Ylli: Një zanat sot, punë dhe pagë më e mirë nesër!

534
Kreu i Inspektoratit të Punës, Dritan Ylli bisedë me të rinjtë e shkollës profesionale industriale, Shkodër

Kreu Inspektoratit të Punës, Dritan Ylli ka bërë sot një vizitë në shkollën profesionale industriale në Shkodër. Tema e bisedës ka qenë bashkëbisedimi me nxënësit për rregullat e punësimit, të cilat janë shumë të rëndësishme si dije që ndoshta duhet të parashikohen në të ardhmen dhe në kurrikulat e shkollës, për më tepër kur bëhet fjalë për arsimimin profesional.

“Ka ardhur koha të mendojmë për punësimin që në bankat e shkollës dhe jo pasi e mbarojmë atë. Është shumë i rëndësishëm informimi i të rinjve, sidomos për sigurinë dhe shëndetin në punë, për të drejtat që ata do të kenë nesër si punëmarrës në vendin e punës”, ka thënë Drejtori i Inspektoratit të Punës, z. Dritan Ylli, i cili përreth 1 orë ka sqaruar personalisht të rinjtë se si duhet të informohen për tu njohur me të drejtat që duhet të kenë si punëmarrës, se si duhet të jenë të përgatitur me të drejta të plota për të gëzuar një punë të denjë nesër.

“Të rinjtë me zanat kanë akses më të shpejtë për punësim. Një punonjës i kualifikuar ka mundësi për punë më të denjë dhe pagë më të lartë”, ka thënë kreu i Inspektoratit, Ylli duke vënë theksin tek të pasurit të një profesioni sot është një meritë në tregun e punës, meritë kjo që të favorizon në punësim dhe pagesë.

Sipas Kreut të Inspektoratit të Punës, z.Ylli bashkëbisedimi me të rinjtë e shkollave profesionale ka rëndësi të veçantë për Inspektoratin si institucion, pasi arsimimi profesional është një derë ku nesër tregu i punës gjen mbështetje.

Ky takim me nxënësit e shkollës profesionale industriale në Shkodër vjen në vazhdën e takimeve të shumta që Drejtori Ylli po zhvillon kohët e fundit me objektivin e qartë: Informohuni për të ardhmen tuaj nesër se si të gëzoni një punë të denjë!
Sigal