Historia/ “Si tentoi i fejuari të më prostituojë në Greqi”/

503
Një vajzë 18 vjeçe ka denoncuar në polici të fejuarin e saj, pasi ky i fundit ka tentuar ta prostituojë në Greqi.
Në denoncimin e bërë në polici, ajo ka deklaruar se kishte shkuar me të dashurin për të qëndruar disa muaj në shtetin fqinj, ku edhe ishte përballur me të papriturën.
Pas mbërritjes atje, D.M., 30 vjeç, ka tentuar që ta prostituojë vajzën me inicialet E.K., 18 vjeçe, duke i thënë se në këtë mënyrë do përmirësohej jeta e tyre. Sipas dëshmisë në polici, vajza ishte njohur me të dashurin e saj nga Patosi në Fier, ku më pas mes tyre kishte lindur një lidhje dashurie.
Në një periudhë kohe prej 6 muajsh ata kanë qëndruar të lidhur me dijeninë e familjeve të të dyja palëve. Para një muaji, së bashku kishin vendosur që të iknin në Greqi, aq sa u lejohet të qëndrojnë nga liberalizimi i vizave, për të punuar pak kohë që të përmirësonin jetesën nga të ardhurat që do të siguronin.
Kur kanë shkuar atje, siç ka treguar 18-vjeçarja, pas katër ditësh, burri i saj i ka thënë se kishte gjetur punë për të dy Ai do të punonte në një restorant, kurse ajo do të kryente marrëdhënie seksuale me njerëz, të cilët duhet t’i siguronte në këto restorante, që shërbenin për turistë, raporton “Panorama”.
Ai madje e ka siguruar se edhe ai do ta ndihmonte t’i gjente njerëz, meqë punonte aty, sepse në këtë kohë kishte shumë turistë të interesuar. Kur ka dëgjuar këtë ofertë të burrit, ajo është shqetësuar dhe ka bërë rezistencë ndaj tij. Vajza është larguar nga banesa duke u kthyer në Shqipëri.
Ajo ka mbërritur në Fier ditën e mërkurë në mëngjes dhe po atë ditë i është drejtuar komisariatit për ta vënë nën akuzë partnerin e saj, me të cilin kishte thurur ëndrra për të krijuar familje.
I dyshuari është shpallur në kërkim nga policia, ndërkohë që lidhur me këtë rast materialet iu referuan Prokurorisë së Fierit për ndjekje të mëtejshme. Për shkak se çështja është ende nën hetim, nuk bëhen me dije detaje të mëtejshme.
Sigal