Gjysma e Shqipërisë feston Ditën e Verës

692
Shqiptarët jetojnë 2 realitete të kundërta njëkohësisht, një pjesë luftojnë të mbijetojnë nga uji që u ka zënë derën, shtetarët argëtohen, duke “harruar” të mbyturit në mëshirën e fatit
Dita e Verës, festa pagane, që ka “kryeqytetin” e saj Elbasanin. Dita e Verës simbolizon ditën e luleve, ditën e parë të pranverës. Kryeqendra e festës, Elbasani mblodhi mijëra njerëz për të pritur stinën e ngrohtë. Daton që në antikitet, por elbasanllinjtë janë kujdesur që të përçojnë ndër breza festën tradicionale të Ditës së Verës. Festimet nisën herët në mëngjes dhe qytetarët iu gëzuan diellit të ngrohtë e aktiviteteve të larmishme. Siparin e festimeve e çelën karnavalet, ku nxënës së shkollave nëntë-vjeçare përcollën mesazhe sensibilizuese për dhunën, korrupsionin dhe mbrojtjen e mjedisit. Aktiviteteve iu bashkuan me mijëra qytetarë, por më entuziastë ishin të vegjlit. Ata që numërojnë më shumë vite jete thonë se, tradita e Ditës së Verës ka pësuar ndryshime. Për ta ëmbëlsira tradicionale është revania dhe jo ballokumja. “Pranvera gëzohet në natyrë kryesisht dhe jo brenda rrugëve të qytetit. Revania është ëmbëlsira e Ditës së Verës dhe jo ballokumja”. Dita e Verës ka rënë edhe në veshin e të huajve, ndërsa Elbasani në këtë ditë të veçantë pati vizitorë edhe nga Australia e largët.

Turisti: “Udhëtimin në Evropë e kam ndalur prej disa ditësh në Shqipëri ku kam ardhur enkas për Ditën e Verës. Njerëzit këtu janë miqësorë dhe sot ka shumë aktivitete. Provova diçka të ngjashme me biskotën, që ju e quani ballokume dhe m’u duk shumë e mirë.”

Për shumë familje në Elbasan, Dita e Verës shihet edhe si një mundësi për të fituar më shumë të ardhura përmes shitjes së ballokumeve. Ata shprehen se këtë vit mundi i tyre nuk u shpërblye me shitje te larta.”Sivjet janë shitur më pak se vitet e tjera”. “Ka pak rënie, po mirë”. Reshjet e shiut në mesditë kthyen pranë vatrave familjare qytetarët për të konsumuar drekën tradicionale të Ditës së Verës.

Mijëra qytetarë festuan Ditën e Verës në Tiranë
Dita e Verës mbushi si çdo vit rrugët dhe sheshet kryesore të kryeqytetit. Atmosfera festive ndihet sot kudo në rrugët dhe në sheshet e qytetit të Tiranës. Kryeqyteti ka veshur ngjyrat e festës, ndërkohë që koha e mirë dhe aktivitetet e shumta të parashikuara nga Bashkia e Tiranës kanë bërë që mijëra qytetarë të dalin shëtitje bashkë me familjet dhe miqtë. Kur akrepat e Kullës së Sahatit shënuan orën 12:00, mijëra qytetarë të grumbulluar në sheshin “Skënderbej” ndoqën për disa minuta spektaklin e dhuruar nga një prej pilotëve më të mirë të aeroplanëve sportivë, Martin Sonka. Aeronautika shqiptare në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës organizuan një shfaqje fantastike në qiellin e kryeqytetit me rastin e Ditës së Verës, ku krahas akrobacive të aeroplanit sportiv, një numër pilotësh fluturuan me balona me motor duke i dhënë ngjyra të tjera qiellit. Por edhe Liqeni Artificial ishte tejet i frekuentuar. Festimet nisën me paradën e parë të karnavaleve të organizuar prej fëmijët e shkollave 9-vjeçare, por edhe Flota Kombëtare e Pilotëve Kosovë-Shqipëri ka surprizuar. Në festime mori pjesë dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, i cili uroi qytetarët për Ditën e Verës. Vëmendje në këtë ditë i ishte kushtuar dhe një tjetër kategorie. Gratë e dënuara që ndodhen në burgun “Ali Demi” ekspozuan punimet e tyre artizanale dhe blerësit kanë qenë jo të pakët. Ndërsa në këtë kënd një tjetër gjetje interesante, Ambasada suedeze kishte sjellë fotot e 25 baballarëve suedezë, të cilët kishin zgjedhur të qëndrojnë në shtëpi të paktën për 6 muaj, duke marrë lejen e lindjes. Me anë të këtyre fotove, autori zbulon se çfarë nënkupton leje prindërore për këta baballarë dhe mënyrën se si ka ndikuar në marrëdhënien mes prindërve dhe fëmijëve. Aktivitetet festive mbyllen në mesnatë ku të rinjtë do të kenë mundësi të ndjekin DJ dhe këngëtarët më të mirë të momentit të zhanreve të ndryshme muzikore.

Sigal