Ishte dënuar me 6 vite burg në Greqi, arrestohet në Vlorë 43 vjeçari

101
Sigal

Dy shtetas kanë rënë në prangat e policisë në Vlorë gjatë ditës së sotme.

Lajmin e bëri të ditur vetë policia përmes një njoftimi, ku thuhet se bëhet fjalë për 43-vjeçarin me inicialet M.Ll dhe 32 vjeçarin me inicialet SH.H.

Sipas policisë, 43-vjeçari ishte i shpallur në kërkim nga pas një vendimi të një Gjykate në Selanik, e cila e kishte dënuar atë me 6 vite e 8 muaj dhe 15 ditë burgim.

Ndërsa 32-vjeçari u arrestua pasi iu sekuestruan sasi të vogla kokaine dhe kanabisi.

Njoftimi i Policisë:

DVP Vlorë/Vihen në pranga 2 shtetas, njëri prej tyre në kërkim.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë kanë kapur, në lagjen “Isa Boletini”, Vlorë, shtetasin në kërkim M. Ll., 43 vjeç, banues në Vlorë. Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve bënë ndalimin e këtij shtetasi, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë, me vendimin e datës 28.12.2021, ka njohur vendimin penal të Gjykatës Njëantarëshe të Krimeve të Selanikut, Greqi, e cila e ka dënuar 43-vjeçarin, me 6 vjet, 8 muaj e 15 ditë burgim, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”.

Po nga specialistët për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve u arrestua në flagrancë shtetasi Sh. H., 32 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik nga shërbimet e Policisë iu gjetën dhe iu sekuestruan sasi të vogla kokaine dhe kanabisi.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.