Harry Bajraktari: Një nderim që zgjon kujtimet e vitit 1992

239
Sigal

Nga Harry Bajraktari

Jam i gëzuar që miku im Christopher Hyland është nderuar më në fund në Kosovë.

Dje ai pranoi Urdhërin “Dr. Ibrahim Rugova” nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Christopher Hyland ka luajtur një rol kyç në prezantimin e komunitetit tonë me fushatën presidenciale të Guvernatorit Bill Clinton në vitet 1991-1992. Puna e tij në atë kohë hodhi themelet e marrëdhënies së shkëlqyer që ndërtuam më vonë me ndihmën e Eliot Engel dhe miqve të tjerë në Washington me administratën e Presidentin Bill Clinton, çka çoi në luftën për çlirimin e Kosovës in 1999.

Presidentja Vjosa Osmani nderon zotin Christopher Hyland me Urdhërin Dr. Ibrahim Rugova.

Dua të falenderoj me këtë rast vëllezërit Bitici, miqtë e mi të mirë John dhe Sergio si dhe vëllezërit e tjerë Mike dhe Joe, të cilët ishin të parët që e njohën dhe e sollën Christopher Hylandin në mesin tonë. Kontributi i tyre ka qenë themelor në punën tonë.

Përgjatë vitit 1992, kam shërbyer si pikë lidhje me Hylandin mes komunitetit tonë dhe fushatës së Presidentit Clinton. Kisha themeluar gazetën “Illyria” në vitin 1991 dhe mbështetëm publikisht kandidatin Bill Clinton për President. Kur ai fitoi në zgjedhje, unë dhe Elez Biberaj nga Zëri i Amerikës udhëtuam për në Arkansans për t’u takuar me ekipin e Presidentit-të-Zgjedhur. Ne i paraqitëm administratës së re çështjen e Kosovës, çështjen shqiptare dhe pikëpamjet e komunitetit shqiptaro-amerikan.

Zoti Hyland ishte aty dhe na mirëpriti e ndërmjetësoi për ne. Jam i gëzuar që kontributi i tij nga ajo kohë nuk është harruar dhe që u nderua në Kosovë me Urdhërin “Dr. Ibrahim Rugova”, që mabn emrin e Presidentit të parë dhe babait të Kosovës së lirë dhe të pavarur.

Urime zoti Hyland!