I vranë vëllanë në sy të vajzës së mitur në Itali/ Vëllezërit Reçi dyshohet se u ekzekutuan për larje hesapesh

477
Sigal

Një vrasje me armë ka ndodhur në Rrëshen gjatë ditës së sotme, ndërsa viktima është Kastriot Reçi, pronar i një televizioni lokal ”media plus” në Mirditë.

Reçi është ekzekutuar në qendër të Rrëshenit, përpara biznesit të tij, ndërsa dyshohet se ngjarja ka ndodhur për motive hakmarrjeje.

Burime bëjnë me dije se ndaj Reçit është qëlluar me breshëri plumbash nga një makinë në ecje ku ndodheshin dy persona.
Mësohet se Reçit i kanë vrarë dhe vëllanë dy vite më parë në Romë, Gasper Reçi, ky i fundit i proceduar për posedim dhe shpërndarje të lëndëve narkotike.

Njoftimi i policisë për vrasjen e Kastriot Reçit:

Sot, rreth orës 11:05, në afërsi të një lokali në Rrëshen, Mirditë, në rrethana ende të paqarta është vrarë me armë zjarri shtetasi K.R., 47 vjeç.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/eve.

Shërbimet e Policisë të D.V.P. Lezhë, të Komisariatit të Policisë Mirditë, po krehin zonën si dhe janë ngritur pika kontrolli për kapjen e autorit/eve.

Vrasja e Gasper Recit në Itali:

Gasper Reci, 43 vjeç nga Rrësheni është ekzekutuar në vitin 2017 në banesën e tij në Via Simeri Crichi, në Tor Vergata.

Nga hetimet në atë kohë nuk u arrit të identifikohej asnjë person si i dyshuar për atentatin, pasi në momentin që është vrarë shqiptari nuk ka pasur asnjë person në vendngjarje.

Në momentin që është qëlluar në banesën e Reçit ka qenë vetëm vajza e tij, e cila nuk ka mundur dot të identifikojë autorët.

Edhe pse ambulanca ka mbërritur menjëherë në vendngjarje, Gasper Reçi nuk ka mundur të shpëtojë, pasi plagët e marra nga katër plumba i kanë shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Hetuesit italianë bënë të ditur se Gasper Reci kishte disa precedent penal në të kaluarën për posedim dhe shpërndarje të lëndëve narkotike.