Hapet këndi i ri i lojërave në Sauk, Veliaj: Fëmijët janë epiqendra e qytetit tonë

317
Sigal

Pas rehabilitimit të 7 rrugëve në bllokun “Enver Preza” në Sauk, banorët e zonës kanë edhe një kënd të ri lojërash për fëmijët. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u rikthye në këtë bllok banimi për përurimin e këndit të lojërave, i cili u ndërtua falë ndihmës nga Tirana Bank. “Ishim këtu para 3-4 javësh dhe pamë se lagja ishte një djerrinë. Sot Rr. “Enver Preza” ka 7 degëzime rrugësh me kanalizime, ndriçim, asfalt, kurse këndi i lodrave është si qershia mbi tortë. Më vjen mirë që rikthehemi për të disatën herë në Sauk, ku i kemi marrë lagjet me radhë”, tha Veliaj. Ai nënvizoi se fëmijët janë epiqendra e vëmendjes së bashkisë dhe siguroi vijimin e investimeve të tilla. “Me fjalë fëmijët i kemi më të rëndësishmit, por hapësirat publike nuk ua vëmë në dispozicion atyre. Në pjesën më të madhe, hapësirat publike, ose kanë qenë, ose janë kthyer në lavazhe, gomisteri dhe parkim makinash. Nëse fëmijët janë vërtet epiqendra e vëmendjes tonë, duhet të jenë edhe epiqendra e qytetit tonë. Pra, hapësirat e vogla mes lagjeve nuk mund të jenë për makinat ose për ferrat, por për fëmijët”, u shpreh ai. Këndi i ri ka module të ndryshme lojërash, stola, ndriçim dhe më shumë gjelbërim, duke u kthyer në një oaz për të gjithë komunitetin.