklaron se:  “Kemi shpenzime të tepruara për kriminalitetin, është e drejtë që të paguajnë të huajt. Asnjë nuk i detyron të qëndrojnë”. E gjithë kjo deklaratë bie ndesh me politikat emigratore të shtetit italian, por edhe vetë të politikave emigratore të BE-së. Kjo shumë është e barabartë me një të tretën e punës mujore të një emigranti. Aktualisht në Itali ka afërisht 300 mijë emigrantë, nga 332 mijë që ishin në vitin 2011. Ky numër është kthyer për shkak të krizës ekonomike që po ndodh në këtë shtet. Nëse do të marrim parasysh edhe këto ligje të reja të bashkive apo komunave, mendohet se, deri në fund të vitit 2014 do të kthehen dhe 50 mijë emigrantë nga Italia. Ky kthim në këtë periudhë do të jetë barrë e rëndë për shtetin shqiptar, i cili me këtë papunësi, nuk mund të përballojë dhe një numër të tillë emigrantësh, të cilët janë mësuar me një jetesë më të mirë në Itali. E njëjta gjë po ndodh dhe në Greqi. Madje, mund të thuhet se në këtë vend politikat emigratore për emigrantët tanë janë përkeqësuar. Në Parlamentin grek ditët e fundit u diskutua Kodi i Emigracionit dhe Integrimit Social ku me këtë ligj emigrantët dalin në mes të rrugës. Kushtet e reja janë të pa arritshme

    NOA

    Diskutohen njësitë e reja të shërbimit, vota e emigrantit dhe nënshtetësia, por lihen pas dore se kur dhe si do të merren apo do të rinovohen lejet për ata që nuk kanë mundur të sigurojnë ditët e sigurimeve shoqërore në punë. Njëkohësisht ndryshojnë kushtet dhe kriteret për marrjen e Lejes Afatgjatë me të drejtë punësimi në BE.

     Mbi të gjitha në këtë ligj përfshihet një dispozitë tranzitore, për të përballuar situatën e re të krijuar nga kriza e thellë ekonomike, sipas së cilës: Emigrantët e punësuar më parë në mënyrë të ligjshme për disa vite, por nuk kanë tani ensima-ditë pune, të mbeten të legalizuar për një periudhë kohore vetëm me paraqitjen e librit të shëndetit.  Kjo periudhë kohore nuk është vendosur akoma, -thekson sekretari i Përgjithshëm i Emigracionit në ministrinë e Brendshme, Aggelos Sirigos. Por emigrantët që kanë humbur lejen e qëndrimit për mungesë të kontratës së punës dhe ensimave, përkohësisht do të pajisen me statusin e lejeve të qëndrimit për arsye të veçanta-humanitare. Dispozitat ligjore eliminojnë ankthin e paligjshmërisë, të paktën për emigrantët që kanë punuar shumë vite në Greqi. Ja statistikat e fundit të emigrantëve në Greqi:

    Statistikat e fundit

    -540.000 janë emigrantët e pajisur me leje qëndrimi

    -160.000 janë kërkesat për rinovim të lejes së qëndrimit

    -80.000 janë nxënësit e huaj në arsimin fillor dhe të mesëm, sipas të dhënave, më shumë se gjysma e tyre janë të ligjshëm në Greqi.

    -10.000 janë kërkesat për leje qëndrimi për Arsye të Veçanta-Humanitare, nga viti 2012 e deri tani. Komisionet e ngritura në Sekretarinë e Përgjithshme të Emigracionit kanë shqyrtuar 7.600 kërkesa, kanë pranuar gjysmat e tyre. Pra këto probleme duhet të ngrinte ministri i Jashtëm Ditmir Bushati në vizitën zyrtare në Greqi, se sa të lëvdohej për frymën e re të bashkëpunimit dhe të marrëdhënieve të shkëlqyera. Ende të drejtat e emigrantëve tanë në Greqi po shtypen në mënyrë të padrejtë dhe të gjitha qeveritë shqiptare kanë heshtur përballë këtyre padrejtësive. Është koha jo për konstatime, por për bashkëpunim ndërqeveritar në interes të emigrantëve. Një dyndje kthimesh të emigrantëve, do të sjellë një papunësi të madhe që nuk do të jetë as në interes të qeverisë “Rama”, as në interes të vetë emigrantëve.

    ITALI/ “Përshtatshmëria e strehimit”  deri në vitin 2011 kushtonte 35 euro

     Super-taksa legiste mbi emigrantët: Do bashkim familjar paguaj 500 euro

    Në Bolgare, të provincës së Bergamos, kryetari i komunës dhe këshilli komunal kanë vendosur të ngrenë në qiell çmimin e certifikatës. “Kemi shpenzime të tepruara për kriminalitetin, është e drejtë që të paguajnë të huajt. Asnjë nuk i detyron të qëndrojnë”.

    – Certifikata e përshtatshmërisë së strehimit, italisht “idoneità alloggiativa” është një prej atyre dokumenteve që u vështirësojnë jetën të huajve në Itali. Duhet ta kërkojnë në komunë, për shembull, të gjithë ata që kërkojnë të bëjnë bashkimin familjar e të sjellin në Itali gruan e fëmijët, apo ata që kërkojnë kartën e qëndrimit.

    Edhe pse Këshilli i Shtetit ka shpjeguar se është e paligjshme, disa Komuna e kërkojnë edhe për regjistrimin e të huajve në regjistrat e Gjendjes Civile. Si Bolgare, një fshat me rreth 6 mijë banorë, një mijë prej të cilëve janë imigrantë, e rreth 20 kilometra nga Bergamo. Kryetari i Bashkisë Luca Serughetti, të gjithë drejtorët e drejtorive të komunës dhe njëmbëdhjetë këshilltarë komunalë, nga gjashtëmbëdhjetë gjithsej, janë të Legës së Veriut. Gjetja e fundit  kësaj administrate legiste është një supertaksë mbi imigrantët. Një vendim i miratuar më 15 janar ka përditësuar koston për lëshimin e certifikatës së përshtatshmërisë së strehimit duke e çuar në 500 (po, po e lexuat saktë, pesëqind) euro. Dhe nuk është herë e parë që ngrenë këtë çmim që deri në vitin 2011 kushtonte 35 euro, që e njëjta administratë e kish ngritur në 150 euro.

    Për të kuptuar sa e tepruar është, mjaft të mendosh që në Romë, një certifikatë e tillë kushton rreth 30 euro (17 herë më pak se në Bolgare). Apo që, po në komunën e Bolgares kush kërkon në zyrën teknike leje për të ndërtuar një apartament paguan vetëm 280 euro, diçka më shumë se gjysma e parave që duhet të nxjerrë i huaji nga xhepi vetëm për të pasur një copë letër që dëshmon se shtëpia ku banon është e përshtatshme për të jetuar ai e familja e tij. Serughetti & Co kanë dashur t’u rëndojnë imigrantëve? Po, pa asnjë dyshim. Siç konfirmohet në vendimin e marrë. Mes premisave, në fakt, në dokumentin zyrtar citohen “disa episode mikrokriminaliteti e keqbërësish” të verifikuara muajt e fundit, që kanë detyruar personelin komunal të ndërmarrë “ndërhyrje, kontrolle dhe verifikime të kushtueshme”, që kanë kërkuar “forca”, “përdorim energjish fizike e mendore” dhe “ndërhyrje për sistemimin e pasurisë shtetërore të dëmtuar”. Të gjitha janë gjëra që rëndojnë mbi arkat e komunës, me shpenzime që u ngarkohen në kurriz “të gjithë qytetarëve”. Por administrata komunale ka një ide gjeniale: “të kufizojë të paktën pjesërisht këtë barrë, duke konsideruar të drejtë t’ia ngarkojë pjesërisht individëve jokomunitarë që kërkojnë të regjistrohen në regjistrat e popullsisë së komunës, duke u kërkuar atyre si “të drejta sekretarie” t paguajnë shumën 500 euro për lëshimin e certifikatës së përshtatshmërisë së strehimit të nevojshme për regjistrimin e sipërpërmendur”. A e kuptoni arsyetimin legist? Një keqbërës ka thyer stolin në park? Një tjetër ka bërë pis fasadën e një pallati? Ndonjë kriminel i panjohur ka shkulur një sinjal rrugor? Dëmin duhet ta paguajnë imigrantët e ndershëm. Dhe me qëndrim të rregullt, natyrisht, të tjerët nuk mund të kërkojnë certifikatën e përshtatshmërisë së strehimit. Nuk nevojitet të jesh avokat i zoti për të kuptuar që vendimi i Komunës së Bolgares është mëse diskriminues dhe që me ankimimin e parë në gjykatë do të hidhet poshtë. Por vështirë që këta administratorë “mendjendritur” t’u kthejnë mbrapsht të huajve paratë që po u marrin padrejtësisht, e akoma më vështirë t’u paguajnë edhe dëmshpërblim për shqetësimin e krijuar. Ndërkaq, kryetari i Komunës, Serughetti, ngazëllehet për idenë madhështore. Dhe shtypit lokal që e pyet duke hipotezuar se në këtë mënyrë imigrantët mund të largohen përgjigjet pa iu dridhur qerpiku: “Nuk detyrojmë asnjë të qëndrojë. Nuk jemi një qendër tregtare që duhet të krijojë kushtet më të mira për klientët e vet. Duam vetëm të garantojmë kushtet më të mira për qytetarët tanë”.

    Elvio Pasca

    GREQI/ Në Parlament, Kodi i Emigracionit dhe Integrimit Social

    -Emigrantët në mes të rrugës, kushtet e reja të paarritshme

    -Diskutohen njësitë e reja të shërbimit, vota e emigrantit e nënshtetësia

     -Sot në Greqi emigrantët me leje qëndrimi në fuqi janë 473.124

    -Ndryshojnë kushtet dhe kriteret për marrjen e Lejes Afatgjatë me të drejtë punësimi në BE.

     -Si do të rinovohen lejet 10-vjeçare, pa afat

     Paralelisht me diskutimet e ashpra rreth votës së emigrantit dhe nënshtetësisë së brezit të dytë vazhdon dhe procedura e miratimit të Kodit të Emigracionit dhe Integrimit Social.

    Ndërkaq, ligji i ri për nënshtetësinë, sipas deklaratave të zv.ministrit L. Grigorakos, është gati, në tryezën e Kryeministrit A. Samaras dhe zv.kryeministrit E. Venizelos dhe se votimi në parlament është tashmë një vendim politik.

    Ligji për trajtimin-përballimin e fenomeneve raciste, megjithëse ka kaluar nga komisioni kontrollues parlamentar, korrektimet janë në fazën e fundit, por pa asnjë deklaratë zyrtare procesi ka “ngrirë” duke mos lejuar kalimin në fazën finale, për diskutim në Parlament.

    Përsa i përket të drejtës së votës dhe të zgjedhjes në Zgjedhjet Lokale, institucione sociale dhe kushtetuese kanë bërë referatet e radhës në komisionin kompetent, bazuar në vendimin e Këshillit të Lartë të Shtetit, sipas të cilit kjo e drejtë konsiderohet antikushtetuese. Opozita këmbëngul se qeveria mjaftohet me një vendim të StE pa kërkuar zgjidhje alternative si dhe në çdo rast mbart përgjegjësinë e plotë për situatën pa rrugëdalje të nënshtetësisë së brezit të dytë të emigrantëve. Sipas diskutimeve të fundit, me amendamentin e miratuar kanë humbur të drejtën e votimit 10.800 shtetas të huaj, emigrantë në Greqi.

    Shifra

    Me statistika reale ka folur zv.ministri i Brendshëm për emigracionin në Parlament. Sipas L. Grigorakos, emigrantët me leje qëndrimi në fuqi sot në Greqi janë 473.124. Nga ky numër, 232.000 banorë të Atikës, pjesa tjetër Selanik e Halkidiki. Si dhe është referuar në lehtësimet e procedurave që ofron Kodi i ri.

    Ndër të tjerat, Kodi do të zbatohet në qendrat e reja të shërbimit të emigrantëve, me një stacion, të cilat kanë filluar funksionimin nga data 28 dhjetor 2013, pavarësisht problemeve të shumta dhe radhëve të gjata, akoma dhe thuajse dy muaj më pas.

    -Do të rishqyrtohen të gjitha kushtet e punësimit, dokumentet e kërkuara për punësim me kon¬tratë.

    -Ndryshojnë kushtet dhe kriteret për marrjen e Lejes Afatgjatë (leje qëndrimi 5-vjeçare me të drejtë punësimi në BE).

    -Sigurohet qëndrimi i ligjshëm për emigrantët e brezit të dytë-sa janë lindur në Greqi ose kanë ndjekur arsimin fillor, të mesëm në Greqi.

    ***

    Brezi i dytë

    -Të favorizuar do të jenë fëmijët e emigrantëve, të lindur apo të rritur dhe të edukuar në Greqi. Vërtet kanë humbur të drejtën e nënshtetësisë greke, me anulimin e Kodit të Nënshtetësisë, por me Kodin e ri të Emigracionit marrin statusin e Lejes Afat¬gjatë, me të drejtë zbatimi brenda territorit grek. Paralelisht, do të lehtësohet ndjeshëm rinovimi i lejeve të qëndrimit, në një farë mënyre, do të sigurohet qëndrimi dhe punësimi i ligjshëm për të rinjtë emigrantë. Kjo kategori në veçanti, si dhe më delikate, mund të jetë në qendër të diskutimit dhe në vijim, për vendime të tjera ministrore, nga të cilat do të fitojnë më shumë të drejta.

    Të sapoardhurit

    -Me procedura të shpejta do të bëhet përshtatja e statusit dhe punësimit të emigrantëve të rinj. Planifikimi do të bëhet nga boshti qendror dhe jo duke u përqendruar në zonat periferike, për të patur nën kontroll kërkesat e plota të tregut ekonomik të Greqisë dhe zonave me kërkesa të larta për krahë pune. Procedura parashikohet të jetë e shpejtë dhe me shumë elasticitet.

    Fast Track

    “Fast Track” lejet e qëndrimit për çdo lloj investimi, veçanërisht për ato strategjike me mbi 100.000.000 euro, në pasurinë e palëvizshme mbi 250.000 euro.

    *

    Rinovim EDHE PA ENSIMA

    Adoptim urgjent në kushtet e krizës ekonomike i dispozitave ligjore që lejojnë rinovimin e lejeve të qëndrimit për emigrantët që janë prej vitesh në Greqi, tashmë të papunë dhe pa shpresë punësimi në periudhën e afërt kohore. Kjo kategori, siç premton Kodi i ri, nuk do të lejohet të mbetet e palegalizuar.

    *

    Lamtumirë burokraci (?)

    Kategoritë e lejeve të qëndrimit nga 50 që janë sot në fuqi do të kufizohen në 19. Paralelisht, anulohen rreth 20 dokumente që kërkohen për rinovimin e lejeve të ndryshme të qëndrimit.

    ***

    Rinovimi i LEJES 10-VJEÇARE- lejes PA AFAT

    Si do të rinovohen lejet 10-vjeçare, pa afat, ishte një nga pyetjet që ka marrë përgjigje në diskutimin e të mërkurës, 18 dhjetor. Sipas Ministrisë së Brendshme, këto leje qëndrimi do të zëvendësohen gjatë rinovimit me lejen afatgjatë (5-vjeçare). Emigrantët NUK do të pajisen më me një status të tillë, me hyrjen në fuqi të Kodit të Ri të Emigracionit. Nëse disponuesit nuk plotësojnë kushtet për Lejen Afatgjatë, atëherë do të pajisen me lejen 3-vjeçare.

    ***

    Kodi i ri i Emigracionit NUK është ligji për nënshtetësinë

    Në fakt, janë dy ligje të ndryshëm, edhe pse një disa kategori të caktuara mund të përfitojnë nga disa nene përkatëse. Ligji për nënshtetësinë ndodhet akoma në sirtarët e ministrisë, drejt formulimit dhe përpunimit. Nga ministria e Brendshme duket të jenë të qarta gjërat, madje nënministri i Brendshëm, Leonidhas Grigorakos, gjatë prezantimit të risive të Kodit të ri të Emigracionit u referua hapur në kuadrin ligjor si i posaçëm për emigracionin: “Tjetër gjë është ligji i nënshtetësisë. Brezi i ri i emigrantëve pajiset me një leje qëndrimi Afatgjatë, si dhe prindërit e tyre, një status që ofron lehtësira në studimet e tyre, ndjehen më mirë gjatë edukimit shkollor. Nuk ka nevojë të paraqiten çdo një apo dy vjet për të rinovuar lejen e qëndrimit, ndërsa kanë kohë të vendosin nëse duan apo jo të qëndrojnë përgjithmonë në Greqi. Kur të mbushin moshën 18 vjeç janë të lirë të plotësojnë dokumentet përkatës për t’u bërë shtetas grekë”, – ka theksuar Grigorakos.

    ***

    Statistikat e fundit

    -540.000 janë emigrantët e pajisur me leje qëndrimi

    -160.000 janë kërkesat për rinovim të lejes së qëndrimit

    -80.000 janë nxënësit e huaj në arsimin fillor dhe të mesëm, sipas të dhënave, më shumë se gjysma e tyre janë të ligjshëm në Greqi.

    -10.000 janë kërkesat për leje qëndrimi për Arsye të Veçanta-Humanitare, nga viti 2012 e deri tani. Komisionet e ngritura në Sekretarinë e Përgjithshme të Emigracionit kanë shqyrtuar 7.600 kërkesa, kanë pranuar gjysmat e tyre.

    ***

    Emigrantët e Paligjshëm – Bashkimi familjar – testi ADN

    Nuk ofron shanse legalizimi Kodi i ri i Emigracionit. Shumë e vështirë duket mundësia e një fushate të re legalizimi, siç është vepruar vitet e kaluara, për emigrantët që nuk kanë asnjë dokument vërtetues qëndrimi në Greqi. Njëkohësisht, dispozitat e reja në lidhje me Bashkimin Familjar janë shumë më të rrepta.

    Nga ministria e Brendshme janë të qartë, pa lënë vend për keqkuptim: Kodi i ri i Emigracionit i drejtohet ekskluzivisht emigrantëve të LIGJSHËM në vend, të cilët janë pajisur qoftë edhe njëherë të vetme me leje qëndrimi. Emigrantët e paligjshëm nuk kanë asnjë lloj leje qëndrimi apo vërtetim, qëndrojnë në territorin grek në mënyrë të paligjshme, prandaj dhe kodi nuk zbatohet për këto raste. Kjo kategori do të ketë vetëm DEPORTIM.

    Për më tepër, nuk do të ketë shans RI-Legalizimi për emigrantë që tashmë kanë mbetur pa dokumente, siç janë dhënë disa herë në vitet e kaluara (zakonisht me miratimet e vendimeve të reja). Përkundrazi, dispozitat e reja ligjore bëhen më të rrepta për çdo kërkesë legalizimi, ndërsa më të rrepta do të jenë kriteret për procedurën e Bashkimit Familjar.

    Bashkimi Familjar

    Ndryshimet vijnë sipas përshtatjes së legjislaturës greke me atë të BE-së, ku bashkëshorti nga vendet ku me ligj lejohet poligamia-martesa me shumë gra, ka të drejtë të legalizojë vetëm një nga bashkëshortet e tij, por nuk bëhet dallim tek fëmijët, pavarësisht me cilën grua i ka. Duke marrë parasysh falsifikimin e lehtë të certifikatave të lindjeve në këto vende, janë verifikuar një numër i madh adoleshentësh dhe fëmijësh në vend, të cilët paraqiten si fëmijë të emigrantëve të ligjshëm. Kodi i ri i Emigracionit parashikon testin ADN për të vërtetuar atësinë e fëmijës. Por, e theksojmë, në rastin e emigrantëve shqiptarë, ky paragraf do të zbatohet në raste ekstreme, ose, thjesht, asnjëherë.

    ***

    Ditët e Punës- ENSIMA

    Nuk ndryshon numri i ensimave – ditëve të punës, për rinovimin e lejes së qëndrimit. Edhe në Kodin e ri të Emigracionit mbetet në fuqi balancimi “emigrant ekonomik-120 ensima-leje qëndrimi”.

      “P. G.A.”