IMKT padi kryekomunarit: Shkelje! Dy leje për fshat turistik në Petrelë

530
Sigal

TIRANE – Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IMKT) kallëzoi në Prokurori kryetarin e komunës së Petrelës Ylli Kupi, me akuzën se ka dhënë dy leke ndërtimi të paligjshme.
 
Drejtoresha e IMKT, Dallëndyshe Bici sqaroi në një deklaratë për mediat se kryekomunari Kupi dhe anëtarët e Këshillit të kësaj komune kanë dhënë dy leje për ndërtimin e një fshati turistik në zonën e Petrelës, duke shmangur të gjitha procedurat ligjore. Sipas saj, këto dy leje zhvillimore nuk janë konsultuar dhe as botuar në Regjistrin e Planifikimit të Territorit, ndërsa theksoi se nuk është botuar as plani i detajuar për zonën ku janë dhënë lejet. Në këto kushte, tha Bici, vendimet e Komunës janë Nul. Drejtoresha e INUK veç ndjekjes penale, këroi edhe pezullimin nga funksioni publik për kryekomunarin e Petrelës dhe anëtarët e Këshillit Teknik të komunës.
 
Deklarata e plotë e drejtoreshës së IMKT, Dallëndyshe Bici
 
“Jam sot sërish këtu para jush, për të denoncuar publikisht dhe kallëzuar penalisht, një tjetër rast të shpërdorimit flagrant të detyrës nga persona që ushtrojnë funksione publike. Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar gjatë azhornimit të bërë në komunën Petrelë, ka vërejtur dy leje të dhëna për ndërtimin e një fshati turistik në këtë zonë, të cilat shkelin ligjet në fuqi të Shqipërisë. Lejet zhvillimore janë dhënë për: “Grup banimi dhe Rekrecion. Ndërtesa individuale banimi 2 dhe 3 kat, me 1 kat nëntokë, Mullet”, me një sipërfaqe të përgjithshme rreth 24 mijë e 500 metër katror.

Kështu:

Të dyja Lejet Zhvillimore të ndërtimit dhënë nga kryetari i komunës Petrelë, nuk janë të botuara në Regjistër, as si akte ligjore, as si aplikim online për leje ndërtimi.
Nga ana e kryetarit të Komunës Petrelë nuk është hartuar, konsultuar e miratuar dhe nuk është botuar në Regjistrin e Planifikimit të Territorit, sipas parashikimit ligjor, asnjë Plan i Detajuar Vendor (PDV) për Njësinë administrative (zonën) ku janë dhënë lejet zhvillimore. Po ashtu nga kjo Komunë nuk është botuar as rregullorja përkatëse e këtij plani.

Me anë të këtyre mos- veprimeve të kryetarit të komunës Petrelë, të gjitha subjektet e interesuara janë privuar nga e drejta e informimit dhe e drejta për të ushtruar  ankimet, apo kundërshtimet e tyre sipas parashikimeve ligjore, që rregullojnë fushën e planifikimit dhe zhvillimit të territorit.
Për shkak të mos botimit ende në regjistër, Plani i Detajuar vendor për zonën ku janë dhënë dy lejet e ndërtimit, konsiderohet NUL dhe pa fuqi juridike, për shkak se ende nuk ka hyrë në fuqi, sipas parashikimeve ligjore.

Nisur nga këto shkelje ligjore, Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar kallëzon penalisht kryetarin e Komunës Petrelë, zotin Ylli Kupi, si dhe anëtarët e Këshillit Teknik të kësaj Komune, për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës të kryer në bashkëpunim”, parashikuar nga neni 248 dhe 25 i kodit penal. Ata nuk kanë marrë asnjë nga masat e parashikuara nga ligji, në kuadër të mbrojtjes së territorit, si dhe drejtimin e zhvillimit të territorit, përmes kontrollit të strukturave administrative, në kuadër të një zhvillimi sa më optimal të territorit. Në këtë kallëzim Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar kërkon edhe pezullimin e këtyre personave nga funksioni i tyre publik”.