Haxhinasto të hetohet për 85 milionë eurot e Albpetrol

243
Dekriminializimi i politikës është një nga detyrat kryesore të politikës shqiptare për vetëpastrim, por edhe një nga kushtet me të cilat Bashkimi Europian nuk bën asnjë kompromis. E ka deklaruar këtë gjë ish – Komisionari për Zgjerimin Stefan Fyle dhe vazhdojnë ta kërkojnë me ngulm edhe Kancelarja Merkel, Departamenti Amerikan i Shtetit dhe të gjithë organizmat e tjera. Me pak fjalë pa dekriminalizimin e politikës dhe pa çuar para drejtësisë të gjithë trafikantët, kontrabandistët, skafistët, kriminelët, grabitësit dhe abuzuesit e pasurisë kombëtare nuk ka dhe nuk do të ketë derë të hapur për Shqipërinë 
Skandali i privatizimit të “Albetrol”
Këto ditë skandaleve të shumta ekonomiko-financiare i shtohet edhe një superskandal që është “harruar” në dukje, por që në realitet ai nuk harrohet kurrë pasi ka të bëjë me miliona euro që duhej të shkonin në buxhetin e shtetit dhe taksapaguesve shqiptarë. Bëhet fjalë për privatizimin e “Albpetrol” dhe konkretisht për ngurtësimin e kontratës në shumën e 10 % të vlerës së ofertës së paraqitur nga fituesi i këtij prokurimi. As më shumë dhe as më pak ishin plotë 85 milionë euro të cilat Ministria e Energjisë dhe ministri i saj Edmond Haxhinasto deklaronte se janë të garantuara pasi ofertën dhe shumën përkatëse e kemi verifikuar dhe jemi të garantuar se ajo është në bankë. Tenderi për privatizimin e “Albpetrol” për të gjithë ata që ndoshta nuk e kanë shumë të fortë kujtesën është shpallur më 3 tetor 2012 dhe fitues u shpall “Vetro Energy”, e cila ofroi vlerën e 850 milionë eurove. Oferta u hap nga komisioni i tenderit ku kryetar i entit të prokurimit ishte Ministri i Energjitikës, Edmond Haxhinasto (sot Ministër i Transporteve). Sipas ligjit, kompania duhet të binte dakord me Ministrinë dhe kreun e saj Edmond Haxhinasto për firmosjen e kontratës brenda një afati 30-ditor. Ky afat mund të shtyhej, ashtu siç edhe ndodhi, vetëm me 30 ditë të tjera. Pra, sipas ligjit, në fillim të dhjetorit 2012, kontrata duhet të firmoset dhe “Vetro Energy” duhet të paguajë 170 milionë euro si garanci shtesë. Megjithse koha ishte e mjaftueshme për plotësimin e dokumentacionit, Ministria e Haxhinastos shpalli tenderin dhe la nga pas një litar të cilin mund ta tërhiqte sa herë të donte. 

Raporti i KLSH për asetet e “Albpetrol”

Bëhet fjalë për hipotekimin e objekteve dhe aseteve të “Albpetrol”, të cilat më vonë, sipas një raporti të KLSH, na rezulton se “Janë me qindra puse që janë pronë e “Albpetrol”, por nuk janë të regjistruara në hipotekë. “Albpetrol” sha, nga 649 objekte të regjistruara (ndërtime, kabina elektrike dhe depozita), ka marrë dokumente pronësie për 229 prej tyre, ose 35.3%, janë në proces 186, ose 28.7% dhe janë jashtë procesit 36% e tyre,ose 234 objekte. Gjithashtu, nga 5480 puse të naftës dhe të gazit në inventar, kanë certifikata dhe vërtetime pronësie vetëm 19% prej tyre 1041 dhe janë akoma pa dokumente pronësie 4439 të tjera”, thuhet në raportin e KLSH-së. Janë pikërisht këto asete që po frenojnë mbylljen e procesit. Pra me sa duket ky litar është lënë qëllimisht jashtë për ta përdorur si mjet shpëtimi në rast se Haxhinasto dhe “blerësit” do të binin në pusin e naftës. Dy janë momentet që do të investigohen nga komisioni parlamentar, prokuroria dhe krimi ekonomik. Deklaratat e bujshme të Ministrit se ngurtësimi 10% i barabartë me 85 milion euro është i sigurtë në bazë të formularit që zotëronte Ministri Haxhinasto dhe “Shpërdorimi i detyrës” nga Ministri Haxhinasto i cili shpalli tenderin për shitjen e një malli (“Albpetrol”), ndërkohë që ky mall nuk ishte i hipotekuar. Sigurisht që kjo nuk ishte rastësi, por një veprim i cili do analizohet gjerë dhe gjatë nga specialistë të fushës dhe ekspertë të së drejtës, së bashku me deklarata zyrtare për sigurinë e ofertës. Bashkë me to do të investigohen edhe shitjet e HEC-ve të Bistricës, Shkopetit etj, të cilat mbajnë firmën e ministrit në fjalë. 

Skandalet në Minsitrinë e Transporteve

Veprimtarisë së Edmond Haxhinastos në ministrinë e Energjitikës do t’i shtohen edhe ato të Ministrisë së Transporteve dhe Rrugëve gjatë këtyre dy viteve. Skandale të paimagjinuara do të dalin në shesh dhe shqiptarët do të tmerrohen për babëzinë e milionave të rrugëve, procedurave dhe ndryshimeve të projekteve. Të tjera kërkesa dhe specifikime do të dalin në shesh dhe taksapaguesit që po aksidentohen dhe humbasin jetën në rrugë do binden se aksidentet e automjeteve, veç të tjerave, kanë edhe një shkak dhe ky është grabitja e milionave dhe cilësia e dobët teknikisht e rrugëve dhe sinjalistikës rrugore. Do të shohim se si merren tenderat, kush i mere, ku hanë, ku pinë dhe ku punojnë këta “fitues’ të djersës dhe gjakut të shqiptarëve të varfër. Kolaudimi i mjeteve dhe atyre që kanë të bëjnë me sigurinë dhe kontrollin e automjeteve në rrugë, si dhe koncesionet e turpshme te rrugëve që janë bërë gati dhe pritet vetëm shpallja e tyre, do të përbëjnë hendekun e madh, të cilin Ministri Edmond Haxhinasto jo vetëm që nuk do e kalojë dot, por do ta rendisë në listën e atyre që duhet të jenë pjesë e dekriminalizimit, largimit nga politika dhe hetimit penal.