INTERVISTA/ Jak Përpali: Qeveria, me TVSH-në rrjep biznesin e vogël, për t’i shërbyer oligarkëve

1075
Jakup B. GJOÇA
Thelbi i kësaj reforme është: Qeveritarët, duke shtuar numrin e tatimpaguesve me TVSH, mbledhin më shumë të ardhura, ato që duhet të mblidheshin te oligarkët, miqtë dhe rrjetet e korrupsionit. Kjo do të sillte dështim më të rëndë ekonomik
Jak Përpali, specialist kontabël, ka punuar 13 vite në Drejtorinë Rajonale Tatimore të Tiranës, në intervistën për gazetën “Telegraf” shprehet, se TVSH për bizneset e vogla, në këtë represion ekonomik është haraç i qeverisë, për t’i shërbyer oligarkëve. Zoti Përpali, shpjegon konkretisht, sesi kjo ndikon jo vetëm në rritjen e çmimit të produkteve, por biznesi i vogël do të ketë edhe kosto ekonomike shtesë për të mbajtur dokumentacionin e TVSH-së. 

– Zoti Përpali, si e gjykoni ju, si specialist vendosjen e TVSH ndaj biznesit të vogël? 
– Çdo ndryshim në ligjin për TVSH e shoh tani në kohën e papërshtatshme, për faktin se gjendja ekonomike është e tkurrur, e rënduar, gati në një ngrirje. Është gjendje, që ndihet edhe nga vështrimi i një qytetari, që nuk ka marrë njohuri si ekonomist dhe nuk ushtron vetë aktivitet tregtar dhe punon me të njëjtën pagë prej vitesh. Janë të njohura gjendje të tilla, kur shkon duke u sosur durimi i mbarë shoqërisë, pasi janë ndërgjegjësuar gradualisht se drejtuesit që kanë zgjedhur në krye për të qeverisur në favor të qytetarëve janë treguar shpërfillës ndaj tyre, duke drejtuar me arrogancë për interesa të fuqizimit të një pakice.

– Cilat janë interesat e qeverisë, që t’i vërë haraç TVSH-në biznesit të vogël?
– Biznesi i vogël është matësi më i mirë për të kuptuar së pari, nivelin e jetesës të qytetarëve, është kontaktuesi i drejtpërdrejtë dhe dallon më shpejt se drejtuesit e majmur, si po sillet qytetari me tregun. Aty merret informacion real, jashtë statistikave që japin institucionet përkatëse të qeverisë, kur është bërë traditë manipulimi i opinionit, aq sa për një farë kohe në shtresa të ndryshme janë të besueshme, pasi presin se do të vijë patjetër diçka pozitive. Dikur lodhen dhe fillon dyshimi e zhgënjimi se asgjë e mirë nuk do t’ju vijë nga ato që dëgjojnë. Thelbi i kësaj reforme është: Qeveritarët duke shtuar numrin e tatimpaguesve me TVSH mbledhin më shumë të ardhura, ato që duhet të mblidheshin te oligarkët, miqtë dhe rrjetet e korrupsionit. Kjo do të sillte dështim më të rëndë ekonomik.

– Si duhet të mbështetet biznesi i vogël, pa e stërmunduar me këtë shkallëzim?
– Kërkon një studim përmes të dhënash nga profesionistë të tatimeve, që kanë punuar gjatë në terren dhe në drejtim, e në komunikim të hapur me subjekte të shumtë, përfaqësues realë të biznesit, që janë të kahershëm në treg dhe ata që kanë hapur aktivitete në dy, apo tre vitet e fundit, çka do të nxirrte në pah një problematikë të trashëguar nga politikat drejtuese të qeverive njëra pas tjetrës. Kjo shtresë biznesi është e nëpërkëmbur në vazhdimësi dhe për këtë qeveria e sotme duhej të kishte punuar qysh gjatë kohës që ishte në opozitë, si për çdo reformë tjetër që donte të kryente, kur të vinte në pushtet dhe të jepnin rezultate pozitive. Nuk e kishte bërë detyrën e saj në kohën e duhur. Saktësisht në tatime nuk bëri asnjë hap përpara, por e ndërlikoi edhe më tepër këtë organ dhe vështirësitë e biznesit të vogël u rritën.

– Faktorët që kanë sjellë deri këtu korrupsionin?
– Siç pati një përmirësim të ndjeshëm në dy- tre vitet e para të qeverisë Demokratike, pasi erdhi në qeverisje në 2005, pastaj kurrupsioni filloi ta fitonte betejën dhe erdhi duke u rritur. Në rrethanat e tanishme, kur reformat e mandatit të parë të qeverisë së Rilindjes duhej të ishin, duke dhënë produktin e tyre pozitiv dhe në fakt ka ndodhur e kundërta, e pakkush e beson në suksesin e reformave, që ndërmerr tani, pasi energjitë dhe entuziazmi vijnë duke rënë, aq më tepër, kur mandati i parë ishte më i dobëti në 27 vite dhe qysh në fillim zuri fill korrupsioni dhe vazhdon rritjen.

– Mund të këtë një hapësirë lehtësuese në këto rrethana?
– Duke vërejtur se ekonomia është tkurrur, duhen gjetur mekanizma që biznesi i vogël të ndihet në një hapësirë më liberale, kjo patjetër do ngjallte një shpresë, sado të vakët, pasi nuk mundet më tej, që kjo qeverisje të ketë sukses, përmes reformash fluturake, ndryshe, nëse rëndohet ky biznes, i pakësohen të ardhurat, i zihet fryma, armiqësohet me administratën tatimore, me qeverinë, natyrisht dhe ndodh ajo thyerja, që nuk ngjit pa zgjedhje të reja. Ky biznes është kryesisht familjar dhe, në një numër dominues i ngritur me kredi dhe në ambiente me qira, ngarkesa fiskale në rritje vjen e shfaqet vështirësia e tij së pari i bie barra të shpjegojë cilindo që pyet e irritohet për rritjen e çmimit, pasi shkarkimi aty do bjerë, por së pari do jenë bashkë biznesi i vogël e qytetari kundër qeverisë.

– Biznesi që kalon me TVSH çfarë dokumentesh shtesë do mbajë kostoja e tyre ?
– Biznesi që kalon me TVSH mbante libër blerje e shitje, por në kuptimin e thjeshtë, regjistroheshin artikujt në total, pa u detajuar burimi, siç kërkohet tani, por me fatura me TVSH, apo faturë të thjeshtë. Tani do mbajë dokumentacion më tepër: libër blerje e shitje, por të detajuara për çdo lloj malli, nëse më parë i mbante në total. Tani nga blihet malli, sasia sipas çdo artikulli, shitjet sipas çdo artikulli dhe gjendja në fund, sipas çdo artikulli nr. Nipti, nr. serie i faturës me TVSH, emër i blerësit dhe të njëjtat gjëra edhe për çdo shitje. Kur në shumicë ky biznes ka llojshmëri mallrash dhjetëra e deri qindra artikuj një punë e shtuar pa fitim, pra, që rrit koston qysh këtu, pastaj duhet blerë kompjuter dhe instaluar një program financiar, që i përshtatet aktivitetit të secilit, që të mund të sistemojë të dhënat dhe kjo ka koston e vetë në instalimin dhe mirëmbajtjen e këtij regjistrimi financiar në kompjuter. Ndërkohë, që këto subjekte paguanin afërsisht nga 1000 deri 2000 lek te reja në muaj për ekonomistë, të cilët mbanin një numër më të madhe subjektesh, sepse ishte e thjeshtë , edhe këtu shtohet kostoja do paguhet ekonomisti nga 5000 deri 15000 lekë të reja në muaj. 

– Veç kostos për dokumenteve shtesë e të specifikuar dhe për ekonomistin përkatës do paguajë me shumë në shtet për TVSH?
– Patjetër do paguajë me tepër në shtet për hir të TVSH. Një shembull: 80 copë molto, të cilat në vlerë bëjnë 1320 lekë, ku TVSH te kjo vlerë është 1320 lekë : 6 = 220 lekë është TVSH e zbritshme. (kreditueshme). Subjekti, supozojmë që e shet me 20 lekë/copën dhe rezulton me xhiro për 80 moltot do të jetë- 80 copë x 20 lekë = 1600 lekë, ku TVSH në shitje do të jetë- 1600 : 6 = 266 lekë. Atëherë TVSH për t’u paguar në shtet do të jetë 266 lekë – 220 lekë = 46 lekë. Pra, në rastin konkret subjekti do paguajë 46 lekë më tepër, atëherë subjekti detyrohet ta rritë çmimin e shitjes, që të ruajë fitimin dhe çdo shtim çmimi shton TVSH. Prej këtu rrjedh pakësimi i xhiros, klienti do blejë më pak. Falimenton biznesin në mbijetesë. Ka mundësi të bjerë qarkullimi, duke shmangur sa më shumë kuponët tatimorë, tashmë kur bëhet fjalë që të vjelin me çdo kusht edhe fitimet e mbijetesës, do jetë si një dyluftim dhe njëherësh do furnizohet sa më tepër me mallra pa faturë dhe me kohën edhe biznesi i madh do deklarojë më pak, pra do bashkëpunojnë. Vështirësi tjetër për bizneset e vogla që kalojnë me TVSH është për ata që kanë të punësuar dhe do detyrohen t’i largojnë e të punojnë më të sforcuar. Ata që mbajnë të punësuar janë të detyruar që pagesat e punonjësve t’i kalojnë përmes bankës ose do marrë punonjës me orare më të reduktuar, për t’i shpëtuar kontrollit, nuk do ta deklarojë pagën dhe do e paguajë KESH, mirëpo ato pagesa nuk i njihen si shpenzime dhe futen te shpenzimet e panjohura, kështu siç fsheh pagën edhe rriten shpenzimet në anën tjetër, pasi shpenzimet e panjohura nuk futen te të zbritshmet për efekt të tatim fitimit.

– A është informuar biznesi të jetë i përgatitur të futet në skemën e TVSH?
– Formalisht po, realisht jo. Janë trajnuar subjekte të ndryshme, një numër fare i vogël dhe ato formalisht. 
Sigal