Ilegalët e tatimeve fshehin 114 milionë dollarë në vit

639
Sistemin e Tatim-Taksave në Shqipëri, që nga kupola drejtuese në qendër e deri tek inspektorët e thjeshtë në rrethe dhe qarqe e ka “mbërthyer për fyti” një skandal i rëndë zyrtar e financiar me përmasa gjigante, i cili prej 5 vitesh po mbahet i fshehtë nga drejtuesit kryesorë të tatimeve, duke krijuar një “iso” të përbashkët të këtij krimi financiar me autorë nëpunësit tatimorë. Është fjala, për një “hetim sekret”, të kryer brenda strukturës së shërbimit të tatim-taksave në të gjithë nivelet në shkallë vendi, lidhur me fiktivitetin e punës kontrolluese të subjekteve private, që janë objekt i kontrollit tatimor. Sipas raportit përfundimtar të hetimit 6 mujor, të “ngurosur” prej 1 viti në kasafortën me “kod” hyrës me 11 numra të drejtores së Përgjithshme të Tatim-Taksave Briseida Shehaj, një “ushtri” inspektorësh dhe drejtues sektorësh të tatim-taksave në gjithë nivelet e këtij shërbimi, madje edhe drejtues e inspektorë të sektorit të Auditit të Brendshëm të këtij institucioni vazhdojnë të veprojnë ende me kodin “Griboz” (GJON), të një personazhi të zhytur në korrupsion në tatime e kudo ku ka qenë dhe që për të humbur gjurmët e kanë çuar në doganat e përgjithshme, ku i kanë “varur në qafë mëlçitë e kontrollit qendror”, personazh për të cilin, “Telegraf” ka kryer një investigim të detajuar. sot p ndalemi tek skandal-krimi shtetëror, që tatimorët të cilët paguhen nga shteti si kontrollues të ligjshmërisë së bizneseve, shërbejnë privatisht, masivisht e hapur edhe si përgatitës bilancesh të subjekteve private që kanë detyrimin të kontrollojnë! Skandali qëndron në faktin, se punonjës dhe zyrtarë të lartë, të mesëm e të ulët të tatim-taksave e familjarë të tyre (konflikt interesi), madje edhe ata që duhet të kontrollojnë kontrollorët e zyrave e të terrenit, janë “punësuar” ilegalisht pranë firmave private, me detyrë “hartues e ekspertë bilancesh” mujore e periodike të bizneseve që ata… kontrollojnë!
Nga 1720 tatimorë, afro 1100 bëjnë ilegalisht bilancet e bizneseve që i kontrollojnë… vetë
Hetimi i këtij skandal-krimi, vërtetoi denoncimet e bëra në “postën Anti-Korrupsion” në Kryeministri, në Ministrinë e Financave, në drejtorinë qendrore e ato rajonale të tatimeve dhe në prokurori, lidhur me skandalin që tatimorët shërbejnë me pagesë ilegale edhe në subjektet private, gjë që bie ndesh me funksionin e tyre. Ky quhet “krim e bashkëpunim në krim të paramenduar ekonomiko-financiar”! Gazeta “Telegraf”, prej disa kohësh ka investiguar këtë skandal shtetëror, duke evidentuar fakte të shumta lidhur me abuzimin e tatimorëve me detyrën, duke krijuar miliona dollarë humbje në vit për buxhetin e shtetit. Vetë tatimorët, duke vënë nën presion bizneset që kanë nën kontroll, kanë arritur të punësohen ilegalisht pranë tyre, duke u marrë të drejtën e bërjes së bilanceve, kundrejt një pagese mujore, ose me pagesë “CASH” për çdo bilanc që bëjnë, sipas pazarit mes palëve, shpesh të shoqëruar edhe me pagesën shtesë për “kalkulimin” e letrave. Skandali shoqërohet me abuzimin, se tatimorët e shtetit dhe ekonomistët e privatëve, bëjnë bilance fiktive, siç i dëshirojnë pronarët e subjekteve, duke fshehur të ardhurat, fitimet, shitjet, blerje, llojet e bizneseve të tjera të pa regjistruara, të fshehura brenda biznesit që kanë të regjistruar, duke mos pasqyruar bilancet reale shpenzim-të ardhura-fitim. Kjo lidhje abuzive është një histori e vjetër në praktikën e punës së drejtuesve, zyrtarëve, kontrollorëve e të hetimorëve tatimorë. Nga burimet e gazetës “Telegraf” lidhur me përmbajtjen e raportit hetimor që po mbahet sekret, rezulton se nga 1720 zyrtarë e inspektorë tatimorë që janë në krejt vendin, afro 1100 prej tyre, ose 60% e krejt punonjësve të këtij shërbimi, përveçse janë drejtues, kontrollor e hetues tatimor të shtetit, punojnë edhe në subjektet private si ekonomistë, financiarë, preventivues, rakordues, kostoistë, bilancues e madje deri inventarizues e magazinierë letrash fiktive të aktiviteteve private, punë për të cilën ata paguhen ilegalisht nga subjektet private. Por, që paguhen edhe nga shteti që t’i kontrollojnë për zbatimin e ligjit dhe përmbushjen e detyrimeve fiskale ndaj shtetit. 
Kupola e tatimeve ka pasur denoncime, por ka heshtur
Kupola drejtuese e tatim-taksave në qendër e në qarqe, ka pasur informacion dhe emra konkret punonjësish e drejtuesish të lartë, të mesëm e të ulët të tatim-taksave në Drejtorinë e Përgjithshme dhe në degët e 12 qarqeve, lidhur me skandalin e përgatitjes privatisht të bilanceve të bizneseve, nga tatimorët që zyrtarisht kontrollonin aktivitetin tatimor të tyre për të evituar, bllokuar e ndëshkuar evazionin fiskal dhe informalitetitn! Por gjithçka është lënë në heshtje të plotë, duke lejuar aktivitetin antiligjor e fiktiv të shefave dhe punonjësve të tatim-taksave. Urdhri që detyroi kontrollin e bërë pas shumë hezitimesh prej drejtuesve qendror u dha nga kryeministri Rama, pasi deri në 31 dhjetor 2015, në “postën e tij anti-korrupsion” kishin mbërritur 12 mijë e 859 denoncime të faktuara, lidhur me skandalin që vazhdonte në veprimtarinë e shërbimit të tatim-taksave, nga vetë drejtuesit edhe punonjësit e këtij sektori kontrolli. E ndërsa në postën e kryeministrit Rama kanë shkuar një “lumë” me denoncime për shefa, inspektorë tatimesh e familjarë të tyre që bëjnë privatisht bilancet e bizneseve që zyrtarisht duhet t’i kontrollojnë për zbatueshmërinë e detyrimeve tatimore, në “postën anti-korrupsion” të tatimeve kanë shkuar mbi 42 mijë denoncime, ndërkohë që në drejtorinë rajonale të Tatimeve të Tiranës, deri tani që drejtohet nga zëvendësi “liberal” i Kokthit që shkoi në pranga, kanë shkuar 14 mijë e 383 denoncime, 80% e të cilave nga “spiunë” brenda shërbimit të tatim-taksave, bërë për shefat e tyre dhe për njeri-tjetrin, duke informuar për skandalin që ndodh me fiktivitetin e kontrolleve të subjekteve private. Bizneset kanë arritur të fusin në rrjet kontrollorët dhe shefat e tatimeve, duke i joshur me pagesat për bilancet, në shkëmbim të heshtjes, por edhe të dekonspirimit të kontrolleve që mund t’u bëhen. Tatimorët që paguhen si “ekspertë e garantues” bilancesh private, i bëjnë “llogaritë” e subjekteve, duke i nxjerr “në rregull:, siç ua kërkojnë pronarët subjekteve, në shkëmbim të pagesave po ilegale. dhe çudia qëndron në skandalin, se pas bilanceve që tatimorët bëjnë tek privatët, shkojnë fiktivisht për të kontrolluar e firmosur akt-kontrollet dhe subjektet, të cilat “çuditërisht” rezultojnë përherë… “në rregull” rezultojnë në rregull. Po përmendim dy fakte: Afro 40% e subjekteve, që u bëhen bilancet ilegalisht nga tatimorët, rezultojnë me humbje, ose me bilanc 0-0, pra as fitim e as humbje që do të thotë se këto biznese mbahen hapur KOT, pa llogaritur bizneset që me biznese false nxirren me humbje, por që “çuditërisht” vazhdojnë aktivitetin dhe tatimet i lejojnë! Mirëpo, ka një shifër tjetër që është humbje për shtetin Humbja nga ky skandal me përmbajtje evazion fiskal, që bëhet nëpërmjet informalitetit që inskenon vetë shërbimi tatimor në abuzim me detyrën, shkon në vlerën 114 milionë USD në vit!
———————————————————
Shënim i “TELEGRAF”
Gazeta “Telegraf”, duke nisur nga sot e në vazhdim, hap një rubrikë denoncimesh, mendimesh, vlerësimesh, debatesh profesionale, lidhur me veprimtarinë e administratës tatimore në qendër e rrethe në raport me biznesin, ligjin e qytetarin duke ftuar në këtë bashkëpunim bizneset, specialistët e qytetarët, por në anonimat edhe “zërat” brenda administratës tatimore, të cilët mund të denoncojnë klentelizmin në kontrolle, korrupsionin, bizneset e zyrtarëve e familjarëve të tatimeve, doganave, shtetarëve qendror e lokalë dhe të “të fortëve” të Tiranës e të zonave, por edhe praktikat e rekrutimit të punonjësve, të largimeve të paligjshme nga puna, të presioneve me largime nga puna e të çdo rasti tjetër që bie ndesh me ligjin …
—————————————————–
LIGJI/ Konflikti i interesit gjatë ushtrimit të detyrës prej tatimorit
Ja Udhëzimi Nr. 26, datë 16. 12. 2014 “Për disa shtesa e ndryshime në Udhëzimin NR. 24, Datë 02. 09. 2008, “Për procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë” (Të ndryshuar) dhe Ligjit Nr. 9920, datë 19. 05. 2008, nenit 26, pika 4, me objekt: “Shmangia e konfliktit të interesit”, në të cilin përcaktohet ky detyrim: 
Neni 26
Shmangia e konfliktit të interesit, gjatë ushtrimit të detyrës të punonjësit të administratës tatimore
1. Nëpunësit dhe punonjësit e administratës tatimore zbatojnë, ne mënyrë te drejte e te paanshme, ligjet tatimore dhe nuk administrojnë, ndikojnë apo orientojnë tatimpaguesin ne veprimtarinë e tij. Inspektorët tatimorë, duhet të deklarojnë tek eprori direkt dhe të mos përfshihen në vlerësime tatimore, kontrolle apo investigime tatimore, etj., ndaj tatimpaguesve me të cilët kanë lidhje direkte ose indirekte në kuptim të këtij udhëzimi. Shkeljet e kësaj dispozite i paraqiten për shqyrtim Komitetit të Disiplinës nga eprori direkt i punonjësit që ka kryer shkeljen. 
2. Nëpunësit e administratës tatimore nuk mund te kontrollojnë apo vlerësojnë tatimet e veta apo te personave te lidhur me ta, me përjashtim te rasteve te vetëvlerësimit të detyrimeve të veta kur një gjë e tillë i kërkohet nga legjislacioni në fuqi. Deklarimi i rasteve të tilla si dhe dënimet në raste shkeljesh bëhen në përputhje me dispozitat e pikës 26.1. në lart. 
3. Nëpunësit e administratës tatimore nuk mund te punësohen, me kohe te pjesshme apo te plote, ne veprimtari te tjera me pagese, me përjashtim te veprimtarisë se mësimdhënies, apo punësimit të pjesshëm apo pjesëmarrjes në grupe pune në institucione shkencore e arsimore publike e jo publike, me qëllim të vetëm kryerjen e studimeve shkencore apo mësimdhënies, duke pasur parasysh edhe dispozitat e pikave 26.1 dhe 26.2 më lart.
4. Nëpunësi i administratës tatimore qendrore dhe vendore, që gëzon statusin e nëpunësit civil, ndalohet që të ketë zyrë të kontabilitetit apo të konsulencës fiskale në pronësi të tij apo të afërmve të tij, deri në shkallën e dytë, sipas Kodit Civil, dhe personave të lidhur, sipas ligjit për konfliktin e interesave. Kjo situatë përbën konflikt interesi dhe ndaj nëpunësit të administratës tatimore qendrore dhe vendore, që gëzon statusin e nëpunësit civil, merren masat e parashikuara nga legjislacioni në fuqi për shmangien e konfliktit të interesave, si dhe masa e largimit nga puna me pa të drejtë punësimi në administratën tatimore.”. (Ndryshuar me Ligj Nr. 99/2015, datë 23.09.2015. Botuar në Fletoren Zyrtare Nr. 187, datë 28 tetor 2015). 
Sigal