Ismail Qemali në Vlorë (Në 105-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë)

1912
Nga Enver Memishaj

Familja që për shekuj ka qeverisur Vlorën
Familja Vlora, me origjinë nga Kanina e Vlorës, për shekuj me radhë, ka luajtur një rol të rëndësishëm në historinë e Shqipërisë dhe veçanërisht të Labërisë dhe të Vlorës. Kjo familje ka mbajtur ofiqin më të lartë të Sanxhakbeut të Vlorës, mëkëmbësit të Sulltanit, për afro 350 vjet, që nga viti 1481 deri në vitin 1828, jo vetëm “de jure”, por edhe “de facto”. Edhe pas vitit 1828, kjo familje vazhdoi të ushtroi ndikim të madh në historinë e Shqipërisë, veçanërisht në krahinën e Labërisë. Më 28 nëntor 1912, është po kjo familje që i dha historisë Ismail Qemal Vlorën, Atin e Kombit tonë, njeriun që krijoi Shtetin e Pavarur Shqiptar, pas 500 vjet robërie. Si themelues i kësaj familje, njihet Sinan Pashë Vlora, (1455 – 1505). Më 1481, ai ishte admiral i Madh dhe Kapedan i deteve, ish-Vezir i Madh i Perandorisë Osmane. Sipas Ismail Qemalit, “Familja jonë, falë prejardhjes së lashtë dhe karakterit të veçantë gjeografik të vendit ku kishte influencë e pushtet, ka ushtruar në të gjitha kohërat një ndikim shumë të madh në punët dhe fatin e Shqipërisë. Për më se katër shekuj familja jonë ka gëzuar respekt të lartë nga Perandoria Osmane, ndonëse herë pas here edhe ka vuajtur së tepërmi nga mbrapështitë, tirania dhe tekat e sundimtarëve absolut osmanë”. Rrallë ndodh në histori që kur shkruhet për ndonjë figurë historike të përmendet pak ose aspak familja e tij. Përkundrazi, historianët «gërmojnë» edhe në skutat më të thella për të hedhur dritë mbi paraardhësit dhe pasardhësit e një figure historike.

Me Ismail Qemalin historiografia jonë veproi ndryshe. Për familjen e tij as që u fol ndonjëherë! 

Veçojmë këtu Prof. Dr. Bardhosh Gaçen, në krye të shoqatës “Ismail Qemali” dhe Dr. Bujar Leskaj, në krye të Institutit të Studimeve Politike “Ismail Qemali”, të cilët nuk u lodhën asnjëherë për të publikuar dhe lartësuar veprën e Ismail Qemalit dhe pasardhësve të tij.

Pema gjenealogjike e Ismail Qemalit, mbetet ende një portret emblematik, për të cilin ka pak njohuri, prandaj është e nevojshme të trajtohet kjo temë nga studiuesit dhe historianët. Në kuadër të 105 vjetorit të Pavarësisë Kombëtare po paraqesim disa aspekte nga jeta e Ismail Qemalit. 

(Shih për më shumë Enver Memishaj, “Kryetarët e Bashkisë së Vlorës 1912-2012”,Tiranë 2014 f. 66)
Ardhja e Ismail Qemalit në Vlorë, në vitin 1908
Më 20 shtator 1908, Konsulli i Austro Hungarisë në Vlorë, Kraus, në një relacion që i dërgonte Ministrit të Jashtëm në Vjenë, ndër të tjera i shkruante: “Ismail Qemal beu arriti këtu (më 18 shtator 1908) … i shoqëruar prej një delegacioni të pritjes prej 39 vetëve, të cilët prej Vlore, kishin dalë përpara për ta pritur në Korfuz. Në Skelë ishte mbledhur një mori njerëzish prej shumë mijëra vetësh të ardhur prej qyteteve dhe prej fshatrave përqark. Moloja ishte e stolisur me shumë flamurë. Mastet dhe shtyllat ishin të dekoruara me pëlhura me bojërat kombëtare kuq e zi…Për festimin e ditës të gjithë dyqanet mbetën të mbyllur. Ismail Qemali u mor nga vapori prej pjesëtarëve të familjes Vlora që jetojnë këtu, Syrja beu dhe Xhemil beu. Kur të përmendurit hipën në urën e Skelës, Kryetari i Bashkisë Abas efendi Mezini, mbajti një fjalim në gjuhën turqishte, me të cilin ai i bëri përshëndetjen, dhe në emër të qytetit i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, lavdëroi patriotizmin fisnik të tij, e siguroi atë për respektin, dashurinë dhe mirënjohjen e bashkatdhetarëve të tij dhe e përfundoi me një urra për personin e nderuar. Pastaj mjeku Koleka dhe mësuesi në shkollën greke Minga, mbajtën fjalime patriotike në gjuhën shqipe. Më në fund djali i vogël i një banori të krishter recitoi një vjershë të rastit në gjuhën shqipe dhe i dorëzoi Ismail Qemal beut një tufë me lule, të cilin ai e puthi në ballë…

Pastaj i hipi një karroce që ishte mbuluar me një mbulesë të mëndafshtë të kuqe. Sapo ai, fill i vetëm, kishte zenë vend në të, turma e entuziazmuar, hoqi kuajt dhe e tërhoqi karrocën në triumf gjatë gjithë rrugës, prej afro 2 km deri në qytet, duke shkuar më parë në Bashkinë e qytetit…Për t’u theksuar do të ishte gjithashtu, se duke udhëtuar prej Skelës në qytet, printe në mes përpara një flamur shqiptar me zhgabën dykrenore që mbante në kraharor një kryq dhe gjysmë hënëz…” (Bardhosh Gaçe, “Lëvizja kombëtare në Vlorë, 1872-1912”, Tiranë, 1999, dok. 25, f. 75-76)

Siç do të dëshmonte koha më vonë, qëllimi i Ismail Qemalit, nuk ishte vetëm propaganda për deputet, por kryesisht zgjimi popullit për të fituar pavarësinë nga Turqia. Me mbështetjen entuziaste të patriotëve vlonjatë, me gjithë aktivitetin që zhvillohej kundër tij nga kushëriri Syrja bej Vlora dhe i biri Eqeremi, e ngriti popullin në këmbë në favor të tij dhe arriti të fitojë.“U ftua popullsia në Bashki, për të bërë betimin që të vdesin për atdhe. Të pranishëm ishin, përveç kryetarit të Bashkisë Abas Mezinit, edhe Ismail Qemal beu”. Nga raporti i konsullit austriak Kraus, si dhe nga shumë dokumente të tjera, del e qartë se vlonjatët dhe shqiptarët e kishin flamurin në gji dhe në sepetet e tyre, pra e njihnin flamurin e tyre kombëtar dhe nuk u mungoi ai në furtunat dhe dallgët e kohës. Pra nuk është aspak e vërtetë ajo që pohon Eqerem bej Vlora në kujtimet e tij se në nëntor të vitit 1912, delegatët e kongresit të Pavarësisë nuk kishin flamur dhe nuk e njihnin atë, dhe prandaj nga kjo situatë i nxori e i shpëtoi Eqerem bej Vlora duke u dhënë flamurin e tij!!!

Udhëtimi Ismail Qemalit për në Vlorë në vitin 1912
Në nëntor të vitit 1912 patën ardhur prej Kosove nga Mirdita në Tiranë: Bedri Pejani, Rexhep Mitrovica, Mid’hat Frashëri dhe i ndjeri Sali Gjuka, dhe patën ra bujtës në konak të Abdi Toptanit të cilët e dëftuan situatën e rrezikshme lakuriq. Abdi beu, kishte pas marrë më parë edhe një letër prej z. Syrja Vlora e cila i shpjegonte qartas shpartallimin e ushtrisë turke. Ai ua kishte pas dëftuar tiranasve të këtushëm atë letër, por ata s’kishin besuar. Mbasi erdhi Bedri Pejani me shokë, biseduan këtu gjatë e gjerë dhe vendosën me mbledhë krerët e Shqipërisë së mesme në Vlorë për të shpallë indipendencën kombëtare. Prandaj dy nga këta zotni, shkuan në Elbasan dhe dy shkuan në Kavajë. Z. Abdi Toptani mori një akt përfaqësimi, të cilin kam pas fatin me e shkrue me dorën time, prej shqiptarëve të Tiranës dhe shkoi në Durrës, ku ishte si major Mustafa vëllai Hamdi beut.

Abdi beu, para se të nisej me shkue në Durrës, kishte marrë një letër prej z. Mustafa Krujës, ku i kallëzonte se atje ka ardhë prej Trieste, i ndjeri Ismail Qemali me shokë, i cili don me shpallë indipendencën e Shqipërisë…Atëherë Ismail beu me shokë vendosën me shkue në Vlorë, por nuk gjejshin kuaj, sepse qeveria porositi qiraxhinjtë që të mos ju epshin kuaj me qera shqiptarëve. Mbi atë u lajmërue Refik Toptani që t’i bjerë një tuf kuaj prej Tirane, dhe ai me të shpejtë i çoi vetë kuajt në Durrës e ashtu u nisën këta zotni për në Vlonë:Ismal Qemali, Abdi Toptani, Murat Toptani, Luigj Gurakuqi, Kristo Meksi, Pandeli Çale, Dhimitër Berati, Pandeli Mborja, Mustafa Kruja, Dom Nikoll Kaçorri, Jahja Efendiu, Abas Efendiu, Musa Ali Brahimi, dy djem vlonjatë dhe një krutan. Këtij grupi të ndershëm i kishte dalë përpara në Çerm, Dervish Biçaku e i kishte dërgu në çiflik të vet. ( Shih për më shumë: H.I. Dalliu “Patriotizma në Tiranë” T. 1930, f.84, 85).
– Vijon –
Sigal