“Helicopter money” për biznesin si një alternativë për të shpëtuar ekonominë

777
Sigal

Nga Dr.Valter Hoxha, Universiteti Mesdhetar i Tiranës

Kemi mbërritur në fund të një muaj krize sanitare dhe duket sikur kjo situatë do të vazhdoj akoma edhe për një kohë të gjatë. Problemi është se janë shfaqur “simptomat” e para të gjendjes ekonomike ku nëse nuk ndërhyhet urgjentisht do të kemi pasoja të dhimbshme në të gjithë indikatorët makroekonomikë: ulje ekonomike,  rritje inflacioni, papunësi, etj. Deri më tani, ndërhyrjet e kryera : 12 miliardë lekë (Akti Normativ “për disa ndryshime në Ligjin Nr.88/2019 “Për buxhetin e vitit 2020” i datës 21 mars), 150 milionë dollarë ose 15 miliardë lekë (kamatëvonesat e falura të debitorëve familje dhe biznese të vogla deri në 14 milion lekë, për energji elektrike), 5.85 miliardë lekë (Vendimi Nr. 254, datë 27.03.2020 për ndihmën financiare për të punësuarit në subjektet që kapnin vlerën 14 milionë lekë të ardhura vjetore dhe të papunët para datës 10 mars) si dhe kjo e fundit prej 11 miliardë lekë (Vendimi Nr. 277, datë 06.04.2020, për garanci shtetërore të huas, për pagat e tregtarëve ose shoqërive tregtare, me bankat e nivelit të dytë),  kanë luajtur rol të rëndësishëm amortizues, ku shuma totale shkon afërsisht tek 440 milionë dollarë ose afërsisht 2,8% e PBB tonë vjetore. Problemi është se kjo shumë nuk mjaftojnë për të siguruar një qëndrueshmëri apo për të evituar një përsëritje të rënies ekonomike të vitit 1997, ku ekonomia jonë ra me një normë negative prej – 10.9%. Kam frikë se në fund të prillit, shifrat e INSTAT për PBB, mund edhe të na shokojnë, nëse nuk ndërhyhet menjëherë.  Postulati , në ekonominë e tregut ku edhe ne operojmë sot, është se vendi ynë që të ketë një ekonomi të qëndrueshme rritëse, duke marrë parasysh inflacionin vjetor, duhet që të ketë një rritje PBB të paktën mbi  4%.

Një “shok” të ofertës

Problemi është se situata që është krijuar për shkak të krizës sanitare ka dhënë goditje “shok” të ofertës. Kjo krizë nuk ngjason me asnjë tjetër të kaluar, për arsye nuk është krizë e tregut bursier siç ishte ajo e 1929, as e prodhimit që erdhi nga prodhimi i naftës në 1971, apo 1979, as politike si ajo e Luftës së Ftohtë (midis USA dhe URSS të vitit 1984) dhe as si ajo interbankare e 2008 (produkteve toksike “subprimes”). Covid-19 goditi faktorin punë duke e mbyllur në shtëpi. Shumë prej aktiviteteve ekonomike të cilët nuk janë kompatibël me kushtet e Covid-19 ose u mbyllen ose po punojnë në minimumin e tyre.

Një “shok” të kërkesës

Në 2018, sipas të dhënave të INSTAT, struktura e PBB me metodën e shpenzimeve paraqitesh : konsumi final i popullatës, i cili ka zënë edhe peshën më të madhe në PBB me 78%, i ndjekur nga konsumi i administratës publike me 11,29 % dhe konsumi i institucioneve jo-fitimprurëse në shërbim të familjeve (IJFSHF) me 0,79 %,  të gjitha bashkë përbajnë konsumin final me 90.18%; formimi bruto i kapitalit fiks, i cili përbën 23,49 % të PBB-së, si dhe komponentin e fundit eksportet neto me – 13.67% (figura 1).

Pra, Covid-19 shkaktoi një “shok” edhe në kërkesën agregate: konsumin (C) për shkak se populli është në shtëpi, investimet (I) për shkak të uljes së arkëtimit apo mbylljes së aktivitetit, edhe shpenzimet qeveritare (G) në momentin që të ardhurat janë ulur, si edhe komponentin e fundit eksportet neto (X-M) nga ulja e aktivitetit me jashtë si Italia, Kina, Gjermani,  Spanjë, Greqia apo edhe Serbia. Një rënie e kësaj kërkese ka shkaktuar një rënie të transaksioneve dhe të fluksit monetar për bizneset  e cila automatikisht shkakton një rënie të ekonomisë apo prodhimit të brendshëm bruto. Po të arsyetojmë me metodën e përjashtimit, ashtu siç tregohet edhe në figurën më poshtë (figura 1), aktivitetet e ekonomisë që vazhdojnë të jenë të paprekura deri në këtë periudhë, janë bujqësia që përbën edhe 21 % të PBB, industria nxjerrëse, përpunuese, energjia elektrike etj. (14 %), ndërtimi (10%), informacioni dhe telekomunikacioni (3%), aktivitetet financiare dhe sigurimet (3%), administrata publike (13%) si dhe një pjesë e tregtisë me pakicë dhe shumicë ku futen mallrat e konsumit ushqimor dhe shëndetësor. Në aktivitetet e shërbimit si arsimi apo telekomunikacioni, edhe pse punonjësit janë në shtëpi, teknologjia ua mundëson realizimin e punës. Pra duke deduktuar, aktivitetet që mbeten dhe që punojnë në minimum ose janë mbyllur komplet, janë aktivitetet e pasurive të paluajtshme (7%), argëtim dhe aktivitete të tjera shërbimi (3%) si dhe një pjesë e mirë e tregtisë me shumicë dhe pakicë (19%). Por duhet theksuar se edhe aktivitetet e industrisë përpunuese dhe nxjerrëse, që mund të punojnë, penalizohen nga shitja me pakicë ose përfundimtare, apo situata e ekonomive të vendeve me të cilat kemi import-eksporti. Rast konkret janë aktiviteti i fasonve që varet nga bizneset e tregtisë me pakicë në Itali apo vende të tjera eksportuese. Por nëse do të vendosim një shifër të përafërt, mund të hedhim hipotezën se kemi afërsisht një 20 % të ekonomisë që “argjëron”.

Problemi është se këto aktivitete (figura 1), përbëjnë edhe 22 % të punësimit total ose e përkthyer në shifra afërsisht 260 000 punonjës. Në një situatë të tillë, nëse nuk do të kemi një ndërhyrje efikase, do të rrezikoj që këta punonjës ti bashkohet armatës së numrit të papunëve, që sot janë  173 000 ose 6% të forcës aktive totale. Mjafton të kujtojmë shifrat e frikshme në SHAB ku u regjistruan vetëm në dy javët e fundit,  10 milion të papunë (https://www.washingtonpost.com/business/2020/03/26/unemployment-claims-coronavirus-3-million/)).

Një “shok” në arkën e Shtetit

Një mbyllje apo frenim i këtyre aktiviteteve do të shkaktoj gjithashtu, në mënyrë direkte, një rënie në zërat e të ardhurat të qeverisë. Një pjesë e mirë e TVSH-së, e cila zë edhe 31% të të ardhurave totale, vjen nga aktiviteti i tregtisë me pakicë të së mirave dhe shërbimeve, i cili është edhe zëri më shumë i prekur. Gjithashtu edhe zëri i të ardhurave nga fondet special, i cili zë 20% të së ardhurave totale, rrezikohet shumë, parë që aktivitetet e prekura punësojnë një pjesë të konsiderueshme të forcës aktive të punës. Këta persona jo vetëm që nuk kontribuojnë por, nesër do të jenë një barrë e madhe për buxhetin e Qeverisë. Me një përllogaritje të thjeshtë, në total janë 433 000 të papunë, me një pagë minimale prej 26000 lekë, do të kushtoj në muaj, për arkën e shtetit, 11 miliardë lekë ose 110 milionë dollarë amerikanë, pa përllogaritur të ardhurat e munguara të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, apo tatim mbi të ardhurën personale.

Një “shok” në sistemin bankar

Kjo situatë nuk kursen as sistemin bankar. Një ulje e rënies ekonomike tek të tre këta aktorë do të ketë impakt direkt në shlyerjen e kredive, duke rritur portofolin e kredive të këqija, por edhe në një rënie të konsiderueshme të aktivitetit të kredidhënies. Duhet të rikujtojmë se bankat e nivelit të dytë në Shqipëri, punësojnë afërsisht 7000 persona, kanë një vlerë të shtuar prej 3.1 % të PBB-së, dhe kanë një vëllim financiar kreditimi të agjentëve ekonomikë e përllogaritur sa 40,1% e PBB. Për më tepër këto institucione janë të kotuar edhe në bursë, që do të thotë se një rënie të së ardhurave të tyre mund të shkaktoj një krizë në sistemin bankar dhe një rrezik falimentimi.

Por cila është zgjidhja?

Siç e përmenda edhe më lartë, kjo lloj krize ka kapur si kërkesën ashtu edhe ofertën. Pra këtu si ekonomia e kërkesës ashtu edhe ekonomia e ofertës janë të implikuara. Covid-19 ka goditur të gjithë aktorët ekonomikë, si firmat si familjet ashtu edhe shtetin. Ai që është diskutuar deri më tani dhe që po operon edhe Qeveria jonë është mendimi neokejnesian, pra ndërhyrja e shtetit për të stabilizuar ritmin ekonomik. Në krizat e mëparshme, historia ka treguar që vetëm qeveritë mund të ristartojnë motorin ekonomik. Mjaftojmë të kujtojmë ndërhyrjen mbas Depresionit të Madh të 1929, të Qeverisë Amerikane të Presidentit Franklin D. Roosevelt, ose pas luftës së Dytë Botërore, ku në dorë rindërtimin e vendeve e morën qeveritë. Por edhe në situatën aktuale, të krizës prej Covid-19, të gjitha qeveritë e vendeve perëndimore kanë marr situatën në dorë duke theksuar se në mënyrë direkte dhe indirekte, nuk të ketë limit të levës monetare për të dal nga kjo krizë, duke siguruar tregjet dhe bizneset. Gjermania që në fillim planifikoi një ndërhyrje prej 550 miliardë eurosh ose afërsisht 14% të PBB, Italia 350 miliardë euro ose afërsisht  17% të PBB, Anglia 330 miliardë euro ose afërsisht 12 % të PBB, ndërsa Presidenti Trump, në fund të marsit firmosi 2200 miliardë dollarë ose gati 10% të PBB-së.   Problemi është që ashtu siç theksojnë edhe disa prej specialistëve të ekonomisë në vendin tonë por edhe Kryeministri Rama, Qeveria nuk e ka kapacitetin të veprojë si qeveritë e vendeve perëndimore, nuk jemi as Gjermani, as France dhe as SHBA.

Në fakt, Qeveria Rama, ka planifikuar plani “B”, që është deklaruar për nga mesi i Prilli, por që në mënyrë të paevitueshme do të risi borxhin publik. Kapërcimi i pragut 3% të deficitit të PBB në vit, nuk është një problem. Edhe në intervistën e fundit të nobelistit Joseph Stiglitz, në Itali, ai thotë qartë që ky nuk është një indikator shkencor. Pra Qeveria mund të shkoj edhe 2-fish apo 3-fish të deficitit të PBB,  të marrjes së këtij borxhi që do të thotë deri në 1 apo 1.5 miliardë dollar. Këtu problemi qëndron ashtu si arsyetojnë edhe me të drejtë nobelistët e paradigmës së ekonomisë së re klasike, të përfaqësuar që nga Robert Lucas Jr (« Prix Nobel » 1995),  Finn E. Kydland (« Prix Nobel » 2004),  e deri Thomas Sargent (« Prix Nobel » 2011). Qeveria për t’u kredituar, duhet ti drejtohet tregut sekondar që janë bankat e nivelit të dytë. Por kjo manovër ka kosto. Kosto për arsye se situata ekonomike nuk mund të sjell rritje ekonomike, përkundrazi jemi futur në recesion i cili mund të përllogaritet edhe në -10 apo edhe -20% të PBB nëse do të vazhdohet kështu deri në fund të vitit. Në recesion risku është tepër i lartë dhe bankat do të kërkojnë një rendiment më të lartë të letrave me vlerë (Bonot e Thesarit, obligacionet apo eurobondeve). Problemi është se do të gjendemi në një situatë tjetër mbas kalimit të krizës. Këta nobelist thonë se qytetarët apo firmat, parat e shpenzuara nga qeveria, do të fillojnë të mos ti shpenzojnë të gjitha të ardhurat për arsye se ata janë racional “rational expectations” dhe parashikojnë të ardhmen. Ata thonë që në një periudhë krize ekonomike ndërhyrja e shtetit nuk jep efekt për arsye se qoftë firmat qoftë individët e dinë që rritja e shpenzimeve nga ana e qeverisë shoqërohet më vonë me rritje të taksave. Kështu, për të qenë të përgatitur, këtyre ju duhet të kenë kursime. Ndërhyrja e shtetit ka efikasitet vetëm kur konsumatorët i gjen të papërgatitur, por vetëm në periudhë aftë-shkurtër (3-6 muaj). Në rastin tonë aktualisht, ndërhyrja e Qeverisë mund të ketë efekt afatshkurtër por qoftë familjet qoftë bizneset do të gjenden me një rritje taksash nga fillimi I vitit 2021. Kjo, për arsye se Qeveria jonë nuk kërkon të përfundoj si Qeveria Libaneze, çka do të jetë një barrë akoma më e rëndë për të gjithë ne. Për më tepër kjo manovër do të sjelli një ulje të kredidhënies për bizneset dhe familjet, parë që rendimenti i titujve të qeverisë është i lartë. Kjo ka efekt zinxhir qoftë në investime të brendshme qoftë edhe në frenim të eksporteve për arsye të normës së këmbimit për arsye se leku do të jetë më i vlerësuar.

Manovra tjetër është nxitja e ekonomisë së ofertës për ti dhënë oksigjen nëpërmjet uljes së taksave (Arthur Laffer, këshilltar i ekonomistëve për Administratën Trump) dhe rritjes së kreditimit për investime nga ana e bankave. Aktualisht, nuk jemi në këtë politikë por është e vërtetë që janë zhvendosur kostot në kohë si ajo e shlyerjes së kredive për 3 muaj, apo shtyrja e pagesës së qirave. Po aq e vërtetë edhe shuma e fondit të garancisë prej 110 milionë dollarësh kreditim, apo e ndihmës 6,5 miliardë lekë, që synon të mbaj punësimin dhe për rrjedhojë konsumin. Personalisht, mendoj se firmat nuk kanë nevojë për rritje kostosh apo spostim të barrës së tyre në kohë. Mbas 2 muajsh apo dhe më shumë, kur të mbaroj kjo situatë, ato do të gjenden me një barrë detyrimesh që nuk do të mund ti përballojnë dot, edhe pse mund ta shtrijnë në kohë. Të ardhurat e tyre varen nga rritja ekonomike që do të thotë nga konsumi apo kërkesa agregate që ka problemet e lartpërmendura. Këtu duhet parë edhe aspekti psikologjik i konsumatorëve të cilët për shkak të këtij shoku nuk do të shpenzojnë si më parë. Teoria e sjelljes konsumatore tregon se frika për një të ardhme të pasigurt frenon konsumin dhe rrit kursimet. Pra, frika se kjo mund të përsëritet do ti bëj ata më racional duke mos realizuar arkëtimet e nevojshme për bizneset. Në krahun tjetër janë miliarda (8.4) euro që vegjetojnë në bankat e nivelit të dytë, dhe për të cilat fitimet janë zero për të mos thënë edhe humbje për depozituesit.

Subvencionim direkt tek biznesi

Firmat që preken realisht sot, kanë nevojë për subvencionim të detyrimeve mujore : pagat e punonjësve, taksat e shtetit si dhe borxhet ndaj bankave apo të tretëve. Këtu nuk bëhet fjalë të nxjerrin fitim, ky qëllim parësor i qenësishëm i krijimit të tyre dhe që i ka orientuar gjithmonë nuk diskutohet, ato kërkojnë të mbijetojnë. Mbijetesa e tyre kushtëzon mbijetesën e familjeve, të shtetit dhe të sistemit bankar. E thënë ndryshe, nuk mund të shpëtojmë biznesin nga nxitja e kërkesës së shpenzimeve qeveritare, as nga familjet dhe as nga sistemi bankar për kreditim. Këto ndërhyrje thjeshtë amortizon për një periudhë të shkurtër kohe rënien por nuk shpëton bizneset dhe ekonominë.   Sot, të gjithë kontabilistët mund të konfirmojnë që bilancet e firmave po fundosen. Në të vërtetë, asnjë s’mund të bllokoj qarkullimin e “gjakut” të ekonomisë edhe pse për momentin një pjesë e saj ka kaluar në “argjërim” apo stanjacion të përkohshëm. Firmat e prekura kanë nevojë të mbajnë bilancet e tyrë të ekuilibruara qoftë edhe në mënyrë artificial. Shprehja e nobelistit të ekonomisë Milton Freedman  “Helikopter Money” ose e ashtuquajtur nga disa ekonomistë të sotëm “quantitative easing për popullin”, sot me këtë lloj krize, nuk mund të funksionoj për familjet, por mund të funksionoj për bizneset. Ideja është që mënyrë artificiale duhet të bëhet qarkullimi i parasë. Edhe nëse është krijuar një bllokim në këtë qarkullim, Banka Qëndrore ndërhyn direkt duke injektuar shumën e parave të barabartë me kostot mujore të biznesit, jo në formë kredie por ndihme apo subvencioni, duke mbajtur presionin e “gjakut” të ekonomisë në normalitet. Në këtë formë do të realizohen transaksionet në të tre kanalizimet: taksa, paga apo qira, dhe kredi. Edhe Qeveria nuk të ketë problem me të ardhurat, edhe bankat do të kenë në rregull bilancet e tyre, edhe qiradhënësit do të marrin rentën e tyre, edhe punëtorët s’do të rrezikojnë largimin nga puna dhe të ardhurat për familjet e tyre. Argumenti se do të kemi inflacion për shkak se do të rritet kërkesa atëherë që prodhim mungon, nuk qëndron. Kjo ndërhyrje bëhet për 20% të ekonomisë që më tepër janë tek shërbimet, por edhe nëse do të kemi një inflacion të kësaj shifre do të jetë vetëm tek ICK (Indeksi i Çmimeve të Konsumit) dhe tek ICP (Indeksi i Çmimeve të Prodhimit). Ky lloj inflacioni do të nxisi firmat të orientojnë investimet e tyre drejt këtyre sektorëve. Sot ne kemi një deficit import/eksport prej -13.7% të PBB (figura 1) ose afërsisht 2 miliardë euro në vit, që nëpërmjet këtij inflacioni do të modifikohet. Kjo për arsye se do të kemi një zhvlerësim të parasë e cila do të favorizoj prodhimin brenda vendit por qoftë edhe për eksport. Mjafton të kujtojmë se sektori bujqësor ka një import prej 70 milionë dollarë, produkte kimike dhe të plastikës 75 milionë dollarë, prodhim druri 12 milionë dollarë, energji elektrike 10 milionë dollarë, material ndërtimi 14 milionë dollarë. Vetëm në zërin “makineri dhe pjesë këmbimi” që kap një dalje prej 120 milionë dollarë, nuk kemi të ndërhyjmë në periudhë afatshkurtër apo mesme, për arsye se nuk kemi industri të rëndë. Gjithsesi janë 190 milionë dollar në muaj që na ikin jashtë vetëm se nuk kemi prodhim të brendshëm, dhe ndoshta nga të gjitha të këqijat e kësaj krize kjo është e avantazhi, se do të orientoj investimet tona në prodhimin vendas.

Orientimi drejtë një fitimi të vlerës shumpeteriane

E fundit, kjo manovër do t’u japi kohë firmave të prekura të ristrukturojnë mënyrën e prodhimit dhe të shërbimit me të cilën ato funksionojnë sot. E kam fjalën këtu për investimet në inovacion. Ashtu siç e kam përmendur edhe në një shkrim muajin mars, firmat sot gjenden në një situatë ekonomike stanjacioni dhe në vazhdim, reçesioni. Asnjë biznes nuk ka dëshirë te punoj në ekonomi stanjacioni dhe me keq akoma në situatë deflacioni ekonomik. Edhe ata qe punojnë fitimin do ta nxjerrin tek ulja e kostove, pra ose do te shkurtojnë punëtorë dhe do te rritet papunesia ose do te ulin pagat e punonjësve. Duhet që firmat nuk duhet të shqetësohet për kostot por të merren me ristrukturimin e tyre. E vetmja mënyrë sot që firmat të krijojnë vlerë është ajo shumpeteriane.