Legalizimet në Elbasan, problem vija e verdhë ndërmjet komunave dhe qytetit

1076
Sigal

Flet për “Telegraf” drejtori i ALUIZNI-t 2, Ibrahim Kashari: “Qytetarët të paraqiten brenda këtij viti për të shlyer detyrimet!”

Në zyrat e ALUIZNI-t 2, në Qarkun e Elbasanit, procesi i legalizimit të ndërtimeve pa leje në njësitë vendore po vijon normalisht dhe pa asnjë problem. Krahasuar me vitin 2012 këtë vit legalizimi i  objekteve ka qenë në rritje të dukshme, ku janë shqyrtuar rreth 2000 dosje për 4- mujorin e parë të vitit 2013. Me ligjin aktual të legalizimeve po vazhdon procesi për objektet që janë ndërtuar që prej vitit 2006 dhe deri në vitin 2013. Drejtori i ALUIZNI-t 2, Elbasan, z. Ibrahim Kashari në një prononcim për gazetën “Telegraf” tha se, vazhdon ende problemi i vijave të verdha ndërmjet komunave dhe qytetit. Gjithashtu, Kashari theksoi se, ky problem, nëpërmjet bashkëpunimit me njësitë e qeverisjes vendore, pritet të bëhet më i lehtë dhe të marrë zgjidhje sa më herët për të mirën e të gjithë qytetarëve. Ai bëri thirrje të gjithë banorëve të paraqiten pranë zyrave të ALUIZNI-t për të legalizuar objektet që disponojnë në mënyrë që të mos kenë probleme me objektet e tyre që kanë ndërtuar duke plotësuar të gjithë dokumentacionin e duhur në dosjet e tyre që përmban objekti që ata kanë në pronësi”, -tha Kashari  gjatë prononcimit të tij thënë për gazetën.

Lehtësimi

Ndarja e ALUIZNI-t në dy pjesë ka bërë që qytetarët të mos hasin vonesa dhe radhë të gjata në kryerjen e procedurave të procesit të legalizimeve, por që të mbarojnë punë sa më shpejtë dhe në mënyrë korrekte. “Duke qenë që ky proces do të mbyllet brenda këtij viti, kërkohet nga ana e qytetarëve elbasanas që të nxitojnë të paguajnë detyrimet për të gjithë ata që nuk i kanë paguar për plotësimin e këtyre dosjeve sa më të rregullta, në mënyrë që dhe objekti i tyre i vetëdeklaruar të legalizohet më  shpejt që qytetarët të mos kenë pengesa dhe sorollatje me nëpër zyrat e ALUIZNI-t të Qarkut të Elbasanit. Sa më shpejt që të bëhen këto pagesa që kanë detyrim te kjo zyrë aq më shpejt do të përfundoji dhe procesi i legalizimit dhe qytetarët do të jenë po aq shpejt pronarë të ligjshëm të objektit të tyre. Kurse për të gjithë ata që nuk do të bëjnë pagesën e detyrimeve për plotësimin e dosjes  procesi i legalizimit nuk do të vazhdojë deri në shlyerjen e detyrimit”, përfundoi Kashari.