Hyqmet Zane: Jeta e njeriut në Shqipëri në dorë të vrasësve

502
Sigal

Policia, shoqatat “mbrojtëse” dhe specialistët papërgjegjshmëri

Nga Hyqmet Zane

 Dita ditës po dëgjojmë dhe po shohim ngjarje të rënda që kanë si emërues të përbashkët vrasjen dhe më keq akoma vrasjet në familje. Sos që jeta jonë u bë një ferr i vërtetë, por edhe e keqja po na shoqëron deri në eleminimin e jetës së një burri, të një djali, të një vajze, të një gruaje të moshave të ndryshme, ku qartazi lexohet shprehja e urrjejtjes me përfundim vrasjen e njeriut. Lind pyetja se kush do duhet të mbrojë njeriun e shkretë, ku do gjejë mbrojtje, në polici, tek shoqatat në mbrojtje të grave, tek gjykata apo tek shteti ?

Që kërkohet një mbrojtje, kjo është domosdoshmëri, por ta kërkosh këtë mbrojtje dhe shteti bën sikur të mbron dhe si përfundim çdo gjë shkon tek eleminimi fizik, këtë askush nuk e kupton se si mund të ndodhë një gjë kaq lehtë.

Që jeta jonë është bërë kaq pa vlerë dhe shenjtëria e të Madhit Zot, ku njeriu është qenia më sublime po vritet  keqas në këtë vendin tonë, këtë po e shohim ditë për ditë. Por që të mos dalë një burrë që të thotë ndal kësaj të keqeje, kjo ndodh vetëm në një shtet si Shqipëria ku ligjin e bën krimi i organizuar dhe mafja e çdo gjëje, ku jeta të zhvlerësohet nga një prokuror dhe gjyqëtar i korruptuar apo një polic i papërgjegjshëm dhe injorant, nga një fjalë goje dhe nga një rastësi e pamenduar, që jemi bërë të huaj në vendin dhe shtëpinë tonë, këtë po e shohim, por si është  e mundur që këtë gjë nuk e ndjen një ministër i brendëshëm apo i drejtësisë apo vetë kryeministri që hera herës jep edhe mendje për punët e pamenduara të politikave të tij të mbrapshta.

Të vjen keq kur merr vesh se burri i divorcuar me fytyrë krimineli vret gruan, nënë e tre fëmijëve dhe vëllanë e saj, kur burri për një fjalë goje vret gruan e tij me çfarë t’i vijë për dorësh, kur për një vend varri sëpata i pret kokën tjetrit apo kur një hasmëri e vjetër zë pritë dhe merr jetë njeriu pa të keq e pa iu dridhur dora.

Imoraliteti i jetës sonë që ka marrë rrugët e botës dhe në vendin tonë ka mbetur vrasja, këtë po e marrim vesh, por që një burrë shkon deri aty sa tregon “forcën” e tij me grykën e armës, kjo nuk është aspak ligjshmëri, por papërgjegjshëmri, ndjenjë inferioriteti dhe idiotësi që ka përfshirë gjithçka në këtë vendin tonë të varfër në jetesë, por të varfër edhe në mendje dhe në qeverisje. Mjafton të dëgjosh kryeministrin apo një ministër që flasin si e ëma Zeqes majë thanës e thuaj pastaj që nuk merr frymë krimineli që të bëjë atë që ka në mendje dhe askush nuk ka mundësinë t’i ndalë dorën. Shikon policë pa fund nëpër rrugë që ndalojnë makina dhe vendosin gjoba për një pakujdesi të vogël të drejtuesve të mjeteve, ndërkohë që të fortët e këtij vendi shkelin çdo lloj rregulli në qarkullim dhe asnjë polic nuk i ndalon.  Shikon policë që i turren lokaleve për taksa, por nuk po shikon policë që të bëhen parandalues të krimeve, por dinë vetëm të mbajnë statistika që të thonë se këtë vit u vranë më pak se 5 vjet më parë, a thua që jeta  e njeriut është thjesht një statistikë.

Është rast i paprecedent që një grua shkon në polici për tu ankuar për shqetësimet që i bën burri i saj dhe, edhe pse ka urdhër mbrojtjeje, polici merr në telefon burrin e saj për ta lajmëruar se ajo, ish gruaja, ka ardhur për tu ankuar në vend që të bëjë të kundërtën, të zbatojë ligin e urdhërit të mbrotjes. Në këto kushte kjo grua e mjerë gjendet në “krahët” e një vrasësi që nuk merr parasysh asgjë dhe bën viktimë ish gruan. Sa gra kanë gjetur vdekjen edhe pse gjykata u ka dhënë urdhër mbrojtjeje dhe policia ka bërë sehirxhiun, si të thuash është bërë bashkëpuntor në vrasje. Këto qëndrime mbahen edhe në salla gjyqesh dhe gjyqëtarët as që ua vënë veshin kërcënuesve të jetës së njeriut. Një grua shkon dhe e denoncon rastin e saj fatkeq tek një shoqatë në mbrojtje të grave të divorcuara apo të dhunuara dhe përfundimi është asgjë, një specialiste që flet kodra pas bregu edhe në një ekran televizioni, që broçkullat e saj na i shet si studime dhe me këto merr edhe titull shkencor.

Janë të bëra, ndaj dhe janë të thëna dhe që janë një shqetësim i madh për shoqërinë se trishtimi i jetës së njeriut ka marrë dhenë dhe ikja nga vendi duket si zgjidhje adekuate, por që nuk është e tillë. Nuk mund të flasim për raste të pakta që ka edhe femra që kanë papërgjegjshmëri në sjelljet e tyre, por vrasja nuk është qëllimi final, nuk është zgjidhja, sepse ata që  e pësojnë më keq janë fëmijët që mbetën pa nënë dhe pa baba, që futet në burg dhe fëmijëria e tyre mbetet në jetimllëk, pa mbështetje dhe në varfëri dhe si një barrë e madhe edhe për njerëzit e afërt të shtëpisë, por edhe për vetë shtetin që do të duhet të kujdeset për to, nëse kjo është e vërtetë.

Edhe në rastet kur vrasësi futet në burg dhe dënohet, gjenden avokatë, gjendel klauzola ligjesh pa funskione në të drejtat e njeriut, gjenden amnisti apo psikiatri që ia lehtësojnë dënimin dhe një ditë e shikon të dalë nga dyert e burgut dhe më e keqja, i bën karshillëk edhe familjes së viktimës dhe një ditë ky vrasës do të jetë kontigjent vrasjesh qoftë edhe me pagesë se ia mori dorën dhe ka mundësira për të gjetur lirinë për të vrarë dhe shteti e shoqatat heshtin, por policia bën sehirin dhe jeta e shqiptarëve nxirrohet dhe kaq.

Ku je Veting?! A je gjallë apo ke vdekur?! Për çfarë po bëhesh ti?!

Por në mes të kaq shumë vrasjeve që nuk kanë  të sosur, del një problem se ku është shteti që të bëjë çarmatosjen e njerëzve, se ka nga ata që lëvizin ditën për diell me pistoleta në brez, ka nga ata që kanë armatime të shumta, ka familje ku arma ka gjetur një fole dhe në momentin e parë zbrazet pa të keq a thua se është krijuar për të vrarë njeri – tjetrin e jo që sështë mjet kundër armiqëve të kombit.

Në mes të kësaj varfërie, vrasja është bërë si mjet zgjidhjeje, por që e shton edhe më shumë varfërinë, inati është bërë dominues a thua se nuk jetojmë dot pa qenë të inatosur në gjithçka, jetojmë në vështirësi sa nuk po gjejmë rrugëdalje, veç të gjitha këto kanë si emërues të përbashkët vrasjen e njeriut në çdo cep të vendit kot më kot e pa shkaqe. Në këtë rast e në mes të këtij realiteti do të doja të flisnin specialistët jo për të mbushur oraret e emisioneve, do të doja të shikoja ministrin e brendëshëm jo si si një i krekosur që flet kumbulla të tharta, do të doja të dëgjoja kryeministrin që të fliste me urtësinë e trashëgimisë dhe jo me ashpërsinë e padijenive të veta.

Sa e vërtetë është që vlera e një njeriu, është në tre gjëra : Ta fshehësh varfërinë, aq sa me ndershmërinë tënde njerëzit të mendojnë se je i pasur. Ta fshehësh inatin, aq sa njerëzit të mendojnë se je i kënaqur. T’i fshehësh vështirësitë, aq sa njerëzit të mendojnë se je në mirëqënie. Do të doja që ta dinin këtë të gjithë shqiptarët, veçanërisht ata që pretendojnë se kanë përgjegjshmëri në jetën e tyre.