Genc Pollo: “Punësimi dhe ekonomia, kryefjalë të Partisë Demokratike”

575
Sigal

BERAT/ Kryetari i grupit të punës së PD-së në këtë qark, është takuar me mësuesit dhe maturantët e qytetit

Në vazhdën e takimeve të tij në Qarkun e Beratit, kryetari i grupit të punës së PD-së në këtë qark, zoti Genc Pollo, është ndalur në një takim me mësuesit dhe maturantët e dy prej shkollave më të rëndësishme të qytetit të Beratit, siç janë shkolla “Babë Dudë Karbunara” dhe shkolla “Kristaq Capo”. Gjatë bisedës me mësuesit dhe maturantët e këtyre shkollave, veç të tjerash, ministri Pollo ka theksuar se, në këto 8 vite në fushën e arsimit kanë ndodhur transformime pozitive të jashtëzakonshme, që kanë konsistuar në drejtim të cilësisë së shkollës, kualifikimit të mësuesve, përmes testeve serioze, si testimi kombëtar i kualifikimit të mësuesve, të trajnimit të tyre, të mbështetjes për ta, të investimeve në shkolla, të futjes së internetit dhe të teknologjisë së informacionit masivisht, duke filluar prej vitit 2006 me pajisjen e të gjithë shkollave me kabinete informatike etj..

Rrogat

Për ministrin Pollo, këto kanë qenë vetëm disa prej sfidave që janë marrë, por, ashtu siç është edhe jeta e njeriut, sfidat nuk mbarojnë kurrë dhe gjëra të mira ka pafundësisht për të bërë. Dyfishimi i rrogave të mësuesve, që ka nisur prej vitit 2005, kur PD-ja erdhi në pushtet ka qenë një pikë tjetër, ku është ndalur zoti Pollo, duke thënë se: “Kjo qeveri ka nisur që në vitin 2005 dyfishimin e pagës së mësuesve, ku, krahasuar me profesionet e tjera, ka pasur rritje dhe do të vijojë të ketë edhe në 4-vjeçarin e ardhshëm të qeverisjes së Partisë Demokratike”.

Ekonomia

Në fund të fjalë së tij ministri dhe deputeti Pollo është ndalur në atë që do të jetë kryefjala e Partisë Demokratike në këtë fushatë elektorale, e që është punësimi dhe ekonomia: “Punësimi është kryefjala e fushatës së Partisë Demokratike, sepse punësimi është shqetësimi më i madh i shoqërisë shqiptare. Ne duam ta ulim nivelin e papunësisë në vend dhe kjo bëhet duke forcuar ekonominë dhe ekonominë e zhvilluar e bëjnë njerëzit me aftësi. Jo thjesht punëtor me kualifikim të ultë, edhe për ata kemi nevojë, por ekonomia do të eci përpara vetëm nëpërmjet dijes dhe brezat që do të studiojnë, maturantët që nesër, pasnesër, në vitet e ardhshme do të jenë në universitete, do marrin diploma dhe mastera, duhet të kenë një diplomë që vërtet iu shërben atyre në rrugën e jetës, u shërben atyre në ekonominë reale, në punësimin real, prandaj këshillimi i karrierës dhe zgjedhja e një dege dhe programi studimi që të ketë mundësi për punësim, është jashtëzakonisht e rëndësishme”.

Maturantët dhe ora e këshillimit të karrierës

Në bashkëbisedimin e tij me maturantët e këtyre shkollave zoti Pollo është ndalur edhe në një lëndë mjaft të rëndësishme në kurrikulën mësimore, që është ora e këshillimit të karrierës, një orë mjaft e rëndësishme për të ardhmen e tyre: “Maturantët dhe maturantet të përzgjedhin një diplomë, duke u konsultuar në orën e këshillimit të karrierës, në mënyrë që ajo diplomë të vlejë pastaj për të zënë një vend pune në shtet dhe jo detyrimisht në shtet, sepse punësimi në administratën publike ka kufijtë e veta, por, kryesisht, në sektorin privat, sepse e ardhmja aty është dhe kjo është një diçka që po e provon edhe Europa, e cila, edhe pse është më e pasur dhe më e avancuar se ne, po detyrohet të reduktojë administratën e tejfryrë dhe të nxisë punësimin”.