Grabitja e 3.2 mln dollarëve në Rinas, çfarë zbuloi prokuroria për 6 punonjësit e sigurisë

322
Rreth 50 ditë pas vjedhjes së 3.2 milionë dollarëve që po transportoheshin për në Rinas, Prokuroria e Tiranës mbylli hetimet dhe dërgon për gjykim 6 punonjësit e kompanisë së sigurimit fizik që shoqëronin valutën nga një bankë e nivelit të dytë në drejtim të aeroportit ndërkombëtar. Të pandehurit akuzohen për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, në bashkëpunim.
Si ndodhi ngjarja
Në datën 09.02.2017, punonjësit e një kompanie private sigurimi publik, shtetasit Fatmir Gapi, Xhelil Metaj, Dashamir Balla, Përparim Logu, Endrit Daci dhe Gentian Dedja, kishin për detyrë që të kryenin transportin me dy automjete të monedhave të ndryshme në valutë nga selia e një banke të nivelit të dytë në Tiranë, në drejtim të aeroportit të Rinasit, ku paratë do të imbarkoheshin në avion, sipas rregullave në fuqi.
Rrugës për në Rinas, në zonën pranë një Universiteti privat, automjetet e transportit të parave u ndaluan nga disa persona të armatosur, të cilët, pasi neutralizuan rojet fizike, vodhën disa thasë me para, të cilat, gjatë hetimit, rezultoi që ishin rreth 3.2 milionë euro.
Punonjësit e kompanisë private të sigurimit shpërdoruan detyrën
Nga hetimet e Prokurorisë së Tiranës rezultoi se punonjësit e kompanisë së sigurimit fizik, të ngarkuar me transportin e kësaj shume parash, nuk kanë kryer detyrat e tyre, duke bërë të mundur që agresorët të merrnin paratë dhe të largoheshin.
Hetimi për 6 punonjësit e kompanisë së sigurimit është zhvilluar nën masën e sigurisë “arrest në burg”. Ndërkohë, për ekzekutorët e vjedhjes, hetimet po zhvillohen nga ana e Prokurorisë për Krime të Rënda dhe deri më tani janë të arrestuar disa persona si të dyshuar se kanë qenë pjesëmarrës aktivë në grabitjen me armë.
Sa u përket përgjegjësisë së punonjësve të kompanisë së sigurimit fizik, Prokuroria e Tiranës ka krijuar bindjen e bazuar në prova se ata duhet të gjykohen për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, e kryer në bashkëpunim.
Shkeljen e konstatuara
Në mënyrë të përmbledhur, nga ana e Prokurorisë së Tiranës janë konstatuar, veç të tjerave, disa shkelje, për të cilat mbajnë përgjegjësi punonjësit e ngarkuar me shoqërimin e shumave të parave, të cilat u bënë objekt vjedhjeje në datën 09.02.2017.
Kështu, Prokuroria e Tiranë ka konstatuar si shkelje se:
– nga ana e të pandehurve, çanta me GPS (e cila mund të ndihmojë vendndodhjen e parave në rast vjedhjeje) nuk është futur midis parave të tjera. Kjo çantë është mbajtur veçuar në kabinën e mjetit dhe nuk është vënë në punë. Ky veprim është kryer me dashje.
– Nuk është lidhur me sallën opertative për ngjarjen e ndodhur. Lidhja me sallën operative është e nevojshme në rastin konkret për të zbuluar autorët e veprës penale.
– Mungon instruktazhi i punonjësve të kompanisë së sigurimit që kanë transportuar para se si duhet të veprohej në raste të tilla.
– Makinat nuk kanë qenë të blinduara dhe janë depërtuar nga predhat e plumbave të qëlluara prej grabitësve. Kjo do të thotë se të gjithë personat nuk duhej që të lëviznin me këto makina, pasi janë jashtë standartit.
– Në këto kushte, pa eksperiencë, duke shkelur ligjin, punonjësit me dashje direkte kanë shpërdoruar detyrën. Ata, me dashje, kanë shkelur ligjin, duke mos respektuar kushtet e sigurisë.
– Janë fikur pa asnjë shkak kamerat e sigurisë së makinave të blinduara. Kjo do të thotë se, me dashje, të gjithë personat që kanë qenë në makinë, kanë ulur kushtet e sigurisë së lëvizjes së parave, si edhe janë bërë pengesë për zbardhjen e mekanizimit të ngjarjes. Pas ngjarjes ka rezultuar se kamerat e të dy makinave nuk kanë qenë në punë. Të gjitha këto veprime janë bërë me dashje direkte dhe kanë lidhje edhe më pasojën e ardhur.
Po kështu, në kundërshtim me sa parashikojnë aktet ligjore dhe ato nënligjore në zbatim të tyre, nga kqyrja, ka rezultuar se nuk ka patur asnjë gjurmë të njoftimit me alarm nga punonjësit e shoqërimit, konkretisht të automjetit të blinduar.
Për këto shkelje, si edhe të tjera, Prokuroria e Tiranës ka analizuar përgjegjësinë e 6 punonjësve të sigurisë, për të cilët kërkon gjykimin e tyre për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, kryer në bashkëpunim.