Ikën Bollano , Ilir Meta takon kreun e MEGA-s Kristaq Kiço për aleancat e 23 qershorit.

664
Sigal

Minoriteti, aty ku politikanët e rinj “eksperimentojnë demokraci”

Pas rezultateve në zgjedhjet më të fundit vendore, elektorati i zonave minoritare u përllogarit si 65% votues për partitë PS, PD, LSI etj dhe 35% për dy partitë në minoritet PBDNj dhe MEGA. Ndërkohë, lëvizja e lirë e shqiptarëve dhe ndërprerja e pensioneve si ndihmë nga shteti fqinjë, Greqi reduktoi masën e interesit të përfitimit si minoritarë dhe ka lënë të hapur mundësinë e mbështetjes së alternativave zhvilluese dhe mbështetëse në zonat ku banojnë minoritarët.

Tradicionalja dhe tendencat…

Në jug të vendit këtë fillim viti banorët minoritarë apo ortodoksë vendas po shijojnë festën tradicionale të prerjes së pites, një festë kjo e traditës greke. Një ëmbëlsirë me monedhën e vogël “fatsjellëse”  brenda dhe këmbimi i urimeve për një vit të mbarë. Një rastësi oraresh takimesh në sallën e takimit në Komunën e Finiqit janë kryetari i partisë së minoritetit MEGA, Kristaq Kiço dhe kryetari i LSI-së Ilir Meta. “Të bashkëpunosh është vlerë, në politikë për interesat e vendit është detyrë”, deklaroi zoti Meta duke i uruar pjesëmarrësit në takimin tradicional në Finiq, aty ku ngrihet kodra antike e kryeqendrës së Kaonisë. Dy miq studentë tani janë dy kryetarë partish, kryetarë të rinj të cilët në komunikimin me publikun po ofrojnë alternativat konkrete për ndryshimin përmes vlerave individuale. Duket më së shumti një përpjekje për të eksperimentuar me besim për demokracinë. LSI-ja ka në qeverisje një ministër nga minoriteti, ndërsa nga MEGA  2 vjet pas krijimit, është një parti ambicioze përballë PBDNJ-shit e përllogaritur si humbëse për shkak të shkëputjes nga baza. Çdo periudhë zgjedhjesh banorët minoritarë u përllogariten si bastion i sigurt në drejtimin e politikave mbështetëse financiare nga vendi fqinj. Me ndërprerjen e pensioneve financiare dhe heqjen e termit kombësi nga certifikatat elektorati është disi më i çlirët nga presioni dhe më në nevojë për politika konkrete zhvillimi e punësimi. Një numër në rritje i banorëve po kthehen nga emigracioni. Nga zgjedhjet më të fundit vendore, elektorati i zonave minoritare u përllogarit si 65% votues për partitë PS, PD,LSIetj dhe 35% për dy partitë në minoritet PBDNj dhe MEGA.

OMONIA, pas humbjes së Bollanos, një zhurmë deklaratash

PBDNJ pas çarjes së vitit 2009 vazhdon të tkurrë interesat përmes politikës së njëshit, një model tani e rivalizuar nga MEGA, përfaqësuesit e së cilës, ambicioz arritën 30 këshilltarë në herën e parë që garuan me siglën e tyre, duke tkurrur hartën elektorale të PBDNJ-së. OMONIA, si organizatë politike kulturore e minoritarëve pas humbjes së kryetarit Vasil Bollano në garën për Bashkinë e Himarës, e ka humbur ekzistencën e saj, pavarësisht deklaratave për shtyp që publikon nga vendi fqinj apo pas takimeve që nuk kryhen. Mesë shumti OMONIA po funksionon si një oborr personal sesa një organizatë në funksion të komunitetit të minoritarëve. Zbehja e OMONIA-s është një tjetër disfatë e PBDNJ-së, pasi historikisht kjo parti ka ekzistuar dhe funksionuar me të njëjtët anëtarë të organizatës dhe është mbrojtur duke qenë e vetmja. Dalja e MEGA-s ka sjellë telashe mes të vjetërve të pazareve Bollano-Dule dhe tendencës që kanë të rinjtë për një politikë jo më pronë e njëshit. Në zgjedhjet parlamentare të pritshme, përfaqësuesit e MEGA-s pohojnë se janë ambiciozë dhe konkretë, do të garojnë të vetëm, me një listë që do ta bëjnë publike duke respektuar njerëz që jetojnë dhe punojnë në Sarandë e  Gjirokastër, duke respektuar 30% e barazisë gjinore ashtu si në strukturat bazë të partisë së tyre. PBDNj-ja nuk shihet më si rivale për ta, por politikat dhe programi real i MEGA-s si një alternativë e mbështetur në Konventën Europiane  për të drejtat e Njeriut dhe në Kushtetutën e vendit. Lidhur me emrat e mësuar të dëgjohen nga komuniteti përherë si deputetë ka gjasa të ketë ndryshime të forta pasi kandidatët e MEGA-s do të vendosen në fund të shkurtit në mbledhjen e asamblesë, këshillit organizativ dhe Kryesisë së Partisë, duke respektuar bazën. Ndërsa nuk pohojnë ndonjë ide bashkëpunimi me Vangjel Dulen ata me humor shtojnë se një gjë dihet që Dule nuk kandidon në Gjirokastër pasi aty dy herë ka humbur.

Minoriteti dhe politika nga Athina

Si përherë në votime do të jenë të pranishëm minoritarët udhëtimi i të cilëve është paguar rregullisht dhe votimi i tyre i orientuar ka përcaktuar shpesh rezultate befasuese ne orët e fundit të votimeve, një tendencë kjo e fqinjëve për të ndikuar dominant në rezultatin përfundimtar. Për përfaqësuesit e MEGA-s tashmë është mbështetja e qeverisë greke, pasi alternativat që ata kanë në mbrojtje të të drejtave të minoritetit kanë tërhequr vëmendje. Pas zhgënjimeve nga dominanca e politikës së njëshit Dule apo Bollano, pas fitores së lëvizjes së lirë të vendasve, pas rënies së pensioneve , nuk mungojnë më konsulli apo deputetë grekë në veprimtaritë e MEGA-s, kjo parti po përpiqet të sjellë një frymë kriteresh dhe përfaqësim përmes njerëzve që jetojnë dhe punojnë në zonat minoritare duke respektuar kriterin e demokracisë, lidhjen me bazën dhe ngritjen e politikave të zhvillimit.

Zgjedhjet e pritshme, një strategji afër komunitetit

Pa asnjë koalicion apo aleancë të orientuar përfaqësuesit e MEGA-s janë optimistë për një rezultat të pritshëm pozitiv, bazuar si në ndryshimet e Kodit Zgjedhor për barazinë gjinore, tashmë e detyruar kuota 30 %, si dhe për nevojën që ka komuniteti i minoritarëve për të drejtat e tyre për më shumë zhvillim, arsimim, e progres përmes përfaqësuesve në Parlament, ku në gjithë Ballkanin minoritetet e njohura sipas tyre nga ndërkombëtarët gëzojnë përfaqësi. Duke komentuar dy partitë e mëdha, ata pohojnë se, nuk kanë ndonjë garë të fortë përveçse një infrastrukture ligjore që i mbron dhe pranisë së numëruesve apo komisionerëve. Kandidaturat e imponuara këtë herë në krye të listës do të jenë një favor për partitë e reja. Për ‘ta zgjedhjet e pritshme parlamentare janë pjesë e demokracisë në zhvillim në vend e për rrjedhojë janë elementët e demokracisë që në hartimin e listave dhe përzgjedhjen e njerëzve që jetojnë në komunitet që do t’i japin avantazhe MEGA-s.