Gëzim Kabashi: Në kërkim të një kontejneri për dimrin e tretë pa shtëpi

241
Sigal

Një grup banorësh dhe ish-banorësh të Ishmit u bënë bashkë me Kishën Ungjillore për të siguruar një kontejner për një familje që po kalonte dimrin e tretë në çadër, në një përpjekje për të sfiduar indiferencën me të cilën përballen banorët e goditur nga tërmeti. Një autovinç ngeci mes baltës, ndërsa shoferi po përpiqej ta ngjiste në një nga rrugicat e fshatit Likmetaj, 35 km larg Durrësit. Makineria mbart mbi shpinë një shtëpi -kontejner, të cilën shofer Rizai dhe disa banorë të tjerë të fshatit po përpiqen ta çojnë në oborrin e familjes Hysaj – e mbetur pa banesë prej tërmetit të 26 nëntorit 2019. Dy kunatat e familjes Hysaj dhe djali i njërës prej tyre, të cilët jetojnë së bashku në Likmetaj, po kalojnë dimrin e tretë në çadër, ndërsa shtëpia e premtuar ende nuk ka përfunduar. “Shpresuam se ky vit do të na gjente në shtëpinë e re, por punëtorët ikën dhe i lanë dyshemetë dhe tavanet e papërfunduar,” tha Myzejen Hysaj, njëra nga gratë. Familja Hysaj nuk është e vetmja në Ishëm që pret për të tretin dimër radhazi përfundimin e shtëpisë, pas dëmtimeve që shkaktoi tërmeti. Sulë Mezini, një nga veprimtarët e shoqatës “Ishmi” që u angazhua për gjetjen e kontejnerit i tha BIRN se ndërsa një pjesë e banesave të dëmtuara në zonë ishin rindërtuar, ka shumë të tjera ku punimet janë lënë përgjysmë. “Vetëm në këtë lagje janë 10 shtëpi të papërfunduara, ndërsa në të gjithë fshatin numri i shtëpive ku punëtorët janë larguar prej disa javësh arrijnë në 30,” tha Mezini.

 “Më shumë shtëpi e më pak njerëz”
Tërmeti i 26 nëntorit 2019 shkaktoi 51 viktima, plagosi qindra të tjerë dhe la të pastrehë mijëra familje në Durrës, Fushë-Krujë, Tiranë dhe Laç. Gjurmët e tij janë ende të dukshme në Likmetaj, një nga nëntë fshatrat e zonës së Ishmit. Së largu, në rrugën e vetme që e përshkon mespërmes fshatin duken disa çadra dimërore, një banesë njëkatëshe ende në kolona dhe një tjetër e lyer me gëlqere të bardhë, si dhe një kontejner dyngjyrësh. Godinat gjithfarësh ndodhen në një lartësi të vogël, nga ku duket fusha e Thumanës deri në kryeqytet, ndërsa më përtej gjiri detar i Drinit spikat në formë gjysmëharku. Ky është vendi ku ka lindur Ibrahim Kodra, piktori shqiptar me famë evropiane. Njëri prej kontejnerëve shërben për të strehuar 94-vjeçarin Sabri Kodra, i afërm i piktorit. Kontejneri është vendosur në themelet e shtëpisë ku ai ka lindur. Nga dera prej xhami shihet një shtrat si dhe një ngrohëse me korrent. Por vetë Sabriu nuk ndodhet brenda tij, pasi dikush e ka shoqëruar për një vizitë mjekësore në Fushë-Krujë. Gëzim Qevani, një mësues në pension dhe fqinj i Sabriut, tha për BIRN se këto ditë të ftohta kanë qenë të vështira për Sabriun e moshuar, i cili ende jeton në kontejner. Dita e parë e shkurtit është e ftohtë dhe plot lagështirë, por komshiu i familjes Kodra, ngre kapuçin e xhupit dhe ofrohet të na tregojë shtëpitë e rrënuara nga tërmeti, por edhe ato të ndërtuara rishtazi nga shteti apo nga vetë familjet që kanë njerëz në emigracion. “Ne po presim që banesat të kompletohen dhe banorët të rikthehen në shtëpitë e tyre,” tha Gëzimi. Mësuesi në pension thotë se fshati është braktisur. “Likmetaj tani ka më shumë shtëpi dhe më pak njerëz,” tha ai, duke shtuar se fshati ka patur 130 shtëpi, ndërsa tani ka dyfishin falë punës së banorëve në emigracion, por shumica e tyre janë të zbrazura.

Për kujtesën dhe indiferencën
Ndërsa pritet që autovinçi të dalë nga balta, Isuf Shehu, kryetar i shoqatës “Ishmi” tregon se ata po punonin gjithashtu për një projekt që synon të përkujtojë shkollën e parë shqipe të rrethit të Durrësit të ndërtuar në këtë zonë. “Në prill kujtojmë 110-vjetorin me një monument, pikërisht aty ku ishte godina e shkollës së parë,” tha ai. Skulptori i njohur, Qazim Kërtusha, një nga nipat e kësaj treve, shpjegon se pranë tre shkronjave të para të alfabetit në monument, që arrijnë lartësinë 1,5 metra, do të jetë edhe faksimilja e dokumentit të qeverisë së Ismail Qemalit, lidhur me ngritjen e shkollës së Ishmit në vitin 1913. Me këto biseda kanë kaluar dy orë dhe me ndihmën e një kamioni tjetër, autovinçi ka dalë nga balta dhe kontejneri është instaluar në oborrin e banesës së papërfunduar. Një nga pjesëtaret e familjes ofron karamele dhe të gjithë urojnë që nga kontejneri në shtëpinë e re të mos kalojë shumë kohë. Nuk është e vështirë të kuptohet që njerëzit ndjehen mirë, pasi kontejneri u instalua në oborrin ku ndodheshin dy çadrat dhe shtëpia e pambaruar. Siç na thonë, “shtëpia metalike” e kishte kryer misionin e saj pranë ambulancës së fshatit Pjeshkë, më shumë se 30 km larg destinacionit të ri në Likmetaj dhe ishte prej disa kohësh i lirë. Genci Shehu, pastor i Kishës Ungjillore të zonës dhe përfaqësues i Aleancës së Durrësit” të Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë (VUSH) është marrë prej ditësh me gjetjen e kontejnerit që do t’i lehtësonte ditët e dimrit për dy gratë kunata, thotë se nuk kishte qenë aq e lehtë që ai të gjendej. “Më rrinte mendja aty gjatë gjithë kohës,” tha Shehu, i cili është po ashtu edhe pedagog universitar i anglishtes. I kënaqur që e ka përmbushur misionin, Genci thotë se njerëzit nuk duhej të ishin indiferentë. “A e di se cila është e kundërta e dashurisë? Jo, jo, nuk është urrejtja. E kundërta e dashurisë është indiferenca!”, thotë ai.