“Gënjeshtrat” e vogla të Soreca-s për ngritjen e SPAK-ut

626
Sigal

Në një situatë të ngarkuar politike, kur kryeministri Edi Rama kërcënon me burgim dhe hetime të SPAK-ut, opozitën dhe këdo që mendon ndryshe nga ai, ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian, Luigi Soreca bën publik një takim me kryetarin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi, në të cilin është diskutuar pikërisht për krijimin e Prokurorisë Speciale.

Në një komunikim mediatik, Soreca njofton se “Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë Gent Ibrahimi më ka informuar sot mbi etapat përfundimtare të punës së Këshillit për përzgjedhjen e kandidatëve për SPAK. Është shumë e rëndësishme që SPAK të funksionojë sa më shpejt që të jetë e mundur, për të përmirësuar më tej aftësinë për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar” shkruan ai.

Njoftimi i ambasadorit të BE-së në Tiranë duket i ftohtë dhe konciz, por gjithësesi me shumë “problematika” brenda saj.

1. Takimi vjen në një situatë të ndezur politike, kur Edi Rama, në fjalorin e tij elektoral, po e përdor SPAK-un si një “kamxhik” që mund të godasë opozitën. Bashkëbiseduesit janë të dy të afërt me kryeministrin Edi Rama. Ambasadori Soreca u kap mat së fundmi në një komunikim me Ramën, duke kritikuar ashpër opozitën. Ndërsa kreu i KLP, Gent Ibrahimi, është zgjedhur në mënyrë anti-ligjore dhe njihet për lidhjet e ngushta familjare me eksponentë të lartë socialistë.

2. Takimi Soreca-Ibrahimi është zhvilluar në zyrat e delegacionit të Bashkimit Europian, siç shihet nga fotoja që shoqëron njoftimin për takimin. Është disi e pakuptimtë që drejtuesi i një institucioni të rëndësishëm dhe të pavarur shqiptar të “informojë” ambasadorin për ecurinë e punës së tij. Ligji ka parashikuar se Këshillit i Lartë i Prokurorisë informon dhe raporton para Kuvendit të Shqipërisë, pra para institucioneve shqiptare dhe jo përballë zyrtarëve kalimtarë ndërkombëtarë.

3. Pamjet, ndonjëherë flasin më shumë se sa fjalët. Në foton që shoqëron aktivitetin, Soreca duket në një pozicion tërësisht të çlirët, gati shtrirë e përballë tij gjendet i sikletosur Gent Ibrahimi. Pamja krijon përshtypjen se bashkëbiseduesit janë në pozicionet shef-vartës.

4. Kreu i KLP “më ka informuar mbi etapat përfundimtare të punës së Këshillit për përzgjedhjen e kandidatëve për SPAK”, thotë Soreca në njoftimin e tij. Në fakt, situata nuk është e tillë, siç e përmbledh në pak rreshta ambasadori i Bashkimit Europian.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë është përgjegjës për përzgjedhjen e anëtarëve të SPAK-ut. Por, më së pari, kandidatët duhet të kalojnë procesin e Vetingut me vendim të formës së prerë. Dhe, këtë proces, pra Vetingun, nuk e kryen KLP, por institucionet e rivlerësimit, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe Kolegji i Posaçëm i Apelimit.

Deri më tani, para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit kanë dalë 10 nga 23 kandidatë për SPAK. Prej tyre, dy janë konfirmuar me vendim të formës së prerë- Arben Kraja dhe Dritan Prenci; dy të tjerë janë konfirmuar nga shkalla e parë, por janë ankimuar nga Komisioneri Publik- Besnik Muçi dhe Donika Prela. Një kandidat është shkarkuar-Shkëlzen Cena.
Ndërsa që 5 të tjerët janë konfirmuar së fundmi nga KPK, por vendimi pozitiv për ta nuk është zbardhur ende. Pas zbardhjes së vendimit, Komisioneri Publik mund të ushtrojë të drejtën e ankimit.

Procedurat e ankimit, për rastet kur Komisioneri nuk është dakord me vendimin e KPK, zgjasin në 6-8 muaj.

Pra, momentalisht, është e paqartë se kur do të ngrihet SPAK-u, kur pjesa më e madhe e kandidatëve ende nuk janë përballur me seancat dëgjimore të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

E, megjithëse nuk dihet se kur do të krijohet SPAK, ambasadori Luigi Soreca flet me bindje se është informuar mbi etapat përfundimtare të punës së KLP për përzgjedhjen e kandidaturave për SPAK”?

Çfarë kandidaturash po përzgjedh aktualisht KLP-ja, kur pjesa më e madhe e aplikantëve nuk janë përballur me procesin e Vetingut?

Mesa duket, Luigi Soreca, nëpërmjet “gënjeshtrave” të vogla, po mundohet të hyjë në valën e nxehtë të lojës politike shqiptare. Për koincidencë, qëndrimet e tij janë thuajse të ngjashme me ato që ligjëron Edi Rama.Boldnews