Në zemër të kryeqytetit, Gjykata Administrative e Tiranës institucioni, që duhet të mishërojë funksionimin efikas të shtetit ligjor, operon prej vitesh në kushte që vështirë se mund të përshkruhen si dinjitoze.
Kjo gjykatë, e ngarkuar me një nga volumet më të mëdha të çështjeve në Shqipëri, funksionon në mungesë të infrastrukturës bazë. Salla gjyqi të pakta, ambiente të papërshtatshme për zhvillimin normal të seancave, mungesë hapësirash për publikun dhe median, kushte minimale për avokatët dhe palët në proces. Disa seanca mbahen në korridore, apo ambiente të përkohshme një realitet që nuk përputhet aspak me rëndësinë dhe natyrën e veçantë të kësaj gjykate.
Avokatët dhe qytetarët shpesh presin në këmbë ose në kushte të papërshtatshme, ndërkohë që gjyqtarët përballen me një mbingarkesë çështjesh dhe mungesë logjistike. Të gjitha këto e dëmtojnë seriozisht efikasitetin dhe perceptimin për drejtësinë administrative.
Ndërkohë që institucionet e drejtësisë po kalojnë reforma të thella, përfshirë vetingun dhe krijimin e institucioneve të reja, infrastruktura e kësaj gjykate jetike mbetet jashtë vëmendjes. Pyetja që lind është: A mund të kemi drejtësi të shpejtë dhe të paanshme në një gjykatë që s’ka as sallë për të zhvilluar seancat?
Në një vend ku çdo detaj protokollar zbatohet me përpikmëri në zyrat qeveritare, mungesa e një godine dinjitoze për Gjykatën Administrative të Tiranës është jo vetëm paradoksale, por edhe alarmante.