Fyen besimtarët myslimanë, shpallen në kërkim 2 ekstremistët

613
Sigal

Drejtoria e Antiterrorit pranë Policisë së Shtetit bën me dije se duke u nisur nga publikime në media, kanë goditur një rast të nxitjes së urrejtjes fetare ose etnike.

Sipas njoftimit, dy shtetas janë shpallur në kërkim, pasi kanë përdorur komente fyese ndaj besimtarëve myslimanë në rrjetet sociale dhe në komente.

Më tutje, në njoftim thuhet se policia është e vendosur për të garantuar paqe e stabilitet për të gjithë qytetarët shqiptarë dhe të huaj që duan të kalojnë pushimet në vendin tonë, nën klimën e paqes dhe harmonisë.

Njoftimi i policisë:

Drejtoria e Antiterrorit

Nisur nga disa publikime në datën 12.08.2019 në media elektronike dhe konkretisht në portalin “Insajderi” ku shkruhet se: “Dy radikal fetar katolik nga Shqipëria, përmes disa videove të cilat janë ardhur në redaksinë e Gazetës Insajderi, dëgjohen duke ofenduar myslimanët nga Kosova dhe Maqedonia të cilët shkojnë për pushime në bregdetin shqiptar”, ju informojmë se:

Policia e Shtetit ka nisur menjëherë verifikimet përkatëse për të vënë para përgjegjësisë ligjore këta komentues të cilët me komentet e tyre nxisin urrejtjen dhe grindjet.

Nga tërësia e veprimeve procedurale të kryera janë identifikuar dy personat që kanë folur me gjuhën e urrejtjes të cilët janë :

A.Z,,  39 vjeç, banues në Hot, Malësi e Madhe.

L.M,  36 vjeç, banues në Kallmet Lezhë.

Të dy këta persona janë shpallur në kërkim policor pasi nga verifikimet ka rezultuar të jenë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

Materialet procedurale në ngarkim të shtetasve të sipërpërmendur i janë referuar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër dhe Lezhë për veprën penale të “Nxitje e urrejtjes ose grindjeve” parashikuar nga neni 265 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë dhe po punohet për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet.

Policia e Shtetit mbetet e angazhuar për të goditur çdo aktivitet të kundra ligjshëm dhe për siguruar një mjedis të përshtatshëm dhe të sigurtë për të gjithë shtetasit shqiptar apo të huaj që kanë zgjedhur vendin tonë për të kaluar pushimet verore.

Kombi shqiptar mbështetet mbi vlerat e tij historike të lirisë, paqes me fqinjët dhe kombet e tjera, bashkëjetesës dhe harmonisë ndër fetare.

Këto janë vlera qytetëruese që rrezatojnë në botë dhe kontribuojnë në të ardhmen evropiane të rajonit.