Intervistë/ Prof. Dr. Enver Bytyçi: Protesta e 6 Dhjetorit përmban një mesazh historik për europianët dhe korrupsionin e qeverisë

133
Sigal

Protesta e 6 Dhjetorit përmban një mesazh historik. Europianët mund ta tolerojnë krimin dhe korrupsionin e qeverisë, por shqiptarët që po marrin rrugët e botës nuk e falin.Situata në PD, vulë-humburit e gjykatës tregojnë kapjen e drejtësisë, ndërkombëtarët, Kosova dhe triumfi i ‘Procesit të Berlinit’

Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi në një intervistë për gazetën ‘Telegraf’ ku ka deklaruar se protesta e 6 Dhjetorit është ndër protestat që do të hyjë në histori për vetë mesazhin që synon të përcjellë. Profesor Bytyçi ka deklaruar se caktimi i datës 6 Dhjetor për dhënien e vendimit për vulën e PD është një tjetër manovër për të hequr vëmendjen nga ‘marrëveshja’ e Ramës me Alibeaj.

Si e shihni vendimin e kryedemokratit Berisha për të protestuar më 6 Dhjetor? Si do të pritet kjo nga diplomacia ndërkombëtare?

Vendimi për të protestuar më 6 Dhjetor është një vendim i imponuar në disa dimensione:

– Së pari për shkak të keqqeverisjes, korrupsionit dhe instalimit të shtetit mafioz në Shqipëri. Për shkak të emigrimit, varfërimit, mungesës së lirive dhe të drejtave themelore të qytetarëve! Për shkak të lirisë së zgjedhjeve të lira, si liria themelore për të patur qeverisjen që duan qytetarët! Të gjitha këto janë përkeqësuar nga Rilindja në nivele ekstreme, përtej imagjinatës!

Së dyti, protesta e 6 Dhjetorit ka një dimension të veçantë, unik, do të thoja! Do të dëshmojë faktin se një qeverisje që europianët e tolerojnë, janë shqiptarët ata që nuk mund ta tolerojnë as edhe një ditë të vetme më shumë! Nëse liderët e shteteve anëtare të BE-së marrin këtë mesazh, atëherë protesta ia ka arritur qëllimit dhe do të shënohet në histori.

Së treti, protesta është e motivuar për të çjerrë maskën e propagandës së Edi Ramës sa i përket fshehjes së të vërtetës! Ai ka investuar miliona e qindra milionë dollar ose euro për të lobuar për imazhin e tij në Europë e në SHBA. Ky lobim ka ndikimin e tij te shumë liderë europianë. Nëpërmjet kësaj proteste shkatërrohet miti i një kryeministri piktor dhe zbulohet fytyra e një kryeministri mafioz! Së katërti, protesta e 6 Dhjetorit, në ditën që në Tiranë do të jenë të gjithë kryeministrat ose kryetarë shteti të vendeve të BE-së do të duhet të zbulojë faktin se kryeministri Rama po instalon sistemin njëpartiak qeverisës në Shqipëri. Se ai po injoron opozitën shqiptare! Se përmes parave të korrupsionit dhe të përfituara nga bashkëpunimi me mafien ka blerë një pjesë të ish-opozitës! Se Edi Rama imponon vullnetin e tij edhe te gjykatat! Eshtë e një rëndësie jetike për Shqipërinë ekzistenca e forcimi i pluralizmit, dmth, forcimi i opozitës! Pa këtë nuk ka demokraci! Këtë mesazh duhet t’ua përçojnë edhe ndërkombëtarëve!

Primaret janë cilësuar shpesh si një “frymëmarrje në ajër të freskët“. Çfarë ndikimi do të ketë prania e shumë kandidaturave në këto zgjedhje për demokratët?

Sigurisht që primaret për të përcaktuar kandidatin për kryetar bashkie, të cilat po aplikohen për herë të parë nga Partia Demokratike, janë një risi dhe proces demokratik i shëndetshëm në Shqipëri. Ne e dimë se një punë, e cila niset mirë, pa predispozitë që të përfundojë me sukses. Në politikë puna e mirë nis me mënyrën dhe praktikën e përzgjedhjes së kandidatëve. Përmes primareve i hiqet mundësia kryetarit të partisë të emrojë kandidatin për kryetar të bashkisë. Këtë të drejtë e ka anëtari i partisë. Primaret e shndërrojnë anëtarin e partisë në vendimmarrës. Dhe kur ndodh kjo, atëherë demokracia është në veprim, është reale, ndjehet në ajër! Ndoshta këtë kishte parasysh zonja Kim, kur para disa ditësh thoshte se “Po ndjehet në ajër se diçka e mirë po vjen”! Nuk ka sukses më të madh sesa qytetarët të ndjehen pjesëmarrës në qeverisje, duke filluar që te primaret! Uroj që kjo eksperiencë të shtrihet te të gjitha partitë politike në Shqipëri. Madje do të doja që Partia Demokratike të shpallë se nëse shqiptarët ia besojnë asaj drejtimin e shtetit, do të bëjë përpjekje që këtë të drejtë demokratike ta sanksionojë në kushtetutën e republikës si detyrim për partitë politike!

Ende nuk ka vendim nga gjykata për „fatin” e vulës së Partisë Demokratike. Si e shihni ju këtë zvarritje të procesit?

Unë nuk shoh vetëm një zvarritje të procesit. Eshtë më shumë se sa zvarritje. Fakti që Gjykata e Apelit u mblodh dy herë për të marrë vendim dhe të dy herët e shtyu marrjen e këtij vendimi me arsyetimin e mungesës së avokatit të Alibashës, për mua flet për atë se ka një pakt Rama-Alibasha! Ndërsa fakti tjetër që 6 Dhjetori është caktuar si dita e kësaj vendimmarrje, dëshmon për intrigën e pashembullt të palëve përfituese Rama-Alibasha. U caktua data 6 Dhjetor, sepse u mendua se atë ditë mediet dhe vëmendja e publikut do të ishte përqëndruar te prezenca e 33 liderëve europianë në Tiranë! Këta 33 liderë demokratë të Europës Demokratike duhet të mësojnë përmes protestës se në Tiranë është instaluar një regjim intrigantësh dhe maskarenjsh! Një regjim që nuk do t’ia dijë për vullnetin e demokratëve e as të shqiptarëve! Një regjim që intrigon ditë e natë si të zgjasë ditët në pushtet, por jo edhe si të qeverisë më mirë në dobi të Shqipërisë e të shqiptarëve! Një regjim që ushqen korrupsionin e grabitjen e pasurive të shqiptarëve, por jo edhe një qeverisje që ta kishte minimumin e shqetësimit për jetën e qytetarëve të këtij vendi. Gjithkund regjimi në Shqipëri qeveris me intriga. Që nga bordet e deri te tenderat, PPP-të, investimi i ashtuquajtur strategjik etj. Intrigat më të mëdha thuren kundër opozitës së vërtetë dhe kundër shprehjes së vullnetit të lirë të qytetarëve. Për mafien rilindase në pushtet nuk ka rëndësi mjeti që përdoret, por qëllimi për të krijuar një shtet totalitar në Shqipëri! Intriga e shpalljes së vendimit më 6 Dhjetor për „vulën“ e Partisë Demokratike është një nga më monstruozet! As stalinistët nuk do të kishin guxuar ta bënin këtë! Dhe pastaj ankohen pse bëhet protesta më 6 Dhjetor! Ankohen edhe analistë „të pavarur“, domenë të regjimit klepokratik!

Në një intervistë ish-ambasadori Arvizu deklaroi se „shqiptarët duhet të zgjedhin vetë se kë vendosin në krye të pozitës dhe opozitës”! Si e shihni ju këtë deklaratë të tijën?

Po! Ish -Ambasadori amerikan, Alexandër Arvizu, para disa ditësh shprehu mospajtim me qëndrimin e ambasadores Juri Kim, e cila prej më shumë se një viti i bën presion opozitës shqiptare për të pranuar një kryetar të sajën të komanduar nga Edi Rama dhe ajo vetë! E gjitha ka ndodhur si nëpër filma! Sali Berisha u shpall fillimisht non-grata! Më pas e dimë se si u zhvilluan ngjarjet. Tani ish-kryeministri e ish-presidenti i vendit, Berisha, është kryetar i Partisë Demokratike. Por Sali Berisha nuk është vetëm kryetar i PD-së! Ai është faktor i pakontestueshëm në politikën dhe opinionin publik shqiptar! Çdokush do priste që pas shpalljes së tij non-grata të kishte shkuar në pension politik! Ndodhi e kundërta! Rama, Blinken, Kim dhe Lul Basha, kur bashkëpunuan me Sorosin për shpalljen e Berishës non-grata nuk e kishin menduar se ai kishte në dorë „kundër-helmin“! Të qenit faktor! Të qenit faktor është pengesa kryesore e qëndrimeve amerikane në përgjithësi. Në rastin e Berishës ata e kuptuan këtë në vitet 1997-2005, derisa hoqën dorë nga „lufta kundër tij“! Të qenit faktor i Sali Berishës është një realitet dhe fakt që i tmerron kryeministrin Rama dhe bashkëpunëtorët e tij! Arvizu e njeh këtë fakt! E njeh Sali Berishën dhe aftësinë e tij për të qenë personalitet i faktorizuar dhe i pushtetshëm jo vetëm në pikëpamje morale, por edhe politike. Prandaj dhe ai e pranoi realitetin dhe kjo i bën nder zotit Arvizu si dhe diplomacisë amerikane. Jam i sigurt se kjo deklaratë e ambasadorit Arvizu është lexuar si duhet në Departamentin e Shtetit! Madje edhe nga Juri Kim dhe Edi Rama!

Opozita ka akuzuar qeverinë se është përfshirë në një aferë më e madhe se ajo e inceneratorëve dhe bëhet fjalë për projektin e Portit të Durrësit. Si e shihni ju reagimin e qeverisë që çdoherë kur opozita është kundër një projekti, shfryn dhe deklaron se janë llum që duan të baltosin Shqipërinë?

Është në taktikën e kriminelëve të zgjuar që gjurmët e krimit t’i fshein përmes kundërsulmeve. Sa i përket llumit që mban Rama në gojë, këtë lloj taktike shqiptarët e njohin mirë nga koha e diktaturës komuniste! Atëherë thuhej se po fole çfarëdo të keqe, je jo vetëm kundër qeverisë, por edhe kundër Shqipërisë! Shqipëria identifikohej me diktaturën e partisë – shtet dhe me diktatorin! Këtë gjë bën Edi Rama! Çdo kritikë dhe reagimi ndaj çdo afere e konsideron si baltosje të Shqipërisë! Edhe protestën e 6 Dhjetorit po e trajton si të tillë! Taktikë e njohur! Por edhe e dalë boje! Dekada diktaturë dhe një dekadë autoritarizëm të Edi Ramës shqiptarët u mësuan me këtë taktikë „Mos e shani Shqipërinë anglisht“, thotë ai! Por vetë ai ia ka bërë m.tin Shqipërisë dhe e ka shkatërruar në themel. E vjedh, e grabit, e dhunon, e përdhunon, e çon në dëshpërim, në pashpresë, në greminë! Dhe “fajin e ka Saliu“! Afera e inceneratorëve dhe e Portit janë të fundmet! Ai dhe bashkëpunëtorët e Ramës, nëse hetohen, dalin jo vetëm hajdutë e grabitqarë! Edhe vrasës serialë, bashkëpunëtorë të bandave kriminale dhe grupeve mafioze! Nuk ka krim që bëhet në Shqipëri e të mos gjendet gjurma e qeveritarëve tanë! Prandaj këta duhen rrëzuar me çdo mjet! Ndryshe rrëzohet Shqipëria!

Si e shihni vijimin e takimeve në kuadër të Open Balkan edhe pas zhvillimit të takimit në Berlin që përsëriti Procesin e Berlinit?

Pas samitit të fundit në Berlin, ku u ringjall Procesi me të njëjtin emër, Open Balkan është varrosur! Takimet e Ramës e të presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, në kuadër të kësaj nisme serbe janë përkujtimi i të tretave, shtatave, të dyzetave dhe përvjetorëve të shkuarjes në ferr të Open Balkan! Nuk flasin më për Open Balkan as amerikanët, të cilët e mbështetën atë si lëshim ndaj Vuçiç, me qëllim që ta joshin atë të shkëputej nga Moska! Sa më shumë Moska i afrohet fundit të vet, aq më pak lëshime do t’i bëhen Serbisë dhe Vuçiç, sepse nuk do të ketë nevojë për kulaç, që ajo të ankorohet me Perëndimin. Rënia e perandorisë ruse në Ukrainë është edhe rënia e botës serbe, ëndrrave serbe dhe projekteve të Beogradit! Rama e Vuçiç thjesht do të vazhdojnë ritualin e përkujtimeve mbas varrosjes së ideve dhe nismave të Serbisë, siç ishte Open Balkan!

Si e shihni arritjen e marrëveshjes për liberalizimin e vizave me Kosovën dhe anulimin më pas të diskutimit të kësaj në samitin e sotëm në Bruksel?

U tha se vizat me Kosovën do të liberalizohen dhe vendimi do të hyjë në fuqi pas një viti. Sot këshilli i ambasadorëve e ka heq nga rendi i ditës këtë vendim. Eshtë e turpshme kjo që ka ndodhur. Joseph Borrell u hakmor ndaj kryeministrit të Kosovës, pse ai nuk e pranoi kurthin e tij e të Aleksandër Vuçiç sa i përket marrëveshjes për targat. Hakmarrja është atribut i diktatorëve dhe njerëzve me shpirt katran! Borrell e nxori më në fund në shesh fundin e kazanit të zi! Më mirë që ndodhi kështu! Tashmë autoritetet e Kosovës do të dinë publikisht me kë kanë të bëjnë. Deri tani ai kishte mundur të fshihej! Dalja hapur në krah të fashistëve genocistë të Beogradit është arritje e madhe! Bota tashmë sheh se çfarë krimineli ka në krye të diplomacisë dhe çështjeve të sigurisë europiane! Një kriminel nuk ka çfarë të bëjë më shumë! Ndëshkon dy milionë qytetarë për shkak të qëndrimit të kryeministrit! Kjo është shprehje e diktaturës! Eshtë arrogancë imponimi! Eshtë ajo çka popujt dhe kombet auropiane nuk do të donin ta shihnin në sjelljen e politikanëve të tyre!