Gëzim Tushi: Kundër vulgaritetit dhe njeriut të rëndomtë

821
Sigal

Mbase kjo situatë sociale që po kalojmë nuk ka qënë e parashikuar nga askush. Një degradim i përshpejtuar i shumë vlerave, standarteve të qytetërimit dhe sjelljeve qytetare, që kanë sjellë një pesimizëm të frikshëm në shoqërinë tonë. Vrasje, krime të përbinshme, mungesë etike e sjellje të paqytetëruara, reagime neurotike, dhunë në familje, vjedhje monstruoze, krime seksuale anormale, mungesë të bindjes civile. Të gjitha këto të para me optikë sociologjike dhe logjikë reale tregojnë qartë se jeta qytetare dhe qytetërimi ynë, po cënohen rëndë nga prirjet vulgare. Duke e parë këto anomali e difekte tashme të evidentuara të komportimit joqytetar, duket se paradoksalisht dhe në mënyrë të pamerituar ndodhemi si shoqëri nën efektet e fenomeneve sociale të deformuara antiqytetare, të aplikimeve të sjelljeve gabuara superliberale dhe anarkike të një lloj njeriu që ka filluar të shfaet gjithnjë e më shpesh si qytetar vulgar dhe “njeri i rëndomtë”. Duke bërë observacionin social të sjelljes qytetare në shoqërinë tonë, nuk mund të mos themi se ato tipologjikisht janë kompatibile apo dhe të justifikueshme, qoftë në raport me shoqërinë tradicionale por dhe atë modern. Ca më pak të mendosh që janë në përputhje me pritmëritë e zhvillimeve të demokracisë. Jetojmë në kohë moderne dhe është e natyrshme që të mos pretendojmë që sjelljet e qytetarëvë tanë të mos jenë standarte me tiparet universale të njeriut pragmatist, individualist, konsumistik. Këto veçori herë normale dhe herë eksentrike, ka rëndësi që të vlerësohen me sensin e duhur të standarteve të jetës qytetare të kohës. Ato nuk mund të kuptohen drejt, në se në vlerësimin e tyre,  shikohen dhe vlerësohen me “lente” të mënyrës së të jetuarit me standartet e kohës romantike, me sqimë prej aritokrati dhe fisniku.

Natyrisht as me ndikimet banale të koncepteve tradicionale e konservatore. Por në të njëjtën kohë, nuk mund të pajtohemi me perceptomin e lirisë qytetare të konceptuar në trajtë vulgare, apo si formë e të vetëndjerit të sjelljes së lirë individualiste, të bastarduar deri në nivelin kritik të sjelljes së denatyruar e kriminale të “qytetarit vulgar”.  Efektet dhe kundërefektet e modernitetit, lirisë dhe demokracisë në shoqërinë tonë tani duhen vlerësuar dhe parë ndryshe. Kjo do të thotë që shqetësimet për jetën qytetare duhen parë në analogji me realitetin tonë socio-demokratik, me zhvillimet progresive kulturore, të lidhura ngushtë me zhvillimet e qytetërimit, me rrethanat kulturore që zhvillohen në realitetin tonë social, me kontradiktat dhe paradokset e natyrshme ekonomike e sociale të shumta që shfaqen në jetën e përditëshme të shoqërisë shqiptare. Mbi të gjitha duhen rivlerësuar disa koncepte e ndryshime që ka sjellë qytetërimi modern dhe demokracia, në rindërtimin e raporteve sociale dhe vendosjen e marrëdhënieve të caktuara midis qytetarit si individi dhe shoqërisë tonë si një e tërë.  Nuk ka dyshim, se kjo është sfera në shoqërinë e sotme shqiptare ku kanë ndodhur shumë ndryshime, për mirë dhe për keq gjatë procesit të tranzicionit kaotik dhe fenomenologjisë së kalimit në demokraci. Realitetet sociale vulgare dhe fuqizimi i “papritur” dhe shfaqja banale e “njeriut të rëndomtë” janë pasoja nën ndikimin e fortë të ndryshimeve esenciale të standarteve bazale të qytetërimit tonë, të trashëguara dhe të reja, të cilat kanë qënë vazhdimisht të shoqëruara me shumë anomali dhe kontradiksione që kanë sjellë këto nivele vulgariteti social dhe shtimin e peshës së shfaqjes së “njeriut të rëndomtë”.

Një pjesë prej të cilave janë të kuptueshme dhe të natyrshme për t’u njohur dhe pranuar. Por kohët e fundit vulgariteti dhe e “rëndomta” janë trashur dhe banalizuar në jetën e përditshme. Madje disa gjëra kanë marrë karakter të theksuar eksentrik dhe kanë filluar të shfaqen si dukuri sociale jonormale. Po pse kjo situatë? Si mund të shpjegohet kjo trashje e “llumit social” në shoqërinë shqiptare? Të gjithë recidivistët e konservatorizmit në vendin tonë, ata që nuk e duan apo që e kanë inat mënyrën demokratike të ndërtimit të jetës sociale, mënyrën individuale të të jetuarit, përpiqen të gjejnë “argumente kundërshtuese” në disa cilësi endemike të qytetërimit tonë, që janë tipike dhe mënyrë e natyrshme e jetës demokratike. Ata që duan ta sulmojnë atë, si rregull kanë në majë të gjuhës evidentimin e qëllimshëm, të sforcuar të “dy difekteve flagrante” të demokracisë dhe qytetërimit modern, që kanë filluar të shfaqen dhe evidentohen në prirjen sociale evidente të vulgarizimit të thelbit të jetës, që i ka bërë qytetarët të jenë të obseduar nga ana materiale. Dhe së dyti, ata “mbështeten” në prirjen e dukshme të tendencës së largimit nga jeta tradicionale dhe shfaqja e sindromës sociale të “rrafshimit të zakoneve”.  Në të vërtetë, edhe pse këto difekte në dukje në shoqërinë dhe qytetërimin tonë janë të qarta, ka rëndësi mënyra e shikimit dhe forma e vlerësimit të tyre. Kjo në të vërtetë varet nga lentja me të cilën i vlerëson dukuritë e qytetërimit dhe mënyrat e sjelljes qytetare. Sociologë dhe politologët të kohës së shkuar dhe kohës sonë, janë të mendimit se “vulgariteti material”, bashkë me të edhe “rrafshimi i zakoneve” njerëzore, kanë anën e tyre të ndikimit substancial në zhvillimin e performancës dhe sjelljen e ndryshimeve që ka pësuar funksionimi i institucioneve demokratike, sidomos në zëvendësimin e disa zakoneve sociale dhe morale, që nuk i qëndrojnë ndryshimeve demokratike të kohës.  Këto nuk janë difekte të qytetërimit dhe demokracisë. Koha po tregon se ato janë bërë mjet kryesor që garantojnë se njeriu në shoqërinë tonë ka mundësi të gjëra individuale, vendoset me vullnet dhe sens qytetar përtej efekteve anësore të vulgaritetit material, fuqisë së zakoneve të vjetra dhe shthurrjeve të modernitetit. Në shoqërinë shqiptare janë më të plota mundësitë që qytetarit t’i garantohet liria dhe ekzistenca sovrane në raport me shtetin, qeverinë, mënyrat e vjetra të jetesës dhe të kapërximit të mentaliteteve të së kaluarës sonë.  Padyshim, nga ana tjetër që të rindërtohet sipas standarteve qytetërimi ynë modern dhe liberal, është e nevojshme të ndërgjegjësohemi që më në fund jetojmë në një shoqëri, në të cilën jemi të lirë përballë vetes dhe mundësisë për të qenë qytetar. Por nga ana tjetër është e domosdoshme të kuptojmë, që në po atë shkallë që jemi të detyruar të respektojmë rregullat e shoqërisë, normat e jetës sociale dhe ligjet e funksionimit të shtetit. Një pavarësi nga këto determinime të jashtme, nuk mund të konsiderohet liri. Dhe besoj se në këtë aspekt problemet e qytetërimit tonë dhe të sjelljes qytetare janë seriozisht shqetësuese.

Padyshim, shoqëria jonë ka problemet e veta në ndërtimin e këtij raporti normal të qytetarit me veten dhe shoqërisë. Sepse vijmë nga një shoqëri ideologjike, e cila  kishte një tërësi parimesh të ngurta sociale, një sistem vlerash dogmatike që jo vetëm cënonin liritë dhe të drejtat e qytetarit, por dhe pengonin ndërtimin normal të marrëdhënieve të tij me shoqërinë. Në të vërtetë, në ndërtimin e ekuacionit midis lirisë së qytetarit, respektimit pa kushte të të drejtave të patjetërsueshme të tij, por dhe të drejtave të shoqërisë dhe shtetit, një faktor që duhet të luajë rol të rëndësishëm është shoqëria civile. Struktura e grupeve të interesit dhe autoriteti i shoqatave të shumta të shoqërisë civile, është elementi që duhet të ndikojë për të zbutur marrëdhëniet me natyrë polare që duken në shoqërinë tonë, midis qytetarit nga njëra anë dhe shtetit dhe shoqërisë nga ana tjetër.  Padyshim, nuk mund të vihet në diskutim që një pjesë e problematikës është e lidhur me faktin që jeta moderne në shoqërinë tonë, për fat të mirë të saj dhe qytetarëve tanë, është bërë tashmë hapësirë e lirë për të siguruar dhe lejuar mënyra të ndryshme të jetës qytetare. Por kjo e vërtetë që shpesh perceptohet në mënyrë formale dhe të deformuar, bëhet shkak që të penetrojë “qytetari vulgar”, që nuk ka dhe nuk do të ketë “kulturë qytetare” nga që nuk kupton esencën e qytetërimit, sipas të cilës nuk mund të rregullohen marrëdhëniet me shoqërinë pa patur një kulturë publike politike dhe qytetare të përbashkët, që janë kushti themelor për rindërtimin shoqërisë mbi standartet e qytetërimit modern. Besimi i ndërsjelltë midis qytetarëve tanë, vlerësimi i duhur i nevojës së kuptimit thelbësor të së vërtetës, se nuk mund të jetohet në shoqëri jashtë parametrave të kooperimit social, janë baza për ndërtimin e raporteve dhe marrëdhnieve të dobishme midis qytetarit të mirë që është e kundërta e “njeriut të rëndomtë” dhe shoqërisë jo vulgare. Kjo, sipas mendimit tim, është esenca e munguar e kulturës politike, qytetare dhe publike, që duhet të ndërtojmë në shoqërinë tonë. Ndryshe, është e vështirë të rregullohet difekti i madh qytetar, që në shoqërinë tonë ka një zhvillim anormal, alarmant të sintetizuar në mënyrë të gabuar në idenë e semplifikuar sociale, sipas të cilës për hatër të individualizimit të jetës qytetari, duhet të kërkojë vetëm plotësimin e interesave private personale dhe të mos mendojë, që krahas tyre janë të nevojshme të respektohen parametrat e jetës sociale. E cila nuk mund të funksionojë pa “marrëveshje sociale”, si bazë për ndërtimin e një niveli të duhur të solidaritetit qytetar. Pikërisht kjo kategori njerëzisht po bëhen gjithnjë e më të rëndomtë dhe sjelljet e tyre po vulgarizojnë jetën e përbashkët sociale. Mbase mund të duket e parakohshme por është imperative përpjekja për të krijuar një kulturë politike, publike, qytetare dhe bashkë me to dhe krijimin e instrumenteve të duhura të rivendosjes në një platformë të re të lidhjeve sociale të qytetarit me shoqërinë demokratike e qytetare, si sistem i pashmangshëm dhe i nevojshëm për kooperimin ndërmejt qytetarëve të lirë dhe të barabartë. Kjo është kultura që me sa duket nuk është e plotësuar (për të mos thënë e munguar) që duhet krijuar nga brezi i sotëm i shqiptarëve, që pastaj të kristalizohet si “verb” i qytetërimit tonë dhe normalisht të kalojë si kapital social për brezat që do vijnë në shoqërinë shqiptare. Na duhet të kultivojmë dhe nxitim aftësitë e qytetarit të mirë, të njeriut me koncepte të drejta humane se për të jetuar në shoqëri normalisht, për të qenë i lidhur me të në emër të nevojës për “kooperim social”, solidaritet dhe bashkëpunim, nuk është thjesht dhe vetëm nevojë qytetare, por dhe vlerë e parë sociale, që ndihmon që qytetarët tanë në mënyrë të natyrshme të lidhen me nivelin e zhvillimit të virtyteve politke e demokratike të qytetarit europian.