Intervistoi: Biora Vojka
“Edhe pas 111 vjetëve Pavarësi, nuk po arrijnë që të bëjnë zgjidhje demokratike e as shtet demokratik. At Zef Pllumi ka shkruar: “Kurrë s’e kam kuptue se si një popull i vogël si shqiptarët, ka mujt me nxjerr kaq shumë rrugaça”. Njerëzit e “barkut” mjaftohen me propagandë, pilaf e makarona.”

Propaganda me mbjellje të bimëve zbukuruese është shkulturuese e turpëruese. Që nga viti 1994, kemi parë e jemi ndier shumë të fyer nga sjellja e politikanëve tonë, të cilët pretendojnë se partia i bëri edhe agronomë, edhe veterinerë, edhe pezazhistë. Shohim liderë politikë, që vrapojnë nëpër parcelat e misrit, nëpër vreshta e pemëtore, nëpër stalla lopësh e derrash, e tash edhe nëpër lulishte e parqe duke aktruar sikur i dinë të gjitha. Politika akoma nuk e ka kuptuar që në muajin e fushatës elektorale, politikanët duhet të bëjnë bilancet e zërave të kontratës së qeverisjes.

Bëhet fushatë qesharake kur politikani mbjell pemë, shpërndan fasulet me garuzhde, apo mjel lopët, ndërsa agronomi, bariu, veterineri e guzhinieri ikin për të punuar në Gjermani, Angli, etj.
Gjatë intervistës për Telegraf, Prof.Susaj, një nga ekspertët më të mirë të bujqësisë dhe politikave agrare thekson se: Politika duhet të merret me punën e saj, kurse mbjelljet duhet tua lejë specialistëve. Përafërsisht një muaj nga data e zgjedhjeve, nis më datë 14 prill zyrtarisht fushata për zgjedhjet vendore të 2023. Rreth 140 kandidatë të subjekteve politike si, Partia Demokratike; Partia Socialiste; Partia Lëvizja Bashkë; Partia Minoriteti Etnik Grek për të Ardhmen; Partia e Fronit të Majtë; Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet; si dhe koalicionit “Bashkë Fitojmë” do të synojnë të marrin drejtimin e bashkive në gjithë vendin. Partitë politike të prezantojnë programet e tyre deri më 12 maj 2023, e shtuna është heshtje zgjedhore dhe të dielën qytetarët i drejtohen kutive për të votuar. Pavarësisht se më 14 u çel zyrtarisht, fushata de fakto ka nisur prej kohësh dhe partitë kanë zhvilluar aktivitete promovuese të kandidatëve në bashki të ndryshme prej muajsh. Por si ka filluar kjo fushatë? Çfarë bie në sy? A vazhdohet ende për blerjen e votës? Si veprohet në zonat rurale të Shqipërisë? Këto përgjigje do i gjeni në këtë intervistë për Gazetën Telegraf me Prof. Lush Susaj.

Ka disa ditë që ka filluar zyrtarisht fushata për zgjedhjet vendore 2023. Si do t’i cilësoni këto zgjedhje? Çfarë ka rënë më shumë në sy nga ju si analist i problemeve politike? A po zhvillohet konform rregullave kjo fushatë?
Së pari dua të theksoj se Demokracia ka nevojë për shpirtin guximtar, e jo për miell e makarona elektorale. Të gjithë ata që kanë lexuar veprat e filozofëve të antikitetit (Sokrati, Zenoni, Aristoteli, Platoni, etj), e kuptojnë faktin që pavarësisht nga distanca e madhe kohore e 2000-2400 vjetëve, natyra njerëzore pothuajëse ka mbetur e njëjtë, e se analizat filozofike të antikitetit janë aktuale edhe në ditët e sotme. Duke lexuar veprën “Republika” të Platonit (427-347 p.e.s), kuptova edhe më mirë atë shkakun real të prapambetjes së thellë shtetërore e politike të Shqipërisë dhe shqiptarëve, të cilët edhe pas 111 vjetëve pavarësi, nuk po arrijnë që të bëjnë zgjdhje demokratike e as shtet demokratik. Sado të ngatërruara e të largëta që të duken periudhat, ngjarjet dhe personazhet, filozofia si shkenca e shkencave, jep zgjidhjen e duhur, duke ndriçuar rrugën drejt mirëqënies, kulturës dhe progresit shoqëror e politik të shtetit dhe të shoqërisë, sado e dhunuar e prapambetur qoftë ajo. Në analizën e tij filozofike, Platoni i rendit njerëzit, shpirtin e tyre dhe popujt në tre nivele. Në të parë (ka përdorur për krahasim pjesët e trupit të njeriut, si barkun, gjoksin dhe kokën), apo njerëzit e barkut. Sipas tij bëjnë pjesë punëtorët, artizanët dhe njerëzit me pak kërkesa për jetën. Është fjala për njerëz me vetëpërmbajtje të madhe e që nuk reagojnë, por durojnë dhe kënaqen me atë interesin e tyre të ngushtë, e me plotësimin e nevojave minimaliste të barkut, të ushqimit të përditshëm, etj. Në nivelin e dytë, flet për njerëz dhe popuj të guximshëm, njerëz dhe popuj që reagojnë e nuk durojnë tirani e as sundimtarë që shkatërrojnë jetët dhe vendet e tyre. Njerëz dhe popuj të guximshëm, sikurse janë francezët, etj, që reagojnë dhe ngrihen e bëjnë revolucione ndaj dhunës, krimit, korrupsionit, injorancës dhe varfërisë, e që përmbysin sisteme e kasta korrupsioni e burokracie. Ndërsa në nivelin e tretë, në atë të kokës bëjnë pjesë njerëzit dhe popujt e intelektit, ata që prodhojnë shpikje në shkencë e teknologji, e që zhvillojnë vendin e tyre dhe botën. Filozofi Zhanë Hersh, në veprën e tij me titull “Habia Filozofike”, përkthyer nga Artan Fuga, faqe 40, shkruan: “Çdo niveli të shpirtit, i korespondon një cilësi e veçantë. Shpirti dëshirues duhet të zotërojë vetinë e të vetëpërmbajturit. Shpirti guximtarë vetinë e trimërisë dhe shpirti i arsyeshëm, cilësinë e urtësisë-intelektit”. Qofsha i gabuar, por në këtë analizë time, më rezulton që tek shqiptarët e vjedhur e të varfëruar deri në palcë, përveç shpirtit dëshirues, nuk shof që të ekzistojë as guximi e as urtësia dhe intelekti.
“Tek Shqiptarët e vjedhur e të varfëruar deri në palcë, përveç shpirtit dëshirues, nuk shoh që të ekzistojë as guximi e as urtësia dhe intelekti. Qytetarët akoma nuk po e njohin e as nuk po e ndiejnë dhimbjen e dhunës e shijen e lirisë dhe demokracisë!”

-Pse keni arritur në këtë përfundim? Ku e ka bazën kjo ide e juaja?
Bazën e ka tek dhuna e vazhdueshme, së bashku edhe me varfërinë dhe jetesën e gjatë nën sundimtarë e pushtime mizore, dhe kjo duket që i ka mpirë shqiptarët deri në atë masë, saqë akoma nuk po e njohin e as nuk po e ndjejnë dhimbjen e dhunës e shijen e lirisë dhe demokracisë. At Zef Pllumi, në një intervistë të vitit 2015, ka thënë: “Ky popull, edhe me i shti opangën në gojë, s’bërtet, nuk bën za”. Ndërsa për përbindëshat që mund të shkaktojnë korrupsionin, hajnia dhe kakistokracia në një vend si Shqipëria, At Zef Pllumi ka shkruar: “Kurrë s’e kam kuptue se si një popull i vogël si shqiptarët, ka mujt me nxjerr kaq shumë rrugaça”.Që Shqipëria dhe shqiptarët të mund të shpëtojnë nga ky lloj tranzicioni shkombëtarizues e vetëdiskreditues, ka vetëm një rrugë, atë të reagimit me votë, duke treguar guxim e kurajo, e duke reaguar për demokracinë e të ardhmen tonë shoqërore e politike, e jo thjeshtë e vetëm për nevojat e barkut. Halli i shqiptarëve nuk është fasulja, mielli, pilafi, tapia e as makaronat elektorale. Halli ynë i përbashkët është zgjidhja e kontratës së qeverisjes nga të korruptuarit e kakistokratët, halli ynë është demokracia, kombi dhe shteti ynë i përbashkët.

-Shohim një fushatë ndryshe nga PS. Drejtuesit e fushatës dalin çdo ditë duke mbjellë pemë. Mos vallë është risi?
Jo, nuk është risi. Propaganda me mbjellje të bimëve zbukuruese është shkulturuese e turpëruese.
Që nga viti 1994, kemi parë e jemi ndier shumë të fyer nga sjellja e politikanëve tonë, të cilët pretendojnë se partia i bëri edhe agronomë, edhe veterinerë, edhe pezazhistë, etj. Pretendojnë se i dinë e që mund t’i bëjnë të gjitha, e që vrapojnë nëpër parcelat e misrit, nëpër vreshta e pemëtore, nëpër stalla lopësh e derrash, e tashi edhe nëpër lulishte e parqe duke aktruar e duke bërë sikur dinë e po mbjellin edhe bimë zbukuruese. E gjithë kjo situatë buron nga katastrofa shoqërore e politike që kjo klasë politike ka shkaktuar. Sepse politika akoma nuk e ka kuptuar që në muajn e fushatës elektorale, politikanët duhet të bëjnë bilancet e zërave të kontratës së qeverisjes me popullin, e jo të aktrojnë për të mashtruar popullin me varrosje të bimëve zbukuruese. Sepse, sikurse dihet mbjellja e bimëve zbukuruese, si çdo operacion tjetër, ka një protokoll të përcaktuar nga teknologjia dhe nga rregullat e BE, e nuk është e nuk mund të jetë kurrë ajo që shohim përditë në kronikat televizive. Në këtë aktrim, për fatin e keq po përfshihet edhe media, duke e bërë median pjesë e dezinformimit dhe shkulturimit të publikut. Por edhe duke fyer specialistët, agronomët, pezazhistët, puntorët, etj, që dinë të mbjellin pemë, e që e trajtojnë bimën me delikatesë, e sipas protokollit të mbjelljes. Ata që dinë të mbjellin bimët, e trajtojnë bimën “sikur fëmijën e vogël”, e jo duke hapur një gropë të ngushtë, e duke e mbuluar bimën me dhe brenda ditës, e kjo në gjuhën agronomike quhet “varrosje e bimës”. Prej nga buron ajo bima që rritet e dobët, e në jo pak raste ndodh edhe tharja e bimës.

-Pra kjo mënyrë fushate sipas jush nuk është bashkohore, nuk do jap rendimet apo impakt tek populli?
Nuk di se sa impakt do të ketë, por di që…në këtë mënyrë, politikanët tonë, për qëllimet e tyre elektorale, mendoj se kanë zgjedhur mënyrën e gabuar, duke u marrë me një punë që nuk dinë ta bëjnë, sepse nuk e kanë bërë kurrë ata e as prindërit e tyre. Të mos flasim këtu për moshën e as për çmimin e fidanave, që për mendimin dhe përvojën time, nga ata që shohim në kronikat e fushatës, duken si fidana të vjetër, e ku me atë trashësi të trupit, duhet të shkojnë për dru zjarri e jo të faturohen për qytetarët. Është koha dhe momenti që politikani të bëjë bilancin e katër viteve për politikat e zhvillimit urban, për zënien e hapësirave publike me veranda lokalesh e ndërtime korruptive, për infrastrukturën arsimore, për sigurinë ushqimore, juridike e mjedisore, për punësimin, për shtresat në nevojë, etj, e jo të vrapojë me lopatë në dorë, pa ditur se çfarë po bën.

“Po fyhen specialistët, agronomët, pezazhistët, puntorët, etj, që dinë të mbjellin pemë, e që e trajtojnë bimën me delikatesë, e sipas protokollit të mbjelljes. Ata që dinë të mbjellin bimët, e trajtojnë bimën “sikur fëmijën e vogël”, e jo duke hapur një gropë të ngushtë, e duke e mbuluar bimën me dhe brenda ditës, e kjo në gjuhën agronomike quhet “varrosje e bimës”. Prej nga buron ajo bima që rritet e dobët, e në jo pak raste ndodh edhe tharja e bimës…”
Filozofia na mëson se shteti është harmonioz e i qëndrueshëm kur bazohet në ligje demokratike, e ku secili bën punën e tij. Ndërsa bëhet qesharak kur politikani mbjell pemë, shpërndan fasulet me garuzhde, apo mjel lopët, ndërsa agronomi, bariu, veterineri e guzhinieri ikin për të punuar në Gjermani, Angli, etj. Nuk do ta dëshiroja kurrë që ta shikoja këtë lloj kaosi në sjelljet politike, pasi politika duhet të merret me punën e saj, kurse mbjelljet duhet tua lejë specialistëve. Sikurse dihet, pamjet me shpërndarje makaronash e thasë mielli, apo ato me vende pune në administratë e me blerje votash, i kemi parë në të gjitha votimet e zhvilluara pas vitit 1994. Ndërsa kjo propaganda me dalje politikanësh duke mbjellur bimë zbukuruese, ndonëse është e re, po më duket gënjeshtër e madhe, e tepërt dhe shkulturuese për rininë dhe mbarë popullsinë.



















