I vjedhin mushkën, por hajduti e hedh në gjyq

640
Agron MEMA
Për të qeshur e për të qarë në shtetin shqiptar

Nuk mbarojnë çudirat dhe paradokset në shetin tonë. Hajduti të vjedh, por të hedh edhe në gjyq për dëmin psikologjik që mund t’i jetë shkaktuar nga gjurmimi i të zotit për gjetjen e mallit. Kjo ka ndodhur në fshatin Shën-Vasil të njësisë vendore të Lukovës, në Bashkinë e Himarës. Këtë fakt tronditës e sjell qytetari Xhevat Hoxha për gazetën “Telegraf”. 

Xhevati, tanimë në moshë të tretë, tregon për “Telegraf” se më 31 korrik 2016 në bahçen e tij i vjedhin mushkën. Duke hetuar dhe gjurmuar vet, gjen se autori i grabitjes është Seriat Rroshi, bari në stanet e Kurveleshit që dimërojnë në kullotat e Volloderit pranë Shën-Vasilit. Pas këtij gjurmimi, kur mushka u gjend, autori në polici deklaroi se e vodhi sepse i kish pëlqyer shumë ajo mushkë e për nja dy ditë do t’ia kthente përsëri. Pasi ky premtim nuk u mbajt, pas njëfarë kohe shkova tek i ati i tij në Golëm, i cili na priti sipas zakonit dhe u përgjigj sipas kanunit duke deklaruar edhe në sy të kryeplakut se mushka është shitur nga djali i tij dhe ky turp do shlyhet duke dëmshpërblyer. U prit, por më kot dhe po mbushet viti dhe fjala nuk u mbajt. 

-Por ajo që të çudit më shumë, thotë Xhevati, është fakti se gjykata e mbylli çështjen pa më njoftuar mua asnjëherë në seancat e përballjes juridike. Kur shkova vet në prokurorinë e Vlorës çështjen e gjeta të mbyllur. Por më e çuditshmja është se i ati, nga dëmshpërblyes që pranoi faktin edhe në prezencë të kryeplakut, tani është kthyer në akuzues duke më paditur në gjykatën e Gjirokastrës se djali është larguar pa adresë dhe shkaktar jam unë që kërkoj mallin tim të vjedhur. Dhe këtë e kam kërkuar nëpërmjet policisë dhe institucioneve të drejtësisë, pasi e kërkova edhe sipas zakoneve e kanunit, por fjala dhe besa nuk u mbajt dhe vet autori pranoi për vjedhjen e mushkës se ajo i kishte pëlqyer. Përveç këtij fakti çuditës që sjell Xhevati, mësojmë se në këtë fshat, Shën-Vasil dhe në fshatrat e bregut të Himarës kanë humbur kafshë dore dhe gjedhë e madje edhe koshere bletësh me dhjetra, por megjithse të zotit e mallit kanë gjurmuar dhe kanë gjetur autorët e grabitjes, këto fakte ia kanë përcjellë policisë, e cila çuditërisht nuk ka reaguar ose mbyllur çështjet. Madje reagimi qytetar ka mbërritur edhe në dyert e ish ministrit Tahiri dhe heshtja vijon ndërkaq që grabitësit kthehen në akuzues me proçese gjyqësore kundër të zotëve të mallit që janë pre e garbitjes së tyre .
Sigal