I hapet rrugë ndërtimit të Xhamisë së Madhe, qeveria gati shpronësimet

492
Sigal

TIRANE – Qeveria mori këtë të mërkurë vendimin për shpronësimin me vlerën e plotë të tokës private mbi të cilët do të ndërtohet Xhamia e Madhe e Namazgjasë, njëherësh duke i hapur rrugë ndërtimit të saj.

Zëvendëkryeministri Niko Peleshi tha se me miratimin e lejes zhvillimore më 3 Tetor nga Këshilli Kombëtar i Territorit,  iu dha fund ngërcit që pengonte nisjen e punimeve për këtë projekt.

Vendimi prek një çështje që është zvarritur shumë dhe që më në fund merr sot një zgjidhje konkrete. Projektvendimi i miratuar sot i hap rrugë zbatimit të projektit për ndërtimin e Muzeut të Bashkëjetesës. Ky vendim vjen si produkt i një iniciative të Ministrisë së Kulturës në bashkëpunim me Komunitetin Mysliman të Shqipërisë.  Ky vendim i jep fund odisesë së ndërtimit të Xhamisë së Madhe. Më në fund komuniteti mysliman do të ketë një objekt dinjitoz kulti në kryeqytet, ndërkohë që të gjithë qytetarët, do të përfitojnë një objekt unik siç është Muzeu i Bashkëjetesës Fetare që kremton një nga vlerat më të mëdha të shoqërisë shqiptare”, tha zëvendskryeministri Peleshi pas mbledhjes së qeverisë që drejtoi këtë të mërkurë, në mungesë të kryeministrit Rama i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në Kuvajt.

Zv/kryeministri Peleshi tha se shpronësimi do të behët me vlerën e plotë.

Kërkesa për shpronësim është shqyrtuar nga një komision i posaçëm i ngritur me urdhërin e ministrit dhe pas miratimit të saj pronarët e truallit janë njoftuar për shpronësimin dhe shkresa është botuar në Fletoren Zyrtare duke respektuar afatet e ankimimit të subjektit të shpronësuar. Shpronësimi do të bëhet me vlerën e plotë në mbështetje të legjislacionit në fuqi dhe do të përballohet nga Fondi i Shpronësimeve, në llogarinë e veçantë të Ministrisë së Financave pranë Bankës së Shqipërisë”, tha Peleshi.