Intervista/ Prof. Zamira Çavo: Të rinjtë e sotëm janë pasqyra se si ne i edukuam ata!

260
Sigal

“Ky brez i fëmijëve tanë u ballafaqua me lirinë, të cilën ne nuk e njihnim si vlerë. Askush nuk ua mësoi atyre thelbin e lirisë. Ndaj e kuptuan atë si mundën dhe si ua serviri politika e atyre, që morën pushtetin. Duke kujtuar se Liria është çdo gjë që ti dëshiron dhe duke qenë se nuk trashëguan nga ne pasuri, iu vërsulën çdo gjëje që mund t’i bëntë të pasur.”

Intervistoi: Biora Vojka

Gjendja e arsimit, si brezi i fëmijëve u ballafaqua me lirinë, të cilën ne nuk e njihnim si vlerë, gjuha e urrjetjes dhe e heshtjes qytetare. Sa është shkolla përgjegjëse për edukimin e të rinjve janë pjesë e  intervistës të sotme që Prof. Zamira Çavo ka dhënë për gazetën “Telegraf”. Analiza e Profesoreshës, lë të kuptohet se : Përpara se të akuzojmë gjeneratën e re, duhet të kërkojmë ndjesë, që i mësuam gjuhën e urrjetjes, vllavrasjes, por edhe heshtjen e njerëzve të mirë!

– Duke marrë shkas nga ngjarja në një shkollë të Lezhës ku një i ri qëlloi mësuesen me karrige, nuk mund të mos vesh re se po krijohet një opinion gjithnjë në rritje në lidhje me brezin e të rinjve të sotëm. Sipas këtij opinioni ky brez është shumë i dhunshëm verbalisht, por edhe fizikisht; është i pa motivuar për të studiuar, indiferent dhe dembel. Si e gjykoni ju këtë opinion?

Sigurisht të gabuar! Çdo gjeneratë dhe gjenerata e fundit, dmth ata të lindurit pas vitit 2002, ka karakteristikat e veta. Pra nuk mund të jetë e ngjashme me gjeneratën tone, por as me gjeneratën e atyre, që lindën në vitet 90-të të shekullit të kaluar! Historikisht gjeneratat e reja janë pranuar me vështirësi në shoqëri dhe gjithnjë janë paragjykuar se janë më të plogëta, më të pamoralshme, më të paedukuara se brezi që i lindi. Por në të vërtetë këto gjenerata njëra pas tjetrës kanë sjellë zhvillimin e shoqërisë! Nëse vemë re shtrëmbërime apo demenca në sjelljen e tyre më së pari duhet t’i kthejmë sytë nga vetja. Nëse janë më të dhunshëm sikundër thoni ju, e që shpesh ndesh raste të tilla, unë them se duhet ta kthejmë shikimin nga vetja. Brezi ynë, domethënë i gjyshërve të sotëm, u mësuan fëmijëve të tyre si të mos mendonin me mëndjen e tyre, por me udhëzimet e Partisë! U mësuan si të silleshin bindshëm e me respekt ndaj atij që ishte në krye, si brenda familjes ashtu dhe në shoqëri. Ata fëmijë u bënë më vonë shtylla e revolucionit demokratik, por nuk harruan bindjen ndaj Partisë, e atij që qëndron në krye. Ky brez i fëmijëve tanë u ballafaqua me lirinë, të cilën ne nuk e njihnim si vlerë. Askush nuk ua mësoi atyre thelbin e lirisë. Ndaj e kuptuan atë si mundën dhe si ua serviri politika e atyre, që morën pushtetin.  Duke kujtuar se Liria është çdo gjë që ti dëshiron dhe duke qenë se nuk trashëguan nga ne pasuri, iu vërsulën çdo gjëje që mund t’i bëntë të pasur. Ky brez sot ia ka kaluar me dëshirë ose jo stafetën gjeneratës Z, atyre të lindurve në fundshekullin e 20 e fillimin e shekullit 21! Çfarë i mësoi brezi i fëmijëve tanë këtyre të gjeneratës së re? I tregoi me vepra se për t’       u pasuruar nuk ka shumë nëvojë për punë, por për pushtet, se në këtë botë fiton ai që nuk ka skurpuj dhe që shkel mbi këdo për të arritur qëllimet e tyre. Sot ankohemi për gjeneratën X dmth, adoleshëntët e sotëm. Po çfarë mësuan ata nga prindërit e tyre?

– Pra ju thoni se fajin për këta të rinj sot e kanë prindërit e tyre?

PO! Them brezi, pra gjenerata paraardhëse. Por natyrisht që sikundër e shpreha në fillim çdo brez ka karakteristikat e veta që përkojnë me kohën. Themi se janë të dhunshëm. Sigurisht! Këtë ua mësoi më së pari brezi që i lindi, pastaj ia përforcoi, “liria pa kufij” e medias, rrjetet sociale dhe mungesa e vëmëndjes së shoqërisë ndaj kësaj gjenerate.

“Plus po t’i shtojmë kësaj situate dhe analfabetizmin funksional, që ndeshet jo rrallë në shkollat tona tek ata që quhen mësues, mund të dallojmë edhe ftohjen ndaj të mësuarit e mungesën e dëshirës së fëmijëve për të shkuar në shkollë!”

– Më duket apo ju po justifikoni sjelljen e atij adoleshenti që folëm në fillim të kësaj bisede?

A mund të më thoni ju si e gjykoni? Unë përsonalisht do të thosha që një mësues që e ka arsimin mission e jo profesion për të marrë rrogën, nuk do kishte mbërritur kurrë në një gjendje të tillë! Dhe këtu vimë në një problem tjetër: Sa është shkolla përgjegjëse për edukimin e të rinjve?

– Shkolla nuk ka çfarë të bëjë në raste të tilla apo jo?

Natyrisht që shkolla ka përgjegjësinë e madhe për edukimin e fëmijëve të sotëm. Por le të mos futemi në problemet që ka sot arsimi (temë kjo që do duhen ditë për ta trajtuar), ama më duhet të them se një pjesë e madhe e mësuesve të sotëm janë ata që kanë mbaruar shkollat në periudhën e “Lirive pa kufij” ku diploma duhej, por jo dija e kultura! Eshtë e lehtë tua hedhim fajin fëmijëve kur vetë nuk dimë të sillemi! Plus po t’i shtojmë kësaj situate dhe analfabetizmin funksional, që ndeshet jo rrallë në shkollat tona tek ata që quhen mësues, mund të dallojmë edhe ftohjen ndaj të mësuarit e mungesën e dëshirës së fëmijëve për të shkuar në shkollë! Le të kalojmë tek media. Degjenerimi mediatik sot ka arritur fundin dhe shprehja “nuk keni parë gjë akoma” në këtë rast nuk vlen. Më keq se kaq nuk ka ku të vejë! Dhe ne ankohemi për adoleshentët! Ndërkohë brezi i adoleshentëve të sotëm kanë një energji të jashtëzakonshme për të përcjellë të renë, për të rrokur teknologjinë e për t’u integruar në të. Ka me qindra adoleshentë që njohin programe kompjuterike, që as mësuesit e kësaj lënde në shkolla nuk i njohin! Dhe kjo është premisë më e sigurtë për të ardhmen e tyre. Po si po e kanalizojmë këtë energji? Kush po merret me të? Familjet merren pak ose aspak për dhjetra arsye të tjera, që duhen trajtuar, shkolla merret pak ose jo rrallë gabim në orjentimin e tyre, shoqëria merret tërësisht, por në mënyrën më të gabuar të mundshme. Atëherë…? Le t’i dënojmë me burg adoleshentët, që qëllojnë mësuesit dhe e kemi zgjidhur çështjen! Jam e bindur se ka ardhur koha të themi: Jemi sot pasqyra e keqe e së djeshmes dhe nëse nuk gjejmë rrugët e duhura do jemi nesër pasqyra e keqe e së sotmes!