Prindërit e fëmijëve që u helmuan nga ushqimi me salmonelë në kopshtin nr.1 në Gramsh kanë dalë në protestë para bashkisë, duke kërkuar zbardhjen e ngjarjes. Për mediat, ata shprehin shqetësimin për sigurinë e fëmijëve të tyre, ndërsa hedhin akuza se ngjarja është tentuar që të mbahet e fshehtë.
Kryetari i bashkisë së Gramshit, Besion Ajazi thotë se nuk bëhet fjalë për 72 të prekur, por për 14 raste, 6 prej të cilëve që kanë marrë shërbim spitalor.
Ai adresoi edhe akuzat për fshehje të ngjarjes, duke thënë se “nuk mund të mbulohet dielli me shoshë”, ndërsa shtoi se nuk ka pasur as presione apo intimidime.
Por duket se edhe hetimi i nisur do të marrë krejt një rrjedhe tjetër.
Prokurori i ngarkuar me zbardhjen e të vërtetës së helmimit të fëmijëve në Gramsh është vëllai i kryetarit të bashkisë.
Besion Ajazi kreu i bashkisë së Gramshit dhe vëllai i Kreshnik Ajazit kryeprokuror në qarkun e Elbasanit ka folur në lidhje me infektimin me salmonelë të fëmijëve në kopshtin publik numër 1 të Gramshit.
Sipas tij, bëhet fjalë për disa raste të izoluara, ku disa fëmijë janë paraqitur në spital me simptoma të dyshimta, ndërsa deri më tani nuk ka asnjë konfirmim për helmim masiv apo për shkaqet e sakta të gjendjes së tyre shëndetësore, pasi analizat ende nuk kanë përfunduar.