Gjiknuri të revokojë licencën e ARMO-s, gjoba e pamjaftueshme

490
Sigal

50 milionë lekë (të vjetra) është gjoba, që kompania e naftës ARMO ka marrë nga Inspektoriati i Mjedisit për shkak të ndotjes së lumit Gjanica. Mësohet se ARMO ka bërë shkarkime të mbetjeve në lumin që kalon mes përmes qytetit të Fierit, duke sjellë ndotje të tij dhe zonave pranë. Inspektorëve të mjedisit i duhej denoncimi i medias për të lëvizur nga zyrat e tyre dhe për të konfirmuar katastrofën mjedisore të shkaktuar nga azerët e ARMO-s. Gjithsesi, shuma e gjobës prej 50 milionë lekësh është e pakonsiderueshme, duke patur parasysh pasojat që sjell kjo katastrofë mjedisore te banorët e zonës. Së paku, ministri i Energjetikës, përveçse duhej të kishte reaguar në kohë për këtë skandal, duhej të kishte revokuar licencën e kësaj kompanie.

Skandali vazhdon…

Edhe pse inspektorët e mjedisit vunë një gjobë, në Ballsh vazhdon të jetë e njëjta situatë:

1. 70 % e banorëve të Ballshit rezultojnë të jenë me karbon në gjak. Ata kërcënohen çdo ditë nga vdekja për shkak të nivelit të lartë të ndotjes nga rafineritë e naftës të kompanisë “ARMO” në pronësi të biznesmenëve azerbajxhanas. Shtëpitë e banueshme janë shumë afër rafinerisë dhe përballen me ajër të ndotur dhe të dëmshëm për shëndetin. Djegia e karburantit krijon struktura benzenike, që mjekët e vlerësojnë si kancerin në mushkëri. Kompania e azerëve të naftës ka përfituar dhe po vazhdon të përfitojë (për të s’janë asgjë 50 milionë lekë gjobë), për shkak të paaftësisë dhe pandëshkueshmërisë nga ana e strukturave shtetërore shqiptare, duke vendosur stacionet e gazit të rrezikshëm, të pozicionuar vetëm pak metra larg banesave. Banorët janë të varfër deri në palcë dhe të kërcënuar nga ndotja masive. Ndërsa pasojat në shëndet janë të parikoperueshme për këta banorë, për të cilët deri më tani nuk ka menduar askush, as ky biznes e as institucionet shtetërore që e kanë për detyrë të mbrojnë qytetarët e vet.

2. Edhe pse morën një gjobë, askush nuk garanton se “ARMO” nuk do të hedhë më mbetje të naftës në përrua. Drejtuesit azerbajxhanë të “ARMO”-s, sipas specialistëve dhe banorëve të zonës, nuk do të vonojnë të derdhin mbetjet sërish në Gjanicë, pasi nuk kanë ku t’i hedhin tjetër, sepse nuk duan të rrudhin fitimet e tyre kolosale për të bërë dhe pastrimin e mbetjeve të naftës së përpunuar. Me derdhjen e mbetjeve të naftës në përrua, mjedisi shkatërrohet që në zemër të tokës dhe në damarët e jetës, vijat e ujit (përrenj, lumenj e deri në shkarkimin e tyre në det).

3. Me hedhjen e mbeturinave të naftës në lumë, nuk shkatërrohet vetëm, lumi dhe uji i tij, porse bëhet fjalë për një rrezik akoma më të madh, që është ajo e shkatërrimit të florës dhe faunës në këtë lumë, por edhe në zonën përqark.

4. Tokat bujqësore përqark rafinerisë, të cilat ujiten me këtë ujë, janë tashmë tejet të ndotura dhe vetëm toka bujqësore s’mund të quhen më. Ndërsa është e vështirë të flasësh për të mbjella e të korra të shëndetshme në këtë zonë.

Pasojat e dëmeve të azerëve të naftës janë të dukshme në mes të rrugës, përpara dhe brenda shtëpive të banorëve të pafajshëm. Ndërsa ministri Gjiknuri hesht. Hesht dhe mendon se drejtësia për këta banorë u bë vetëm me 50 milionë lekë të vjetra…