Intervistë me Av. Ndue Pjetra: Gratë e politikanëve shqiptarë paguajnë miliona për të fshehtat e burrave të tyre, që paguhen me taksat e qytetarëve

8
Sigal

Izraeli i cili është i përafërt në numër popullsie me Shqipërinë, rreth 5 milionë banorë, ka mbi 2000 agjenci investigimi privat.

– Puna e dedektivit është të mbledhin informacion, jo të arrestojnë, apo të ndjekin penalisht kriminelët.

-Investigatorët privatë kanë ekzistuar që para 150 vjetësh, agjencia e parë private është hapur në Francë në vitin 1833.

-Në kontekstin shqiptar, periudha e gjatë e tranzicionit ka mbartur në vetvete problematika të mëdha, veçanërisht në dy fusha kryesore, atë të sundimit të ligjit dhe qëndrueshmërisë dhe rritjes ekonomike.

 

Intervistoi: Albert Z. ZHOLI

Skenat e filmave me dedektivë privatë që hyjnë në të fshehtat e jetës suaj apo të armiqve janë tashmë realitet edhe në Shqipëri. Janë shumë çështje që ndiqen nga dedektivët, por që kanë shkaktuar edhe një rrëmujë në sistemin e Drejtësisë. Sepse, në disa raste më shumë prova krimi e antikrimi kanë sjellë dedektivët, sesa strukturat që e kanë për detyrim ligjor një gjë të tillë. Shqipëria është vend që ka tashmë edhe dedektivë privatë. Dhe janë mbi 50 të tillë të licensuar. Vetëm një institut që drejton Ndue Pjetra ka plot 13 të tillë. Ai thotë se zbulohen shumë raste, kryesisht në familje dhe se një shërbim zbulues, apo të një dedektivi kushton 30 euro ora. Mbizotërojnë për ndjekje tradhëtitë bashkëshortore. Por…Aksidentet rrugore, fshehjet dhe vjedhjet e makinave në rastet kur pronarët u shmangen zyrave të përmbarimit ose bankave – janë ato çështje me të cilat merret sot një dedektiv privat i liçensuar në Shqipëri.

Tashmë në Shqipëri ka vite që është themeluar Instituti i Dedektivit Privat! Ku konsiston puna e dedektivit privat? Po në botë kur është formuar si profesion?

Investigatorët privatë kanë ekzistuar që para 150 vjetësh. Agjencia e parë private është hapur në Francë në vitin 1833. Në vitin 1850,  Allan Pinkerton formoi Agjencinë Kombëtare Pinkerton të  Dedektivit Privat , e cila u bë shumë shpejt një ndër agjencitë më të famshme në fushën e investigimeve private në Shtetet e Bashkuara. Agjencia Pinkerton mori famë pasi kontribuoi fuqishëm në fushën e zbatimit të ligjit dhe investigimeve të ndryshme. Imazhi i “syrit privat”, i njohur në botë si një ndër imazhet që karakterizon këtë profesion, është krijuar pikërisht nga Agjencia Pinkerton. Po të ndalemi në kontekstin shqiptar, periudha e gjatë e tranzicionit ka mbartur në vetvete problematika të mëdha, veçanërisht në dy fusha kryesore, atë të sundimit të ligjit dhe qëndrueshmërisë dhe rritjes ekonomike. Mungesa e burimeve njerëzore që do të kryenin hetime të mirëfillta, ka sjellë, jo në pak raste, gjykimin e çështjeve mbi baza jo faktike dhe reale. Nga ana tjetër një numër jo i vogël individësh i shmangen detyrimeve financiare që kanë ndaj palëve të treta, siç janë p.sh., pagesat e kredive, borxheve, detyrimeve të tjera financiare, edhe pse në pjesën më të madhe të rasteve është vënë re se, subjektet që mbartin borxhe të mëdha kanë mundësi për t’i shlyer ato, por thjesht nuk duan. Por, shmangia e pagesave, që lidhen me detyrimet financiare përkeqëson ndjeshëm statusin ekonomik të bankave, kompanive tregtare dhe individëve. Sot më shumë se kurrë, ne kemi nevojë të zhvillojmë sensin e ndërgjegjësimit tek njerëzit, që askush të mos i shmanget detyrimeve që ai ka ndaj palëve të treta. Ndërsa çdo kush sot i’a vlen të ndihet i sigurt, se me shërbimet e dedektivit privat, do të marrë atë çfarë i takon. Pikërisht ky Institut vjen si kontribut në vendosjen e drejtësisë dhe jo pa qëllim motoja e tij është “fakte të vërteta për vendime të drejta”.

Ne jemi mësuar të identifikojmë një dedektiv privat me Agjentin 007 ose Sherlock Holmes? A personifikojnë këto figura atë çfarë bën në realitet një dedektiv privat?

Në saj të librave, filmave dhe emisioneve televizive, shumë njerëz kanë krijuar në mendjen e tyre një imazh-stereotip të dedektivit privat. Ata janë mësuar të përfytyrojnë një dedektiv privat, që punon në një zyrë të vogël e të errët, e mjegulluar nga tymi i cigares, ndërsa bën një xhiro në lagjet e pasura të qytetit për të takuar klientë, shpeshherë gra, të cilat janë kapur dikur “në flagrancë” për veprimet e tyre. Ky stereotip thellohet edhe më tej, duke e projektuar imazhin e dedektivit si hetues që gjen prova mbi keqbërësit, ku merr informata nga dëshmitarë dhe kalimtarë të ndryshëm, e ndonjëherë me ndihmën e preteksteve dhe identifikimi të rremë. Por ky është thjesht një stereotip, ku më së shumti kanë ndikuar figurat kinematografike si Sherlock Holmes apo Philip Marloëe. Në realitet, duhet të ndajmë veprimet aksion, si në filmat hollivudianë, nga faktet reale. Investigatorët privatë janë njerëz të paguar për të mbledhur fakte. Ndryshe nga detektivët e policisë ose hetuesve të skenave të krimit, ata zakonisht punojnë për qytetarët privatë, apo bizneset e jo për qeverinë. Edhe pse ndonjëherë ndihmojnë me ekspertizën e tyre në zgjidhjen e krimeve, ata nuk janë zyrtarë të zbatimit të ligjit. Puna e tyre është të mbledhin informacion, jo të arrestojnë, apo të ndjekin penalisht kriminelët.

Pra, ju po  thoni se aty ku nuk bëjnë punën institucionet shtetërore me mbledhjen e informatave, hyn dedektivi privat me ekspertizën e tij?

Në botën reale, klientët i drejtohen investigatorëve privatë për ndihmë, për shkak se informacioni që ata kërkojnë nuk është nën juridiksionin e policisë. Ata gjithashtu mund të jenë të frikësuar apo ndihen të paaftë për të kërkuar ndihmën e policisë. Në disa portretizime, klientët kanë provuar të punojnë me autoritetet e zbatimit të ligjit, por nuk janë të kënaqur me rezultatin. Shpesh, klientët kërkojnë të dinë më shumë rreth pronës së humbur apo të vjedhur; fajtorët e vërtetë të një krimi të pazgjidhur; të afërm apo miq të zhdukur; kërkimin e personave që nuk kanë shlyer borxhet e tyre; të konfirmojnë dyshimet nëse partneri i tyre i biznes nuk është i ndershëm; vjedhjet që mund të ndodhin në ambientet e kompanisë etj. Edhe pse klientët e vërtetë nuk janë vajzat tipike që shfaqen në skenat aksion të hollyëoodit, llojet e rasteve që hasen shpesh nëpër filma dhe libra janë gjithashtu të zakonshëm në jetën e vërtetë. Puna e një investigatori real bazohet në kryerjen e investigimeve, mbikqyrjes, kërkimeve për njerëzit e zhdukur. Investigatorët dërgojnë në destinacionin e duhur dokumente të ndryshme ligjorë, duke i njoftuar njerëzit të ndjekin në kohë procedurat ligjore, me qëllim shmangien e penalizimeve. Por edhe detyrat që ushtrojnë investigatorët ndryshojnë në bazë të ekspertizës së tyre. Dikush është i specializuar në vjedhjet e pronësisë intelektuale, dikush tjetër në shërbimin e dokumenteve ligjorë dhe gjetjen e adresave. Veçanërisht nuk mungojnë as rastet kur pronarët e ambienteve të ndryshme kontaktojnë një investigator privat për të hetuar nëse qiramarrësi është duke e shfrytëzuar pronën sipas kontratës, apo e shfrytëzon atë për qëllime të tjera. Investigatori kërkon prova fizike të cilat konstatojnë shkeljet si p.sh., një qiramarrës e shfrytëzon ambientin për biznes, ndërsa ka deklaruar se e shfrytëzon objektin e qerasë për banim. Mbledhja e informacionit dhe paraqitja e fakteve varet shumë edhe nga intuita e investigatorit profesionist. Zgjidhja me sukses e një çështjeje fillon me planifikimin dhe analizimin, ku vetë Investigatori diskuton rastin me klientin dhe përcakton nëse kjo është e ligjshme, etike dhe e mundshme për t’u zgjidhur. Gjithashtu të kryejë hetimin, mbledhjen e provave në mënyrë të ligjshme dhe paraqitjen e këtyre të fundit në gjykatë, nëse kërkohet një veprim i tillë. Por mesa shoh …  Investigatorët privat në Shqipëri do punojnë më shumë për të  zbuluar dashnorët e grave dhe dashnoret e burrave.

-Ndryshe nga detektivët e policisë ose hetuesve të skenave të krimit, ata zakonisht punojnë për qytetarët privatë, apo bizneset e jo për qeverinë.

– Investigatorët dërgojnë në destinacionin e duhur dokumente të ndryshme ligjorë, duke i njoftuar njerëzit të ndjekin në kohë procedurat ligjore, me qëllim shmangien e penalizimeve.

– Investigatorët profesionistë punojnë për avokatët, bankat tregtare, agjensitë përmbarimore, fondacionet, bizneset

Aktualisht sa terren gjen ushtrimi i këtij profesioni në tregun e punës?

Investigatorët profesionistë punojnë me dhe për avokatët, bankat tregtare, agjencitë përmbarimore, fondacionet, bizneset, si dhe publikun e gjerë për çështjet, që lidhen me problemet ligjore, financiare ose personale. Ata ofrojnë shërbime nga më të ndryshmet, me përgjegjësi civile, si në rastet e lëndimeve personale, pretendimet falco mbi sigurimet, zbulimin e aseteve të fshehura etj. Pra, ata janë të punësuar të investigojnë individët, për të provuar ose hedhur poshtë pabesitë e tyre. Detyrat e investigatorit varet nga nevojat e klientëve, ndërsa pjesa më e madhe e tyre janë të specializuar për çështje të ndryshme. P.sh., një nga specializimet më të pëlqyera është investigatori ligjor. Ata specializohen për çështjet që lidhen drejtpërsëdrejti me gjykatat dhe zakonisht punësohen nga firmat ligjore. Ata ndihmojnë në përgatitjen e mbrojtjes penale, gjetjen e dëshmitarëve, dërgimin në destinacion të dokumenteve ligjore, mbledhjen e prova të reja etj. Investigatorët gjithashtu mbledhin informata për palët, dëshmojnë përpara gjykatës, si dhe përgatisin raporte të mirëfillta që shërbejnë si prova të ligjshme për t’u paraqitur në gjykatë. Praktika botërore na jep shembuj të shumtë, ku vetëm në Shtetet e Bashkuara ka rreth 150 mijë agjenci investigimesh private, ndërsa Izraeli i cili është i përafërt në numër popullsie me Shqipërinë, rreth 5 milionë banorë, ka mbi 2000 agjenci.  Sot, gati një e katërta e investigatorëve privatë në Shtetet e Bashkuara janë të vetë-punësuar. Pjesa tjetër punojnë për llogari të institucione financiare, apo ligjore. Shumë investigatorë zgjedhin një fushë të veçantë të hetimit, bazuar dhe në shkollimin e tyre. Për shembull, dikush me një diplomë në biznes mund të bëhet një invectigues korporatash. Një investigator i diplomuar në njohjen e markave tregtare mund të fokusohet në vjedhjen e pronës intelektuale. Një kontabilist publik i certifikuar mund të specializohet në hetimin financiar. Këto shifra të larta dhe fakte tregojnë qartë mbi rëndësinë që zë ky profesion në praktikën e shumë shteteve.

Çfarë ofron ky Institut për të gjithë ata të rinj dhe të reja që duan të startojnë karrierën e tyre si investigator profesionist?

Të punosh si investigator profesionist është sa interesante, aq emocionuese dhe intriguese. Është ndër karrierat më të dëshiruara për djemtë dhe vajzat sot për sot. Pavarësisht krizës së punësimit me të cilën përballet ekonomia botërore, karriera e investigatorëve privatë duket se nuk njeh rënie. Përshkallëzimi i nivelit të krimeve, mashtrimeve dhe vjedhjes, do të thotë një kërkesë më e lartë në tregun e punës për kontraktimin e Investigatorëve Profesionistë. Në këtë kontekst vjen për herë të parë në Shqipëri Instituti Shqiptar i Dedektivit Privat, si pjesë e Rrjetit të Investiguesve Profesionalë me qendër në Londër dhe i lokalizuar tashmë në zonën e ish-bllokut. Ai është i pari Institut trajnimi, në llojin e tij në Shqipëri, që ofron program mësimor bashkëkohor të bazuar në praktikat më të mira të shkollave investigative në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe. Programi i Institutit i është nënshtruar gjithashtu kontrollit të jashtëm nga Drejtoria e Politikave pranë inspektoratit të Punës dhe i liçensuar nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Sot, karrierat e vlefshme profesionale kërkojnë vite të tëra arsimimi dhe trajnimi, por me ndjekjen e arsimit Professional pranë Institutit të Dedektivit Privat zgjat nga 6 deri në 9 muaj. Plani mësimor gërsheton teorinë dhe praktikën, ndërsa studentët do të kenë avantazhin të ushtrojnë praktikën e tyre në terren, si dhe njohjen me praktikat botërore, kjo e shfaqur nëpërmjet sekuencave filmike, video-ve etj. Ata do të trajtojnë raste reale, me ndihmën e invetigatorëve profesionistë dhe do të përfshihen gjithashtu në inskenime fiktive. Mësimi zhvillohet gjatë orëve të mbasdites, pa pezulluar aktivitetin e të gjithë atyre që janë të punësuar, apo vazhdojnë arsimin e lartë, por shfaqin dëshirën të specializohen edhe në këtë fushë.  Ky Institut do të përbëjë bazën e funksionimit të rrjetit të investigatorëve profesionistë shqiptarë.